Sunday, June 9, 2013

Vjollca Tiku Pasku - MELODITË E JETËS















Vjollca Tiku Pasku

MELODITË E JETËS

Nga shpendët thith ndjesinë,
e të qenit e lirë në fluturim,
në flokët e kohës rend në udhëtim,
të heq molat gërryese, të ngjit lartësinë.

Nga pemët e larta pi fortësinë,
të jem e lidhur rrënjë e degë,
ulërimat e egra të stuhisë në jetë,
t’i përballoj me mburojën e diturisë.

Nga pacientet, gjethe vjeshte,
kalit e urtuar durimin e qetë,
se vuajtja e ligë me ngjyrë të zbehtë,
do kaloj e dielli do ndrijë si faqe pjeshke.

Nga mbretëresha e gjelbërimit,
ruajta farëza pranvere të stivosura,
që në ditë të errëta të ngurosura,
të kem regëtimën e sytheve të besimit.

Kombi i luleve është ëmbëlsi e vërtetë,
lëkurë xixash, shkreptima të praruara,
sepse petalet s’veshin maska të ngujuara..
si tek njeriu, ku bukuria është fytyra e vet.
Tek të gjitha bashkë dëgjoj meloditë e jetës...

Saturday, June 8, 2013

Sokrat Habilaj - TË LUTEM MOS SHKRUAJ VARGJE DASHURIE PËR MUA!













Sokrat Habilaj

TË LUTEM MOS SHKRUAJ 
VARGJE DASHURIE PËR MUA!


Se mund të mendosh që kur bien netët,
Më këndon si fllad, apo thjesht si hënë.
Pastaj, hutaq si të gjithë poetët,
Buzën time e lë krejt të pa ngrënë.

Se mund të mendosh që ti nëpër rreshta,
Krijon edhe jetë, nën strehë reje.
Dhe harron pa dashje, gjëra të thjeshta,
Që bota krijohet veç brenda meje.

Se mund të mendosh që çdo pëshpërimë,
Ti nis e ma kthen në vargje me ngutje.
Dhe harron, i dehur, se asnjë rimë,
As gjithë vargjet s’vlejnë sa një puthje.

Se mund të mendosh që fjalë mrekullish,
Shkruhen në libra, a letër së paku.
Dhe harron se dua gërvishtje në mish,
Sikur pas çdo germe, të shpërthejë gjaku.

Se mund të mendosh që me yjet fletë,
Dhe s’kupton asgjë çfarë do një grua.
Që ta mësoj unë, ashtu si di vet,
Mos shkruaj të lutem vargje për mua!

Qazim Muska - MË LËR










 
 
Qazim Muska
MË LËR

Me gjasë nuk do takohemi më...
Si një fanepsje tretesh në muzg
Me flokët që era ti tund si lamtumirë
Dhe me vështrimin e tretur përfund horizontit
Në kërkim të një tjetër qielli ...
Gjurmë të hidhura do të lësh pas
Në livadhin tim ku ece aq magjepsëse.
Ky apokalips në formë gruaje
Dhimbje e durim prej skllavi
Do të më injektojë mes heshtjes që më mbyt...
Po ikën si një flesh drite;
E shkurtër dhe mrekullisht e bukur,
Por... më lër të vizatoj portretin tënd
Në muret e zemrës sime,
Aty ku koleksionoj
Thesaret që jeta ime i pat të pakta.
Të të pikturoj imtësitë e tua të ëmbla;
Buzëqeshjen prej ylberi
Endur cepave të buzëve si bisht bajameje,
Kaltërsinë e papërcaktuar të syve
Si ngjyra e detit në muzgun e mbrëmjes
Dhe flokët që mbi supe të vareshin
Si degëza shelgjesh të trishtë...
Dhe pastaj fytyrën tënde të brishtë
Kur tkurrej nga marrazi
Si të ishte ketër i uritur...
Më lër pra me heshtjen time
Si në një akuarel të vakumtë
Me penelat e vështrimeve të mi të hutuara
Të pikturoj ikjen tënde
Që koha të ndalet këtu
E unë të kundroj në çdo çast
I etur prej dashurie
Ndalesën e ikjes tëndë dëshpëruese...

Agim Xheka - NDALENI ATE PJANO










Agim Xheka
NDALENI ATE PJANO

Ca tinguj pjanoje me vijn nga larg
Me gudulisin me ritmin e pulsit tim
Si pllak gramafoni vertitet nje varg
Nje varg i vjeter refren per dashurin

"Se une te dua moj,te dua,te dua..."
Iso mbaj here me ze here me vershellim
Si mirazh shoh lodrimin i duarve te tua
Dhe rinin e larget kujtoj me permallim

Eh,moj mike.Ku vane vall'enderrat tona
Enderrat gatuar me puthje e perqafime
Te bukurat kujtime te neteve te vona
Te embelat fjale betime e premtime

Keto tinguj qe me vine sonte neper nat
Po ma lendojne keq shpirtin e trazuar
Me kujtojne renien nga qielli i shtate
Kur ishim aq te lumtur e te dashuruar.

