Tuesday, September 17, 2013
Vullnet Mato - GJUHA E TRUPIT
Vullnet Mato
GJUHA E TRUPIT
(Nga cikli: Erosi i ndjenjave)
Shumëkush fillon nga përgatitjet
paraprake seriozisht,
t’i drejtohet dashurisë
me fjalë e fraza sa më pikante
dhe qëmton me kujdes
fjalorin e zgjedhur posaçërisht,
për çastet kur do të shprehë
ndjesitë e veta delikate.
Pa menduar se natyra
ka vënë në trupin e çdo njeriu,
një gjuhë më me efekt,
se përpjekja të ëmbëlsojë tonet.
Vetëm me gjestet
që shprehin gjymtyrët vetvetiu,
rizgjohen shumë herë
më të fuqishme emocionet.
Provo, derisa syri i saj të përgjigjet
me vështrim prej miku ! ...
Nëse i lë ninëzat e tua të notojnë
nëpër ujërat e syrit,
ajo pulit qepallat me një
psherëtimë të lehtë qerpiku,
për të treguar se për ty
ka hapur të dy kanatat e shpirtit.
Nga nënqeshja e ëmbël,
me rrudhëzat në cepat e buzës,
kuptohet se ajo të ka fiksuar
në ndjenjat e saj sekrete.
Atëherë je i mirëpritur ta ndalësh,
diku në një cep të udhës,
se më së fundi ke arritur
ta bësh zemrën e saj për vete.
Prapë, s’ke pse lodhesh
me thurje hartimesh poetike,
sepse buza e saj me një dridhje,
të fton vet për puthje.
Madje vetulla e ngritur,
habitet me tonet e tua patetike,
kurse vetulla e ulur, të qorton,
nëse vepron me ngutje.
Kur i gufon gjoksi, sikur dy pëllumba
do i fluturojnë nga trupi,
mund t’i qetësosh urtë e butë
me ledhatime të ëmbla.
Atëherë, asaj i ka ikur
si një rojtar i përzënë, turpi
dhe me brohoritje të zjarrta
fillon t’i flasë vetëm zemra.
O zot, o zot, të më fliste përsëri,
me ato gjymtyrët e veta,
një bukuri nazike, pa pasur
për zërin tim asnjë nevojë
dhe me gjestet memece,
që ua kalojnë fjalëve të tepërta,
të më mundësonte si dikur,
pushtimin e heshtur fare pa gojë!...
Vjollca Tiku Pasku - DITA DHE NATA
Vjollca Tiku Pasku
DITA DHE NATA
Qepallat e agut përpëliten.
Shpirti i bardhë i ditës shpupuritet.Ritet e përshkëndijave të diellit vetëtijnë.
Vesa e petaleve pihet nga buza e hollë e rrezes.
Parfumi natyror përhapet si unazë ajore në hapsirë.
Lulet derdhin pjalmin e sonetit që thith bleta.
Në kraharorët e gjelbër pyjorë , zogjtë luajnë megafonin muzikor.
Fyelli I erës ruan meloditë e tyre, në kafaze kaltërsish.Jehona mes malesh përcjell murmurimën e përrenjve .
Tegeli ujor derdhet në grykë lumenjsh si flokë nimfash.
Buzët e burimit si një fryt hënor ruajnë paqen e ftohtë.Dita luan me djepet boshë të reve te bardha.
Muzgu bie si qyp i mbushur e thyhet në heshtje.
Me lëndën e errët, shtronë vigun e hapave të natës.
Nata darkon me kokrra yjesh.
Thërrimet e saj përkundin vegime ëndrrash në shpirtrat njërëzorë.
Bebezat e syve ngjyhen me misterin e fshehtë të fatit.Ninulla xixëllonjash,këndojnë dritëz,në zemra lulesh.
Karuseli i kohës rrotullohet vazhdimisht.
Kokrriza ore bien në brigjeve të sahatit të pandalshëm.
Lëvizja është jetë, që dliret pa pushim nga bërthama e kohës
Zabit Sulo - ZOGU I DETIT
ZOGU I DETIT
Kish ca zogj gjyshja ime
atje tek dajat në Çiflik të Ri.
Bashkë me ne fëmijët
vraponin edhe zogjtë,
dhe gëzoheshin porsi fëmi.
Duke u sjellë nëpër oborr,
së bashku me zogjtë e detit,
pa dashur një zog i gjorë,
nën këmbën time i vdekur mbeti...
Oh, sa shumë më dhëmbi zemra,
dhe pse në atë kohë isha fëmi !...
Por kisha dhe frikë se s’kisha aty nënën,
pranë saj ta fshihja zogun në gji.
Atë ditë për fatin tim,
pashë se gjyshja tjetër hyri në avlli,
dhe pas saj vinte nëna, o, çmrekulli!...
Gjyshja prej nënës më shihte vëngër,
për zogun i kish rënë mbi vete qielli i zi.
