Wednesday, October 29, 2014

Vullnet Mato - Ç’MË THUA, Ç’MË THUA ?














Vullnet Mato

Ç’MË THUA, Ç’MË THUA ?

O, sa shpejt po më ikën dita tek ti!...
Dielli më fluturon si zog pendëverdhë...
Mbeta, i magjepsur me ty në dashuri,
si nën hijen e këndshme të fikut në verë.

Ke ulur për mua të gjitha degët e tua,
aq sa lash nën hije krejt kohën time ...
Bëj të iki nga ëmbëlsia e pemës që dua,
po asnjë nga gjymtyrët nuk më bindet.

Me thërresin shumë zëra diku tutje,
më thonë, eja, pra, eja se mbete prapa!...
Po ti më ke mbuluar me gjethe puthjesh
që s’më lëshojnë kurrsesi pa ikur vapa.

Më lësho, se dielli pendëverdhë u bë pendëblu,
ndriçojnë tashmë vetëm kokrrat e tua!...
Të rri akoma pranë teje, të mbetem këtu?...
Ç’më thua, moj pemë e dashur, ç’më thua?

Ç’më thotë fiku i çarë i buzëve të tua?...

Tuesday, July 29, 2014

Vullnet Mato - ZANA E BJESHKËVE















Vullnet Mato

ZANA E BJESHKËVE

Kisha ëndërruar dikur,
në moshën rinore,
të bëhesha dhëndër
me një zanë bjeshke.
Dhe si ylber harkuar
mbi malet mjegullore,
kërkoja imazhin e saj
në purpurime vjeshte.

Zbrita te mrizi,
me lentën e qiellit në duar,
të dalloja sytë e saj
me valëzim të kaltër.
Lisat e moçëm më thanë,
zana e fundit qe martuar,
para pak kohëve,
me një princ të largët...

Atëherë psherëtiva,
sa më erdhi logu vërdallë:
Ah...fati im qenka shituar
nga zanat e bjeshkëve
dhe zemra ime e përgjëruar
për atë bukuri të rrallë,
s’ka për të provuar
dashuri tjetër gjer në vdekje!...

Po si do mund ta ngrysja
beqar të gjithë jetën,
pa gjetur bukurinë
e një zane të pamartuar?
A ndofta s’do të kishte
më kurrë një femër tjetër,   
aq të magjishme
si ajo zanë e ëndërruar?...

Nga pikëllimi i thellë,
lëshova sytë e përlotur
në rrugën e lagjes së vjetër,
me gurishte asfalti.
Atë çast dora adoleshente
e një fqinje të vogël,
më fshiu lotët me ca gishta,
si fasha mëndafshi...

Kur vështrimi i turbullt
m’u kthjellua krejt te sytë,
ajo buzëqeshi ëmbëlsisht
dhe më puthi në faqe...
Po ku ishe, moj zanë e vogël,
me shpirt kaq të dëlirtë?
Mos vallë zbrite nga bjeshkët,
për mua në këtë lagje?!... 








Raimonda Moisiu - PULËBARDHA














Raimonda Moisiu

PULËBARDHA

Kap kokën me dy duar,
Këtë mëngjes të bardhë,
…Ndërsa përpara syve,
Kalon një pulëbardhë…
Përse dhe unë s’të putha,
Përse?...qoftë dhe një herë?
Pulëbardha po kalon,
Të gjejë tjetër pranverë...
Ish- gjysmë errësirë,
E një tjetër bote, qetësi,
Oh, bluzën si s’e zhvesha?
Veç shpirti im e di...
Në zemër më përvëlonin,
Dy buzët si mëndafsh,
Tek mërmërinin : “Shpirt..",
më puth me tëndin afsh!"
Më shihje si sheh nënën,
Foshnja me përgjërim,
Buzët te qafa derdhnin,
Kaq lule – papushim..
Gjer të vdes s’i harroj,
Oh, vështrimet e tij,
Përulur para meje,
Ai, shenjti im.
Ashtu si Jezu Krishti,
Shihte nënën e tij,
Me ata sytë e zinj,
Ai shihte gjinjtë e mi.
Këmbë njeriu nuk kishte,
Dhe ishte gjysmë terr,
Pse heshtën këto fjalë,
Dashuri humbur në erë...
“Qëndro edhe për pak”,
Është thënë miliarda herë,
Por ngjan apo nuk ngjan,
Pranvera me pranverë?
Tani …iku pulëbardha,
Në qiellin e paanë,
Distanca nga dritarja,
Me dete e oqeanë..
Me krahë pulëbardhash hëna,
E vështroj si e marrë,
Muzgu si fëmijë i humbur,
Ja …iku duke qarë...
Muzgu i atij çasti,
Shkoi e s’kthehet më,
Veç rrahje zemre kish,
Asnjë tjetër zë.
O det …ujra të njelmëta,
Për jete na keni ndare?
O ujra blu pa fund,
Veç hënën keni far'....
“Na pret të dy,
Na pret të dy,
Një gur,
Një kryq,
Mbi varr”