Ndaleni ate pjano ne besoni pak ne zot
Po me duket sikur po luhet rekuemi im
Me lini te dergjem ne pleqerine e ftoht
Pa zhurme e pa buj, ne ikjen pa kthim.





Thursday, June 6, 2013

Kaman Myftaraj - KUR VJEN PRANVERA















Kaman Myftaraj

KUR VJEN PRANVERA

Kur vjen pranvera e kthehen zogjtë,
E natyra vesh kostumin e vetë jeshil,
Kur drurët zgjohen e shpërthejnë gonxhet,
Më dehet shpirti dhe ndjej ngazëllim.

Filloj të vrapoj tutje nëpër lëndina,
Një këngë nis me zë e fishkëllimë,
Është kënga që shpesh e këndonim,
Në ekskursionet tona e në vallëzim.

Kur çelin lulet shumëngjyrëshe plot aromë,
Dhe nisin qingjat të blegërijnë në livadhe ,
Kur vrullshëm nisin rrjedhin burimet,
Më djeg për ty në shpirt një zjarr plot malle.

Edhe kur vjen mbrëmja e perëndimit,
Merr ngjyrë të kuqe dhe ndrit një yll,
Më shpërthejnë ndjenjat e frymëzimit,
Dhe nis të shkruaj një këngë për ty.

Jo, jo nuk do shtrihem të fle gjumë sonte,
Do sodis nëpër qiell yjet e gjithësisë,
Do pres agimin e ndritshëm të kuqëlohet,
Të vish bashkë me diellin dhe rreze e tij.

Si bletë mbi lulet shumëngjyrëshe të shëtitësh,
Të thithësh prej tyre të gjithë ëmbëlsinë,
Mbi buzën time si flutur krahëshkruar të ulesh,
Të më shuash etjen, të më dhurosh kënaqësinë.

Julia Gjika - SHOH NJË LAJMËTAR NË DIELL, NË KËMBË!













Julia Gjika

SHOH NJË LAJMËTAR NË DIELL, NË KËMBË!
(Apokalipsi XIX, 17)




Në sa e sa shtëpi lavdërohet emri i tij
edhe i atyre që ecin me të.
Sa hapet dita, deri vonë kur mbyllet,
Kur çdo gjë e gjallë shkon në gjumë të thellë.
Ata si lehonat që ruajnë foshnjat, nuk flenë.

Në sa e sa shtëpi luten për ta, e në sa të tjera u hidhet balta.
Një tifozllëk i çmendur ndodh në atë vend.
Të ecësh në rrugë të reja, në bulevarde të gjëra e të gjata
dhe të mos kujtohesh se kush i shtroi?
Të quash rrugë vdekje autostradat?
Aksidentet kanë ndodhur  mbi glob,
duke ndenjur duarkryq ndodhin, do të ndodhin.
Garancitë janë përralla!
Të shpenzosh ditët për të lyer me furçë të zezë të mirën,
t’a mohosh atë,
kur ajo shkëlqen si diamanti në diell, në mes të ditës,
mosmirënjohje është, cmirë e mendjeve boshe,
T’i ngrehësh kurthe atij që kalëron në udhën e drejtë
Të mos  dëgjosh këngën  që këndon,
ai që është nga zemra e dheut,
ai që transplantoi zemrën e re për vendin.
Është njësoj si  të mos duash vehten.
Le ti bashkohemi këngës!
Atyre që ferrat dhe macet i gëricin në bark
Ata që dinë të numërojnë vetëm humbjet,
Po digjen në ujëra liqenesh të zjarrta zilish, pabesish,
Ata po vdesin, po humbin.

Në sa e sa shtëpi lavdërohen ata,
sepse mbajtën besën në udhën e sakrificave.
Tanimë dihet, nga i madh e i vogël ëndrra e tyre.
Ata s’kishin sekrete për atë vend që priste në agoni,
Ata i treguan të gjitha kur u nisën.
Ne i shohim gjurmët e shpresës, ecim në to.
Zogjtë e qiellit janë mbledhur për të  festuar.
Bashkë me ta fëmijët, bari më i njomë, i dendur.

Pranvera shpërtheu perfekte nën qiellin e hapur,
Vaditur nga ujra të pastra kristal të jetës.
Shohim një lajmëtar, në këmbë, në diell,
Si në një natë me re shohim yjet kur shfaqin shkëlqimin
ndriçojnë udhën  kalorësit dhe ushtrisë së tij
për të mos e ngatërruar udhën e dritës.

2 Qershor, 2013

Wednesday, June 5, 2013

Skënder Rusi - DO TË KEM IKUR














Skënder Rusi
DO TË KEM IKUR

Kur të shohësh se nuk do të ketë më
asnjë bli,
Përgjatë rrugës me hënë të fikur,
Kur të shohësh se nuk do të ketë më
asnjë gur,
Nëpër kalldrëmet ku dikur jemi rritur,

Kur të shohësh se nuk do të ketë më
asnjë oborr,
Me fëmijë që sapo kanë lindur,
Kur të shohësh se nuk do ketë më
asnjë kitarë,
Që të shpërndajë nëpër sokaqe
tinguj,

Kur të shohësh që nuk do të ketë më
asnjë dritare,
Që të rrijë e hapur duke pritur,
Kur të shohësh se nuk do ketë më
asnjë puthje të re
nga të gjitha puthjet që janë shpikur,

Dije,që, atëhere,
Unë do të kem ikur!

Tuesday, June 4, 2013

Raimonda Moisiu - ENDEM..














Raimonda Moisiu
  
ENDEM...

Endem nëpër qytet me këmbët e mpira,
nga lodhja. E di që
diku në një cep të këtij qyteti,
prehesh përjetë !
"Mëkatove" në dashuri,
Më tradhtove përherë të parë,
U martove me përjetësinë...

Ndër duart e mija - plot lule karafilash,
dhe një qiri....

Karafilat do t'i vadit me lotët e mi,qiriun
do e ndez me flakën e dashurisë tende,
Që nuk është shuar ende te unë!
".....mbi varrin tënd ku flenë:
Kujtimet më të ëmbla,
Të brishta, si ëndrra që zhgënjejnë,
Të mbetura si gjysmë hije,
Si mjegullat e vjeshtës,
Si të ftohtët e dimrit,
Si zbraztësitë e trishtimeve, nga
trupi im....

Lulet e oborrit tonë që aq shumë,
I kam dashur më parë, tani
i shikoj me indiferencë... Të mjerat
nuk ma dredhin më zemrën si
atëherë....

Me sy të kërkoj rrugëve të këtij qyteti,
Edhe pse e di ku fle ditë-natë...
A thua do të shoh një ditë??!
Me sytë e mij të lotuar, me
fytyrën time të zbehtë si mermeri, me
lotët si shiu që rrëshqasin, nga
sytë e mij, me
të qarat si të një fëmije,
të zënë në faj..!

E mbërthyer jam prej mëkatit, që
nuk të shoh më..!

Edhe sa kohë...sa kohë, do
që të kthehesh?? Apo
ti

pret
muuuaaa
me
një tufë
trëndafilash e një qiri......


Fatmir Terziu - RRUGICA E LOTIT















Fatmir Terziu

RRUGICA E LOTIT

Nuk më duhet pasaportë në pragun tënd. Hapat
e mi nuk duan viza në sokakun e kalldrëmtë
as biletën e shtrenjtë të udhës ajrore,
loti ka mbërritur më shpejt se unë
në ëndrrën tënde.
E mira nënoke,
kërkoj ndjesë që të prisha gjumin,
me trokthin e lotit tim hutaq,
më lësho një ledhatim fryme,
si atëherë kur më mbaje për dore
rrugicës së vjetër, të paqtë,
ku Kisha pozonte vetveten në qiell,
ku Konstandini digjej me abetare në diell...
Myzyrin e dëgjoj në përthyerjen e këngës
violina e tij mbars mijëra fyej
më sjell pranë refrenin që ngas
për të lehurat e qenit langua
që shurroi murrin e Kalasë,
veshur me kostumin e huaj...
E ndjej tiganin që digjet në vaj
petullat për lindjen e mbesës së vogël
e shoh që e ngre furkën pastaj
për të përzënë maçokun e komshijes,
kanatat përgjysmë ka të ngjarë
i shoh mes vetë plasaritjes
që mbeti mbi gëlqeren e tharë
nga vitet e ikjes.
Dhe muzgun e ndjej që sillet vërdallë
kumuriat që lagin akrepat e sahatit
plakat e mëhallës që nxitojnë shtizat
për të hedhur diçka në lakun e ditës
nga romuzet e shtrenjta të Selman Bizës.
Me krahët lëshuar zbret flladi i Krastës
trazon minifundet e xhiros së fundit
dita i uron mirëseardhjen natës
pishat dremitjen e shkundin,
është stina e vapës.
Maçoku i komshijes lëpin bishtin
poshtë Skampës ku hidhen kockat
minjtë e kanalit lëvizin lirshëm
vrapin e ndalin tek shatërvani
paguajnë faturën e ujit të pijshëm.
Pastaj ndalem pak mes sheshit
Gensher e ka, është emër i huaj
takoj Rrapin e Bezistanit, ia vë veshin,
shekujsh madhështor, hijerëndë
më shtrydh pastaj nga thellësia e gjethit
historinë e Mozaikut nën rrënjë.
Dhe i vërvitem edhe vetë gjumit
me thonj të gjatë e të mprehtë
nuk më mjafton as uji i Shkumbinit
që të laj këtë siklet, këtë dert...