Sunday, November 3, 2013

Vullnet Mato - KËMBËSHPEJTI SHKRIM













Vullnet Mato

KËMBËSHPEJTI SHKRIM

E para ishte fjala,
por lindi e gjymtuar,
se mbeti pa këmbë,
për rrugëtim hapësinor.
Shkrimi i dha gjymtyrë
për të udhëtuar,
tokës dhe qiellit
t’i binte kryq e tërthor.

Fjala pa shkrimin,
do kish mbetur dialekt,
të mos kuptohej as
në pak kilometra larg,
do zgjaste njeriu zërin
nga bregu në breg,
duke klithur me britma
dhe oshëtima varg.

Shkrimi thirri fëmijët
rrugaç nëpër shkolla,
dhe ua mbushi trurin
plot dije e njohuri,
mendjet e trasha
i bëri fije peri të holla.
fjalës i dha më tepër
ndenjë e shkathësi.

Shkrimi hyri në salla,
u konservua në rafte,
mbushi cidi, gazeta,
ekranet plot ngjyra.
Atë që thotë shkrimi
me pak reshta në faqe
nuk e thotë dot fjala,
as me njëmijë fytyra.

Të mos kisha bërë shok
shkrimin që në vegjëli,
të mbillja shkronjat varg
në ara të bardha letre,
mund të isha në një mal
të vendlindjes me dhi,
duke prerë degë të njoma,
të ushqeja kecat me gjethe...   


No comments:

Post a Comment