Vullnet Mato
ÇASTI KUR PRITET KOKA...
Gjithë minuset kaotike të ditës që shkoi,
bëhen pluse vetëm gjatë orëve të gjumit.
Jam gati gjellën me shtratin ta ndërroj,
të dremit si trungu nëpër valët e lumit.
Jam gati ta prish me këdo nga miqtë e mi,
madje dhe me dikë që s’më lejon sedra,
por gjumit nuk ia prish dot qejfin kurrsesi,
se i kam pa shlyer shumë borxhe të vjetra.
Gjumin ma hëngrën zborët e gatishmërive,
shërbimet operative në telefonat e alarmit,
radhët e gjata për pak qumësht fëmijëve,
në katër të mëngjesit në ciknat e tufanit.
Ma hëngrën librat dhe letrat e gjata të dashurisë,
për atë që desha, më shumë se Antoni Kleopatrën,
ma hëngrën hajdutët dhe kriminelët e gjullurdisë,
kur shqyenin me kallash dyert e nëntëdhjeteshtatës.
Tani kam aq mangësi në gjumin e përjetimit,
sa dhe po të fle dhjetë vjet rresht, ditë e natë,
në një letargji, si ajo e ariut në strofkën e dimrit,
nuk e shlyej dot deficitin e pagjumësisë së gjatë.
Ndaj s’kam turp të fle, para syrit të televizorit,
as përpara syve të stjuardesave të aeroplanit,
se vetvetiu afron çasti, kur përsipër kraharorit,
më pritet koka me fermanin e “gjumë sulltanit”...
No comments:
Post a Comment