Friday, December 5, 2014

Vullnet Mato - PENG NË SYTË E NJË GRUAJE














Vullnet Mato

PENG NË SYTË E NJË GRUAJE

Një grua e panjohur, te stolat në park,
më kundroi gjatë me vështrim të fiksuar...
Mendova se ruante nën vetullat me hark,
ndonjë njohje rasti, nga koha e shkuar.

Por, nën grimin e faqeve të sheshta,
zbulova format e vajzërisë së hershme,
dhe në sy, ato shkëndijat të fshehta,
që shkrepnin vetëtima të mistershme.

Për disa çaste në fytyrat tona memece,
u end malli i pasionit rinor të ringjallur,
duke frenuar zjarrin e gjakut në heshtje,
nga ndonjë vrull i vështirë për t’u ndalur.

Kuptohej, se tani ëndrrat e saj qiellore,
ishin kthyer në tokë me reshje zhgënjimi
dhe e penduar për ndjenjat e saj vajzërore,
ajo ndjeu befas zgjimin e pasionit të fillimit.

Desha t’i flas, pa drojën e dikurshme,
të ndrydhur nga rrethanat e viteve larg.
Madje ajo bënte përpjekje të dukshme,
të rindizte fitilin e barutit që na u lag...

Vazhduam me sy të ndezur, disa minuta,
siç bënim atëherë për të gjetur një rast,
kur shpërthimi priste duart e saj të buta,
të zjarronin fitilin plasës nga çasti në çast.

Por nuk patëm vendosmërinë zjarrmëtare,
të kohës, kur baruti i thatë s’na shpërtheu.
Se tani predha jonë do ishte shkatërrimtare

edhe po ta zbulonim të ndryshkur nga dheu...   


Sunday, November 23, 2014

Vullnet Mato - PSE QANTE E QESHTE GRUAJA PA SHKAK














Vullnet Mato

PSE QANTE E QESHTE GRUAJA PA SHKAK

Ajo qante befas
sikur të ishte fëmijë.
Qante herë pas here
pa shkak të kuptuar.
Kujtohej se me burrin
bënte pak dashuri,
dhe lotët i binin çurg
si rubinet i liruar.

Pastaj kur ai i tha:
 “S’je më tërheqëse,
vitet ta kthyen pamjen
në shëmtim!”
Ajo ia priti:
“Më marrsh të keqen!”
dhe lotoi gjithë natën,
gjer në agim...

Një burrë tjetër i tha:
“Je tmerrësisht e bukur!”
dhe ajo papritmas
hapi krahët si zog.
Në mbrëmje i dha atij
një të puthur,
dhe trupin, kur i shoqi
bridhte me shokë.

Pastaj gjatë javës
ajo qeshte pa shkak,
qeshte dhe fluturonte
me këmbë e me duar.
Pse qan e qesh
gruaja pa shkak,
vështirë e ka burri
për ta kuptuar...





Thursday, November 20, 2014

Vullnet Mato - BUBULLIMAT E GJOKSIT TË NËNËS
















Vullnet Mato

BUBULLIMAT E GJOKSIT TË NËNËS

Isha vogëlush, afër moshës së një djali
dhe koha e krismave të tmerrshme ishte.
Në qiell, disa korba me krahë metali,
lëshonin mbi tokë glasa shpërthyese.

Nëna lau teshat me finjë nga hiri i zjarrit
dhe i vuri të thahen mbi shkurret e lumit.
Mashtruar nga ngjyrat dhe tymi i kazanit,
korbat u shfaqën befas me mitralime sulmi.

Vinin rrotull qiellit, sharronin degët e gurët 
dhe tym e pluhur u bë gjithçka përqark...
Nëna më rrëmbeu, si skifteri zogun e pulës,
më mbështolli me trup, më futi prapë në bark...

 “E mjera unë, do më vrasin djalin!”gulçonte,
me frymëmarrje të thellë strukur nën shkurre
dhe zemra në gjoks me gjëmim i bubullonte,
sikur te daullet e veshit më binte një daulle.

Atë daulle alarmi, të heshtur larg ndër vite,
kujtoj me mall, kur shoh fëmijë të asaj moshe...
Oh, gjoksi i nënës me bubullima të dridhshme,
kish brenda të gjitha dhembshuritë e kësaj bote... 



Wednesday, October 29, 2014

Vullnet Mato - Ç’MË THUA, Ç’MË THUA ?














Vullnet Mato

Ç’MË THUA, Ç’MË THUA ?

O, sa shpejt po më ikën dita tek ti!...
Dielli më fluturon si zog pendëverdhë...
Mbeta, i magjepsur me ty në dashuri,
si nën hijen e këndshme të fikut në verë.

Ke ulur për mua të gjitha degët e tua,
aq sa lash nën hije krejt kohën time ...
Bëj të iki nga ëmbëlsia e pemës që dua,
po asnjë nga gjymtyrët nuk më bindet.

Me thërresin shumë zëra diku tutje,
më thonë, eja, pra, eja se mbete prapa!...
Po ti më ke mbuluar me gjethe puthjesh
që s’më lëshojnë kurrsesi pa ikur vapa.

Më lësho, se dielli pendëverdhë u bë pendëblu,
ndriçojnë tashmë vetëm kokrrat e tua!...
Të rri akoma pranë teje, të mbetem këtu?...
Ç’më thua, moj pemë e dashur, ç’më thua?

Ç’më thotë fiku i çarë i buzëve të tua?...

Tuesday, July 29, 2014

Vullnet Mato - ZANA E BJESHKËVE















Vullnet Mato

ZANA E BJESHKËVE

Kisha ëndërruar dikur,
në moshën rinore,
të bëhesha dhëndër
me një zanë bjeshke.
Dhe si ylber harkuar
mbi malet mjegullore,
kërkoja imazhin e saj
në purpurime vjeshte.

Zbrita te mrizi,
me lentën e qiellit në duar,
të dalloja sytë e saj
me valëzim të kaltër.
Lisat e moçëm më thanë,
zana e fundit qe martuar,
para pak kohëve,
me një princ të largët...

Atëherë psherëtiva,
sa më erdhi logu vërdallë:
Ah...fati im qenka shituar
nga zanat e bjeshkëve
dhe zemra ime e përgjëruar
për atë bukuri të rrallë,
s’ka për të provuar
dashuri tjetër gjer në vdekje!...

Po si do mund ta ngrysja
beqar të gjithë jetën,
pa gjetur bukurinë
e një zane të pamartuar?
A ndofta s’do të kishte
më kurrë një femër tjetër,   
aq të magjishme
si ajo zanë e ëndërruar?...

Nga pikëllimi i thellë,
lëshova sytë e përlotur
në rrugën e lagjes së vjetër,
me gurishte asfalti.
Atë çast dora adoleshente
e një fqinje të vogël,
më fshiu lotët me ca gishta,
si fasha mëndafshi...

Kur vështrimi i turbullt
m’u kthjellua krejt te sytë,
ajo buzëqeshi ëmbëlsisht
dhe më puthi në faqe...
Po ku ishe, moj zanë e vogël,
me shpirt kaq të dëlirtë?
Mos vallë zbrite nga bjeshkët,
për mua në këtë lagje?!... 








Raimonda Moisiu - PULËBARDHA














Raimonda Moisiu

PULËBARDHA

Kap kokën me dy duar,
Këtë mëngjes të bardhë,
…Ndërsa përpara syve,
Kalon një pulëbardhë…
Përse dhe unë s’të putha,
Përse?...qoftë dhe një herë?
Pulëbardha po kalon,
Të gjejë tjetër pranverë...
Ish- gjysmë errësirë,
E një tjetër bote, qetësi,
Oh, bluzën si s’e zhvesha?
Veç shpirti im e di...
Në zemër më përvëlonin,
Dy buzët si mëndafsh,
Tek mërmërinin : “Shpirt..",
më puth me tëndin afsh!"
Më shihje si sheh nënën,
Foshnja me përgjërim,
Buzët te qafa derdhnin,
Kaq lule – papushim..
Gjer të vdes s’i harroj,
Oh, vështrimet e tij,
Përulur para meje,
Ai, shenjti im.
Ashtu si Jezu Krishti,
Shihte nënën e tij,
Me ata sytë e zinj,
Ai shihte gjinjtë e mi.
Këmbë njeriu nuk kishte,
Dhe ishte gjysmë terr,
Pse heshtën këto fjalë,
Dashuri humbur në erë...
“Qëndro edhe për pak”,
Është thënë miliarda herë,
Por ngjan apo nuk ngjan,
Pranvera me pranverë?
Tani …iku pulëbardha,
Në qiellin e paanë,
Distanca nga dritarja,
Me dete e oqeanë..
Me krahë pulëbardhash hëna,
E vështroj si e marrë,
Muzgu si fëmijë i humbur,
Ja …iku duke qarë...
Muzgu i atij çasti,
Shkoi e s’kthehet më,
Veç rrahje zemre kish,
Asnjë tjetër zë.
O det …ujra të njelmëta,
Për jete na keni ndare?
O ujra blu pa fund,
Veç hënën keni far'....
“Na pret të dy,
Na pret të dy,
Një gur,
Një kryq,
Mbi varr”



