Vullnet Mato
NË SYTË E MI, ENDET I PAPUNI...
Ai sytë i ka ndërruar
me dy liqene të tharë,
me kallamishte qerpikësh
gati për të lotuar...
Te nofullat ka vendosur
të çeliktën darë,
grahmat e urisë
në fyt për t’i penguar...
Në xhepa shtrëngon
dy breshkat e duarve,
me katër këmbët e kokën
të mbledhur grusht.
Trurin e ka të
pllakosur
nga udhëkryqi i
udhëve,
me katër
horizonte shprese
te emigrimi në
muzg...
Në tru i qëndron fiksuar
domosdoshmëria e ikjes,
se ka shumë pikëllime
fëmijësh të uritur aty brenda.
Ata me sy të zgurdulluar,
në shekullin e ikjeve kozmike,
shohin kulaç Hënën dhe Marsin
netëve nëpër ëndrra...
Heshtja e dëshpërimit të tij
është gjithë brenga ime,
që shkon tutje postblloqeve
që shkon tutje postblloqeve
me polici rrethuar...
Mund të isha krejt i qetë
madje i kredhur në gëzime,
sikur ai të shkonte te një yll,
sikur ai të shkonte te një yll,
larg Tokës për të punuar...