Thursday, April 16, 2015

Vullnet Mato - TINGUJT E FRYMËS
















Vullnet Mato

TINGUJT E FRYMËS

Tingujt e frymës sime
lindën brigjeve jugore,
me klithma urie,
shkëmbinjve të kripur,
ku gjurmoi molusqe deti
mosha fëminore,
për të mbajtur gjallë
trupin e drobitur…

Braktisa nënën atëherë,
kur s’më ushqente dot,
se shtatë fëmijët
gjirin ia kishim shtrydhur,
e mbi gjoksin e asaj
pikonin vetëm lot
dhe djersët i kullonin
buzëve, pelin të hidhur.

Aty lash pa përfillur
dhe dëshirën e një kanarine,
që më zbrazte në vesh
cicërima vajzërore,
teksa shurdhëria ime
s’duronte melodi intime
kur zorrët këndonin
melodinë gjarpërore...

Aty lashë kujtesën e kaltër
për dallgëzimet joniane,
ku rrëshqisja si levrek
i elektrizuar në bisht.
Duke e fshehur
në leshterikët e asaj ane,
ta gjej sa herë shkoj
në Jug rastësisht...  

Tani shpirtin e kam
në dhjetëra copa thërrmuar,
nga  Akrokeraunet e buta,
në Alpet e thepisur...
Kudo kam lënë tingujt
e frymës sime të fosilizuar,
ku njihem si frymë-kalë,
i bindur për t’u djersitur...

Friday, April 10, 2015

Vullnet Mato - KUR FEMRA FAL ÇELËSIN E THESARIT














Vullnet Mato

KUR FEMRA FAL ÇELËSIN E THESARIT

Kur femra të do 
me gjithë shpirt,
jeta të bëhet
gjelbërim më fletë,
pranvera të bëhet
katër stinë në vit,
dimri të bëhet
korrik në dyshek.

Kur femra të ka
shpalosur zemrën,
gjaku në damarë
të vrapon porsi era,
truri drejton
mendimet e shtrembra,
goja të kullon
mjaltë luleshqerrash.

Kur femra të do
me shpirt të vërtetë,
nuk ka shkëmb
që të del përpara,
nuk ka largësi
në tokë, në qiell e det, 
nuk ka në botë
shtigje të pa çara.

Kur femra të shpalos
të gjithë dashurinë,
ke brenda mureve
të gjitha kushtet,
llojet e gatimeve
të tëra i ke në kuzhinë,
fëmijët të mbijnë
rretheqark si lulet.

Kur femra të ka dhuruar
trupin përjetë,
të fal çelësin e thesarit
ta çelësh me puthjet,
në shtëpi të ka 
kurorëzuar mbret
dhe zoti të ka plotësuar
të gjitha lutjet...

Skënder Rusi - PA DASHJE
















Skënder Rusi 

PA DASHJE

Pa dashje, kam plagosur një grua,
s'e dija që me deshi aq marrëzisht ,
ajo ish një yll nga qielli larguar
e zbritur në tokë, rastësisht .


Pa dashje, kam fyer një grua,
e putha në faqe në një natë pa drita ,
pastaj dhe në ballë një puthje të dytë
i shtypa pak hundçkën me gisht, edhe ika.


Pa dashje, kam vrarë një grua
(eh, gratë u vrakërkan aq shpejt !)
Ajo iku në qiell prej nga ish larguar
të vuante zhgënjimin e vet!


Thursday, April 9, 2015

Vullnet Mato - Ç’MË GJETI, O NJERËZ!...













Vullnet Mato




Ç’MË GJETI, O NJERËZ!...
(Për konkursin “Poezia erotike”)


Ç’më gjeti, o njerëz,
me një grua perri,
që erdhi e prushëruar
nga një trill qershori!
Në beqarinë time
ajo deshi të shkrijë
akujt e trashur
nga ngrica dhjetori!

S’isha gjendur kurrë
në përballje të tillë,
me një trup që dukej
paksa delikat.
Por kish fuqinë e brishtë
të sorkadhes në pyll,
që me figurën magjike
të bënte ndjenjat zap.

Perria më paralizoi
më rrezatim bukurie,
më shajniti vështrimin,
dhe më meku zërin.
Me lëkurën e saj
të magnetizuar nga yjet,
më zbuti gjymtyrët,
dhe më pushtoi të tërin.

Pastaj më goditi
me lëmshet e gjoksit,
më s’qulli muskujt
dhe zemrën çuditërisht,
më shembi beqarinë
me ato doreza boksi,
më hodhi nokdaun
të mundur përfundimisht.

Dhe do më kish lënë
përtokë të vdekur,
po të mos merrja
fuqi si Anteu përsëri,
pasi më rrëzonte me sy,
më ngrinte me vetull.
Oh, ç’më gjeti, o njerëz,
me atë grua perri!...

Kostaq Duka - SHENJËZA E KUQE



Kostaq Duka

SHENJËZA E KUQE

Një mirëmëngjes të thatë,
si për një kalimtar të zakonshëm
e rrokëzova nëpër buzë.
Të zënë e mëritur për ndarje
ç’mund të të thosha më shumë?!

Por…duke mos të parë në sy,
syri mbeti tek ngjyra e kuqe e këpucëve të tua,
u zvarrit ngultas
nëpër trupin tënd tek bluza e zezë e vijëzuar në të kuqe,
u ngjit aty tek cipa e buzës
e përshkënditur nga i kuqi i ndezur.

Nuk di sa u përskuqa në fytyrë,
Nuk di ç’stuhi
Përmbysi, theu e ngriti dallgë brenda shpirtit tim.

Me dhjetëra herë,
Në çaste dashurie kisha përsëritur si refren:
“Në më do çdo ditë vendos një shenjëzë të kuqe,
qoftë në këpucë,në bluzë,në buzë
a diku mes flokëve të tu të verdhë.”