Kostaq Duka - SYTË E DASHURISË












Kostaq Duka


SYTË E DASHURISË

Shiko në sytë e mi
(akoma nuk kanë zënë perde)
irisin e kam në ngjyrën jeshil,
në qiellin e vrenjtur të bebëzës
(kur shpirti breron shi)
shkreptijnë rrufetë,
kur jam i qetë
asgjë nuk zbulon
si në të bardhën fletë
ku mendimi ende mungon,
(s' janë shpallur as gëzimet
as urrejtjet),
mos shiko në syt' e mi kur fle
se më tremb ëndrrën,
prit kapakët e mi t' i ngre
të shohësh aty fytyrën tënde,
të shohësh dy syt' e tu
në dy liqenza mali
veshur me mjegull malli.


Agim Gashi - A MË DËGJON OR BIR…















Agim Gashi

A MË DËGJON OR BIR…
 (Bisedë me Ninel Gashin)

Ndoshta ta prisha gjumin e qetë or bir i babës
Ti njësh me dheun e t’parëve je ba
Ma mirë si t’vrau dora e shkjaut
Se babën tënd dora e vetë shqiptarëve
Janë turrur copa copa
Për së gjalli me më nda….
Shpirtin prej rrashtash përdhunshëm
Duan t’ma shkulin….
Ç’farë urrejtje t’madhe mbi ne paskan pas….
Ti përkundesh n’djepin e dheut n’ëndrrat e përjetshme
E hija e vdekjes pa mëshirë ndeshej me mua
Deshte që pran teje t‘më kthente sa më parë
Telat e sharkisë u ndryshkën
M’ka marr malli të t’puth njëherë o bir
T’shoh si pëllumb i bardh n’hapsirë duke fluturuar.
Luten për ditë që babën tënd ta shohin të vdekur
Shkumëzojnë si hijenat me gjakun tim me u ngi
Por lëkurën time, qenëve duan me ia hedhur,
Se na të dy jetën ja falëm lirisë….
Portreti yt është kompozuar me tingujt sharkisë
N’mes çakejsh si i krisur po hedh valle
Edhe djallit ia merrka hija e tradhëtisë
Fli i qetë or bir
Se edhe gjysmë i vdekur me ta po përballem…


Wednesday, July 9, 2014

Vasil Tabaku - VETEM PUTHJA












Vasil Tabaku

VETEM PUTHJA

…dhe ishim vetëm
Unë dhe pema…
Nga larg
Dëgjoja
Flatrat e zogjve
Te rrëmbenin qiellin…
Bota
Kishte veshur
Dritën e pangjyre te Hënës
Papritur
Erdhi puthja
Me mori për dore
Drejt magjisë se dhimbjes…
Nga dita
E puthjes se pare
Dhe gjer tani
Digjem ngadalë
Mes zjarre buzësh
Dhe fjalësh te pathëna…
Nga te gjitha dhimbjet
Dhe nga gjithçka
Ne jetën time
Ka mbetur vetëm puthja…

Monday, June 30, 2014

Kostaq Duka - MBËSHTJELLË PREJ HESHTJES
















Kostaq Duka

MBËSHTJELLË PREJ HESHTJES
        -Triptik-

VETZHDUKJE E NGADALTË

Nëse
mbështjellë prej heshtjes
ngec diku,
këmbanave bjeruni miqtë e mij
mes jush të vij sërish.
Heshtja është gjumi i dëborës
Vetzhdukje e ngadaltë në harrim.

VËMENDJA

Nuk e lyp
e kërkon me ngulm vëmendjen fëmija.
Një çast ta  lesh në harresë
zë çirret me të qara e britma.
Nuk e lyp
E kërkon me ngulm vëmendjen pleqëria
edhe në kolltuk mbretëror nuk ndihet qetë
nëse zërat e të tjerëve 
nuk mbrijnë në qoshen e tij të shkretë.

BASHKËEC ME VETMINË

Herë, herë
bashkëec me vetminë,
në një  shteg pylli të blertë
buzë liqenit, detit , oqeanit dallgësertë.
Vetmia më jep lirinë të gjykoj veten
për t’u bërë më i mirë
i paduruar për t’u rikthyer mes njerëzve te tjerë.