Gjyshja prej babës e vështron ashpër:
Turp, moj krushkë, merresh me një çilimi!...
Dhe shkuam për drekë te daja i madh,
me sofrën mbushur plot e përplot,
Gjyshja prej nene nga ana tjetër,
hante dhe shtrëngonte nofullat fort.
Krushkat u ndanë pasdite afër darkës,
gjyshja prej nëne deshi të më mbante.
Unë shtrëngoja gjyshen prej babës,
-Jo nuk rri ajo kërkon të më rrahë!....
Dhe zura e qava, si fëmijë që isha...
Nëna që më rrinte pranë, më mori në krahë.
Morëm rrugën në këmbë për në Karbunarë,
por deri vonë në mesnatë, nga keqardhja
unë për zogun e detit, plasa duke qarë...
Kish ca zogj gjyshja ime
atje tek dajat në Çiflik të Ri.
Bashkë me ne fëmijët
vraponin edhe zogjtë,
dhe gëzoheshin porsi fëmi.
Duke u sjellë nëpër oborr,
së bashku me zogjtë e detit,
pa dashur një zog i gjorë,
nën këmbën time i vdekur mbeti...
Oh, sa shumë më dhëmbi zemra,
dhe pse në atë kohë isha fëmi !...
Por kisha dhe frikë se s’kisha aty nënën,
pranë saj ta fshihja zogun në gji.
Atë ditë për fatin tim,
pashë se gjyshja tjetër hyri në avlli,
dhe pas saj vinte nëna, o, çmrekulli!...
Gjyshja prej nënës më shihte vëngër,
për zogun i kish rënë mbi vete qielli i zi.
Gjyshja prej babës e vështron ashpër:
Turp, moj krushkë, merresh me një çilimi!...
Dhe shkuam për drekë te daja i madh,
me sofrën mbushur plot e përplot,
Gjyshja prej nene nga ana tjetër,
hante dhe shtrëngonte nofullat fort.
Krushkat u ndanë pasdite afër darkës,
gjyshja prej nëne deshi të më mbante.
Unë shtrëngoja gjyshen prej babës,
-Jo nuk rri ajo kërkon të më rrahë!....
Dhe zura e qava, si fëmijë që isha...
Nëna që më rrinte pranë, më mori në krahë.
Morëm rrugën në këmbë për në Karbunarë,
por deri vonë në mesnatë, nga keqardhja
unë për zogun e detit, plasa duke qarë...
Ymer Nurka - FLLAD
Ymer Nurka
FLLAD
Farfurin kjo gusha, fërfërin fustani,
Tek fërgëllon shpirti, më flladitet xhani,
Lloje-lloje perlat, nuk blihet gjerdani,
Ti mban xhevahire, mua më ndjek nami...
Për zjarret që ndeze, mua më del tym,
Zjej e zjej përbrenda, sikur të jem gjym,
Unë të lyp, si vesa, ti tretesh, si brymë,
Më shket nëpër gishta, si të ishe frymë...
S’di ç’të bëj i ziu, thuamë ç’të bëj unë!
Të rrjedh, si burimi, a të shfryj si lumë?!
Të të mbys të tërën, në dallgë e në shkumbë,
Të të marr me vete, kam frikë se të humb...
Nëse më del bregut, do të vë në gjumë,
Ndër tinguj ninullash, xhane do të tund,
Në pritje të zgjohesh , do të fryj furtunë,
Gjersa ti të çohesh, do të pres në gjunjë…
Farfurin kjo gusha, fërfërin fustani,
Tek fërgëllon shpirti, më flladitet xhani,
Lloje-lloje perlat, nuk blihet gjerdani,
Ti mban xhevahire, mua më ndjek nami...
Për zjarret që ndeze, mua më del tym,
Zjej e zjej përbrenda, sikur të jem gjym,
Unë të lyp, si vesa, ti tretesh, si brymë,
Më shket nëpër gishta, si të ishe frymë...
S’di ç’të bëj i ziu, thuamë ç’të bëj unë!
Të rrjedh, si burimi, a të shfryj si lumë?!
Të të mbys të tërën, në dallgë e në shkumbë,
Të të marr me vete, kam frikë se të humb...
Nëse më del bregut, do të vë në gjumë,
Ndër tinguj ninullash, xhane do të tund,
Në pritje të zgjohesh , do të fryj furtunë,
Gjersa ti të çohesh, do të pres në gjunjë…
Sunday, September 15, 2013
Vullnet Mato - TË PRES TË VISH PËRSËRI !
Vullnet Mato
TË PRES TË VISH PËRSËRI !
( Improvizuar për të vetmuarin Nako )
Eja e dashur, të pres
të vish nga largësitë e tua!
Se pa ty, s’kam pasur
asnjë stinë ngazëllimi tjetër...
Stina e defrimeve verore
ke qenë vetëm ti për mua,
këtë, besoj, e ke kuptuar,
që nga ikja jote e vjetër...
