Friday, May 8, 2015

Vullnet Mato - GJENERAL PIRRO I EPIRIT












Vullnet Mato

GJENERAL PIRRO I EPIRIT

Në përvjetorin e njëzet shekujve,
të vdekjes sipër kalit,
o i madhi gjeneral Pirro,
bir i mbret Bardhylit ilirian,
të kam vendosur sot,
mbi tullën simbolike të varrit,
dy trëndafila diellor,
nga muzgu Adriatik e Jonian;

Për vringëllimat e shpatave ilire,
nga Apolonia, në lumin Vardar,
deri poshtë kufijve jugor,
buzë brigjeve të Peloponezit,
ku tridhjetëmijë kalorës të ushtrisë
me elefantë luftëtarë,  
të thërrisnin “Pirro Shqiponja”
që fluturon në Romën përtej detit...

Dy trëndafila diellor, për fitoret,
pritur kudo me kurora dafine,
o mbret i goditur në kokë,
nën ballkonin fatal të Korintit,
me tullën e asaj nëne hakmarrëse,
për djalin e vrarë në luftime,
ku fitoret mbi romakët ti i mbylle,
me humbjen e shpirtit.

Ke pasur vdekje fatlume,
pa goditje me tullën e tritolit,
se s’do kish mbetur për varr,
as nishani i eshtrave të tua,
që sot bëhen pluhur,
nga vdekja moderne e Albanopolit,
pa lënë shenjë, ku të vajtojnë
prindërit dhe e zeza grua...

Sot, o gjeneral Pirro,
vdekja nuk ndodh për shkaqe lufte,
por për larje hesapesh,
nga borxhet e vonuara në biznes,
dhe urrejtja politike,
për t’u ulur fitimtar mbi kolltuqe,
pa u zbuluar tulla e tritolit,
vënë nga vrasësi me pagesë.

Pate fat, o Pirro, që s’linde në Apoloni
njëzet shekuj më pas,
se emri yt do qe harruar pas njëzet ditësh
në dosjet e drejtësisë,
si biznesmen që fiton para
dhe i humb pa vënë buzën në gaz,
në vend të fitoreve të tua famoze,
si mbret i Epirit e Maqedonisë... 



No comments:

Post a Comment