Friday, April 10, 2015
Vullnet Mato - KUR FEMRA FAL ÇELËSIN E THESARIT
Vullnet Mato
KUR FEMRA FAL ÇELËSIN E THESARIT
Kur femra të do
me gjithë shpirt,
jeta të bëhet
gjelbërim më fletë,
pranvera të bëhet
katër stinë në vit,
dimri të bëhet
korrik në dyshek.
Kur femra të ka
shpalosur zemrën,
gjaku në damarë
të vrapon porsi era,
truri drejton
mendimet e shtrembra,
goja të kullon
mjaltë luleshqerrash.
Kur femra të do
me shpirt të vërtetë,
nuk ka shkëmb
që të del përpara,
nuk ka largësi
në tokë, në qiell e det,
nuk ka në botë
shtigje të pa çara.
Kur femra të shpalos
të gjithë dashurinë,
ke brenda mureve
të gjitha kushtet,
llojet e gatimeve
të tëra i ke në kuzhinë,
fëmijët të mbijnë
rretheqark si lulet.
Kur femra të ka dhuruar
trupin përjetë,
të fal çelësin e thesarit
ta çelësh me puthjet,
në shtëpi të ka
kurorëzuar mbret
dhe zoti të ka plotësuar
të gjitha lutjet...
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment