Vullnet Mato
ZANA E BJESHKËVE
Kisha ëndërruar dikur,
në moshën rinore,
të bëhesha dhëndër
të bëhesha dhëndër
me një zanë bjeshke.
Dhe si ylber harkuar
mbi malet mjegullore,
kërkoja imazhin e saj
kërkoja imazhin e saj
në purpurime vjeshte.
Zbrita te mrizi,
me lentën e qiellit në duar,
të dalloja sytë e saj
me valëzim të kaltër.
Lisat e moçëm më thanë,
Lisat e moçëm më thanë,
zana e fundit qe martuar,
para pak kohëve,
me një princ të largët...
Atëherë psherëtiva,
sa më erdhi logu vërdallë:
Ah...fati im qenka shituar
nga zanat e bjeshkëve
dhe zemra ime e përgjëruar
për atë bukuri të rrallë,
s’ka për të provuar
dashuri tjetër gjer në vdekje!...
Po si do mund ta ngrysja
beqar të gjithë jetën,
pa gjetur bukurinë
e një zane të pamartuar?
A ndofta s’do të kishte
më kurrë një femër tjetër,
aq të magjishme
si ajo zanë e ëndërruar?...
Nga pikëllimi i thellë,
lëshova sytë e përlotur
në rrugën e lagjes së vjetër,
me gurishte asfalti.
Atë çast dora adoleshente
e një fqinje të vogël,
më fshiu lotët me ca gishta,
si fasha mëndafshi...
Kur vështrimi i turbullt
m’u kthjellua krejt te sytë,
ajo buzëqeshi ëmbëlsisht
dhe më puthi në faqe...
Po ku ishe, moj zanë e vogël,
me shpirt kaq të dëlirtë?
Mos vallë zbrite nga bjeshkët,
për mua në këtë lagje?!...
No comments:
Post a Comment