Mos kujto se do bëj ndonjë
orgji të madhe për ty,
ato i kemi harxhuar kur vije
me këmishën e bardhë si krilla,
atëherë kur dielli im lindte
mes gjunjëve të tu në agim,
dhe perëndonte pasi feksnin
dritat e muzgut në shtylla.
Gjatë asaj kohe unë
bëhesha për ty një burim,
ku thithje me shumë etje
nektarin e djalërisë së ëmbël.
Dhe trupi yt i magnetizuar
në tërheqjen me tërbim,
më paralizonte tërësisht,
nga koka deri te këmbët.
Eja, tani s’kam ndërmend
të rikthej kohën e rinisë!
Me dashuri ne kemi çmendur
trupat në çdo shije stili.
Dua vetem të shoh nurin
që të dha mosha e pjekurisë,
të çmallem me zërin tënd
që ia kalon çdo kënge bilbili.
Eja, mos u druaj aspak,
se do kthehesh sërish,
në folenë, ku gjatë viteve
të fundit je strukur,
me shpirtin të ripërtërirë,
nga çmallja e nostalgjisë,
më e mirë nga ç’ke qenë
dhe më e bukur!...
Diamanta Zalta - JE ATY KU...
Diamanta Zalta
JE ATY KU...
Ti je aty ,
Ku fryma ime meket ,
E një bulzë djerse formohet mbi ballë .
Dridhem nga frika ,
E s’i besoj natës fallxhore ,
Që si hije të sjell pranë .
Je aty ,
Ku davaritet një mendim ,
Në një mosbesim . . .
E këtë nuk mundem të ta shpreh ,
Sepse nuk dua , kurrësesi
Të ndihesh keq .
Lëkura e duarve që I deshe aq shumë.
E fytyrës dhe trupit ,
Çdo ditë rrudhen ,
Ligështimi me zverdh .
Je aty ,
Ku bie gjethja ,
Mbi asfaltin e lagur nga shiu ,
Dhe e shkel një këmbë .
O Zot , sa më dhëmb... ajo shkelje ,
Sa dhëmb .
Nganjëherë...ndodh të jesh aty ,
Ku më josh vdekja ,
I them - Je më e bukur se Jeta .
Sepse je e qetë e pa brenga .
I dashur....je aty ,
Ku s’’jam unë ,
E kjo...më ngatërron shumë .
Nuk mjafton ti them erës ,
Me krahët pështillmë
Edhe puthmë...
Ajo e bën ,
Por pas pak më lëshon ,
Në humnerë, në hon ,
Unë bëhem jehonë...
Se di a më dëgjon . . .
Jam frymë kamomili ,
Mbi Jon .
Se kam idenë si është të vendos ,
A të vendosësh pa më pyetur ,
Të të kem e të më kesh .
Te iki , a te ikësh .
Dallga ,
Po kërkon të më sjellë në breg .
Të më shplodhë nga gjithë ky rebesh .
Rreshkem...rreshkem si eshkë .
Friday, September 13, 2013
Fatbardha M. Xhani - KUR MËSOVA TË HUMBAS...
Fatbardha M.
Xhani
KUR MËSOVA TË HUMBAS...
Isha fije e hollë bari
ankthin e ndarjes nga të dashurit e mi përjetoja
dhe era mi merrte mendimet për vdekjen...
Isha një gonxhe me vesë
kur dashuria më lagu një ditë pranvere me shi
u drodha si kërcell trëndafili, tek e lashë të shkonte
se herët mu duk...
Isha çelur e plot mendim e plot aromë
kur zgjodha mes kopshtit
pemën me frute plot...
Ëndërrova pemët e tjera
por shkova pa u menduar gjatë, me shportën plot
(dy kokrra mjaltë të ëmbla i mjaftojnë shpirtit)...
Stinësh gëzueshëm
herë degë, herë lule, herë gjethe
herë frut, mësova natyrës ti qesh,ti hesht,ti flas...
Por, ajo që më së shumti mu ngulit
është që si pema gjethet, ditët dhe fatet e mia,
mësova paqësisht ti humbas..
Isha fije e hollë bari
ankthin e ndarjes nga të dashurit e mi përjetoja
dhe era mi merrte mendimet për vdekjen...
Isha një gonxhe me vesë
kur dashuria më lagu një ditë pranvere me shi
u drodha si kërcell trëndafili, tek e lashë të shkonte
se herët mu duk...
Isha çelur e plot mendim e plot aromë
kur zgjodha mes kopshtit
pemën me frute plot...
Ëndërrova pemët e tjera
por shkova pa u menduar gjatë, me shportën plot
(dy kokrra mjaltë të ëmbla i mjaftojnë shpirtit)...
Stinësh gëzueshëm
herë degë, herë lule, herë gjethe
herë frut, mësova natyrës ti qesh,ti hesht,ti flas...
Por, ajo që më së shumti mu ngulit
është që si pema gjethet, ditët dhe fatet e mia,
mësova paqësisht ti humbas..
Subscribe to:
Posts (Atom)