Kostaq Duka - SYTË E DASHURISË












Kostaq Duka


SYTË E DASHURISË

Shiko në sytë e mi
(akoma nuk kanë zënë perde)
irisin e kam në ngjyrën jeshil,
në qiellin e vrenjtur të bebëzës
(kur shpirti breron shi)
shkreptijnë rrufetë,
kur jam i qetë
asgjë nuk zbulon
si në të bardhën fletë
ku mendimi ende mungon,
(s' janë shpallur as gëzimet
as urrejtjet),
mos shiko në syt' e mi kur fle
se më tremb ëndrrën,
prit kapakët e mi t' i ngre
të shohësh aty fytyrën tënde,
të shohësh dy syt' e tu
në dy liqenza mali
veshur me mjegull malli.


Agim Gashi - A MË DËGJON OR BIR…















Agim Gashi

A MË DËGJON OR BIR…
 (Bisedë me Ninel Gashin)

Ndoshta ta prisha gjumin e qetë or bir i babës
Ti njësh me dheun e t’parëve je ba
Ma mirë si t’vrau dora e shkjaut
Se babën tënd dora e vetë shqiptarëve
Janë turrur copa copa
Për së gjalli me më nda….
Shpirtin prej rrashtash përdhunshëm
Duan t’ma shkulin….
Ç’farë urrejtje t’madhe mbi ne paskan pas….
Ti përkundesh n’djepin e dheut n’ëndrrat e përjetshme
E hija e vdekjes pa mëshirë ndeshej me mua
Deshte që pran teje t‘më kthente sa më parë
Telat e sharkisë u ndryshkën
M’ka marr malli të t’puth njëherë o bir
T’shoh si pëllumb i bardh n’hapsirë duke fluturuar.
Luten për ditë që babën tënd ta shohin të vdekur
Shkumëzojnë si hijenat me gjakun tim me u ngi
Por lëkurën time, qenëve duan me ia hedhur,
Se na të dy jetën ja falëm lirisë….
Portreti yt është kompozuar me tingujt sharkisë
N’mes çakejsh si i krisur po hedh valle
Edhe djallit ia merrka hija e tradhëtisë
Fli i qetë or bir
Se edhe gjysmë i vdekur me ta po përballem…


Wednesday, July 9, 2014

Vasil Tabaku - VETEM PUTHJA












Vasil Tabaku

VETEM PUTHJA

…dhe ishim vetëm
Unë dhe pema…
Nga larg
Dëgjoja
Flatrat e zogjve
Te rrëmbenin qiellin…
Bota
Kishte veshur
Dritën e pangjyre te Hënës
Papritur
Erdhi puthja
Me mori për dore
Drejt magjisë se dhimbjes…
Nga dita
E puthjes se pare
Dhe gjer tani
Digjem ngadalë
Mes zjarre buzësh
Dhe fjalësh te pathëna…
Nga te gjitha dhimbjet
Dhe nga gjithçka
Ne jetën time
Ka mbetur vetëm puthja…

Monday, June 30, 2014

Kostaq Duka - MBËSHTJELLË PREJ HESHTJES
















Kostaq Duka

MBËSHTJELLË PREJ HESHTJES
        -Triptik-

VETZHDUKJE E NGADALTË

Nëse
mbështjellë prej heshtjes
ngec diku,
këmbanave bjeruni miqtë e mij
mes jush të vij sërish.
Heshtja është gjumi i dëborës
Vetzhdukje e ngadaltë në harrim.

VËMENDJA

Nuk e lyp
e kërkon me ngulm vëmendjen fëmija.
Një çast ta  lesh në harresë
zë çirret me të qara e britma.
Nuk e lyp
E kërkon me ngulm vëmendjen pleqëria
edhe në kolltuk mbretëror nuk ndihet qetë
nëse zërat e të tjerëve 
nuk mbrijnë në qoshen e tij të shkretë.

BASHKËEC ME VETMINË

Herë, herë
bashkëec me vetminë,
në një  shteg pylli të blertë
buzë liqenit, detit , oqeanit dallgësertë.
Vetmia më jep lirinë të gjykoj veten
për t’u bërë më i mirë
i paduruar për t’u rikthyer mes njerëzve te tjerë.