Sunday, June 29, 2014

Vullnet Mato - MBRËMË NË GJUMIN E MESNATËS













Vullnet Mato

MBRËMË NË GJUMIN E MESNATËS

Mbrëmë në gjumin tim, u përplasën retë
dhe unë gjithë natën u ktheva në vetëtimë.
Tërë qiejt rrotulloheshin
sipër meje përpjetë,
teksa me shpatën e zjarrtë, i çaja
mespërmes me flakërimë.

Ç’ke, or bir, që vetëtin atje lart?
më thërriste nga parajsa,
nëna ime flokëbardhë.
Me kë je zemëruar aq rëndë, or vëlla i madh?  
pyesnin tre vëllezërit,
ikur nga jeta vite më parë.

Pse nxore nga milli shpatën e fjetur në mur?
më qortoi motra
që shkoi në eden, pas nënës,
ne nuk jemi në sofër,
aq sa ishim dikur,
që e ndave në shtatë thela pjeprin e hënës?

Pse, or babë, u zemërove me qiellin e zotit,
klithën me lot shiu,
djemtë dhe vajza e vetme,
duke u munduar të më zbutnin
me ca fjalë kotsëkoti,
teksa shkallët e jehonave, tundnin nënvete.

Me cilin po zihesh aq egër,
ti që s’je grindur kurrë?...
bubullinte gruaja e mahnitur me nervat e mia.
Mbaje zemërimin,
dhe zbrit nga qielli, more burrë !
se zgjove mëhallën në këtë orë që flenë fëmija!...

Nuk zbres, jo dhe jo!...
gjëmoja nga lart me vringëllima,
do t’u pres fijet hyjnore të shpirtit,
gjithë të liqve dhe hajdutëve shqiptarë,
do t’i bëj të tërë pluhur e hi, me vetëtima,
që s’na lënë të ngjitemi dhe ne,
te begatia e qytetërimit ndërkombëtar!...

Zbrit, or jahu, zbrit, se ti je vetëm një,
tani kur gjithë burrëria tjetër flë!...
Nuk zbres, jo dhe jo,
sonte do t’ia bëj fora!...
Por, ah... dielli mëngjesit,

ma rrëmbeu vetëtimën nga dora!...

Fatmir Terziu - PRANËMENDËSH















Fatmir Terziu

PRANËMENDËSH

Pa ty nuk besoj se kanë hapësirë edhe sekondat,
trupi yt është imazh në strukturën time,
sytë janë diell,
buzët meridianë të puthitur,
hunda një mal në shpërthim vullkanik,
veshët tangente të ngulura në thellësi,
duart gdhendin sipërfaqen e butë,
këmbët shkelmojnë kohën memece,
e gjithë është furrë,
pa bujë në ndërgjegjen time. Je larg
vetëm disa sekonda, je prapë
në strukturën time,
e mishtë, e prekshme, e ndjeshme, e ajërt,
nën saçin që prodhuam të dy,
kur na grabitën sekondat atë ditë,
dhe s’i ndalëm dot më të kullosnin sytë.
Ti hyre thellë në ashtin tim,
e unë të mësova të recitojmë përmendësh,
gjithë natën deri në agim,
një poezi që është recituar hershëm,
e s’ka si të jetë ndryshe tani,
ti gdhin e ngrysesh me shpirt pranëmendësh. 


Sunday, June 22, 2014

Kostaq Duka - Mall












Kostaq Duka


Mall

Më ka zënë malli
për ata që më kanë dashur
dhe për ata që më kanë urryer.

Të parët
më dhanë hapësirë të jetoj me dinjitet.
Të dytët
më mësuan të luftoj, të fitoj identitet….

Më ka zënë malli
për të mençur e të marrë,
për bulevarde dhe rrugica,
për të vërteta që s’u thanë,
për thashethemet që pushtuan gazetat.

Më ka zënë malli
të gris këpucë në xhiron e mbrëmjes,
të marr thellë frymë,
i panginjur në aroma blirësh.
Të shkëmbej vështrime me titullarë të fryrë
dhe të papunë
që të tërheqin zvarrë,
për të pirë uiski dhe birrë.

Më ka zënë malli
për një kitarë të ngjirur
diku në fund rrugicash,
për një dehje romantike
pas një promovim libri.

Agim Bacelli - (S')LUTEM...













Agim Bacelli

(S')LUTEM... 
  
Kam ftohtë edhe në mes të zjarrit, 
Më bëhet gjarpër lëkura ime, 
Në piskun e vapës i hyj acarit 
Por s'ankohem hiç asnjë thërrime. 

Të më ngrohë s' i lutem diellit, 
Pyllit s'i lutem të më freskojë, 
Të më mbulojë s'i lutem qiellit, 
Veçse kë dua, lus të më dojë!