Saturday, November 16, 2013

Sergio Hizma - KU PO SHKON TI, O NJERI













Sergio Hizma

KU PO SHKON TI, O NJERI

O Zot pse na ndodh kështu,
Na dhe sy dhe nuk shikojmë,
Na dhe mendje nuk mendojmë,
Na dhe vesh dhe nuk dëgjojmë,
Na dhe zemër s’dashurojmë,
Na dhe këmbë edhe nuk ecim,
Na dhe duar nuk punojmë;

Na dhe gjuhë dhe të gjithë llapim,
Na dhe thonj e njëri-tjetrin kapim,
Na dhe faqe, jemi pa cipë,
Fjalë bajat ,shaka pa kripë;

Na dhe mushkri dhe stomak,
Po nuk mbajmë asgjë në bark,
Na dhe limfë e na dhe gjak,
Po nuk skuqemi aspak,
Na dhe shpirt e na dhe xhan,
Po jemi të pa iman;

Na dhe trupin edhe kokën,
Po shikojmë vetëm flokët,
Na dhe mal me dashuri,
E shembim me tradhti;

Lutemi, po nuk besojmë,
Flasim shumë po nuk dëgjojmë,
Shkruajmë po nuk mendojmë,
Prishim dhe kur nuk fitojmë,
Dorëzohemi nuk luftojmë;

E duam të lehtë jetën,
Askush nuk thotë të vërtetën,
Shikon ngado dhe për ditë,
Arrogant dhe hipokritë,
Qe kujtojnë se nuk gabojnë,
Dhe kur gabojnë e mbulojnë;

Durimi shpresa dhe nderi,
çiltërsi dhe karakteri,
Ka shumë që kanë marrë fund,
Turpi s’ekziston askund...
Ku po shkon ti o njeri
Zoti pastë mëshirë për ty

Sunday, November 3, 2013

Vullnet Mato - KËMBËSHPEJTI SHKRIM













Vullnet Mato

KËMBËSHPEJTI SHKRIM

E para ishte fjala,
por lindi e gjymtuar,
se mbeti pa këmbë,
për rrugëtim hapësinor.
Shkrimi i dha gjymtyrë
për të udhëtuar,
tokës dhe qiellit
t’i binte kryq e tërthor.

Fjala pa shkrimin,
do kish mbetur dialekt,
të mos kuptohej as
në pak kilometra larg,
do zgjaste njeriu zërin
nga bregu në breg,
duke klithur me britma
dhe oshëtima varg.

Shkrimi thirri fëmijët
rrugaç nëpër shkolla,
dhe ua mbushi trurin
plot dije e njohuri,
mendjet e trasha
i bëri fije peri të holla.
fjalës i dha më tepër
ndenjë e shkathësi.

Shkrimi hyri në salla,
u konservua në rafte,
mbushi cidi, gazeta,
ekranet plot ngjyra.
Atë që thotë shkrimi
me pak reshta në faqe
nuk e thotë dot fjala,
as me njëmijë fytyra.

Të mos kisha bërë shok
shkrimin që në vegjëli,
të mbillja shkronjat varg
në ara të bardha letre,
mund të isha në një mal
të vendlindjes me dhi,
duke prerë degë të njoma,
të ushqeja kecat me gjethe...   


Saturday, November 2, 2013

Adriana Istrefi - DY POEZI















Adriana Istrefi

SKLLAV -E-I  PENËS

Kam, kam një veshje lakuriq dreqosur
Nuk di seç grimë hedh mbi dukurinë
Lotancë e syrit, martir sekletosur
Luaj limfën në trupe pandjerë
Sërish ne heroinën e skllavërisë ndjesore
Dorëzohem nga pulpe egërsisht
Në pirograme malinje shtrihen mesore
Mesore te trukeve që fundrrokje përpijnë !
S'di të kem pasuri, pasuri e imja është pena
S'di të kem njëmijë ngjyra,
kur bojë penake mjelton pështyma
S'di të bëj monedhë,
ku ndryshku i shpirosur quhet mjelma
S'di më seç lëpirje krenarie u bën fleta !
Shpirtdiell norlimë e skeletit pangrirë
Eshkë bëhet, kur pena shtrin tentakulë njomake
Ndaj lutjet, prolog, ushtarë të nxirë
U derdh ne gjinjtë flakë mitolo-korbiate
Ndër penë rrakëllyera një ndjenjë
Merr frymë, rishtas pulson për pak..
E thahem, zvogelohem ndaj putrave
Që harlisen ndër gjymtyrë që nuk kam !
Penës bojë u vij rrotull si ndonjë mizë flutarake
Asgjësimi determinon nëpër dhëmbë
Shkruaj për timen e tënden botë mastike
E tendë rrahje bëhem... gjuhën shtjerr një paranojë !

KËRPUDHË QENKA NJËRIU

Laramane pa ngjyra në kontë të fjalës qëndroj
E bluaj, bluaj gjymtyrë në makineri fanatike
Gjak, lëkurë, djersë të djerrta treten
Në sfurkun e fryrë nga kokrrizë meli...
Gratë shkopinjtë u hanë drejt- qendrës trupore
Vendosin burracakë t'u mbajnë peshën,
Peshën e kockës së kurrizores shtyllë !
Disa hanë dhëmbët, falangjet e indet,
kur erë epshorësh mbajnë frymë të keqe
Gëlltiten... gjak, lekurë e djersët e djerrta
Në tablotë e pikturave kockë-dreq ...
Ndërsa shtatanikët zgjedhin
kush jargë u mbulon grykët
Që te bëhen lodra e preferuar
Të skiljeve që kërpudha kokëulura janë
Janë dhe me hundë të ndyta..
Sa frikë... shiko ne errësirë ç'formë trazire !
U bëre, u bëre... paqtë një viktimë..
E ndrydhjes shtatanike kërpudhë plakë,
kur nuk harron zakonet e pllaqurimës,
Pllaqurimës thirrore në tezgë..
Ndaj shpinëdryera nga erë e qelbët prodhon djersë.

Fatmir Terziu - TRIREMËS POETIKE

















Fatmir Terziu

TRIREMËS POETIKE

Tani edhe plepi i fundit u zhvesh. Stërkalat
me guralecët tullacë kanë nisur flirtin,
gjithçka është e dremitur,
bash si gremisja e stërkalave,
kur fabrikojnë timbrin,
tulatur poshtë grahmave të tokës,
që të joshin dimrin.

Gaja, i bën thirrjen e saj dheut,
e dëgjon vajin e kohës,
muzikë e çuditshme e panjohur,
edhe për vetë Eretheun.

Kronosi ndërmori detyrën,
Uranin e la të gjymtuar,
dhe pika e gjakut që ra prej tij mbi tokë,
u bë fara e Erinies dhe Gjigantes,
që miti i hershëm të mësynte edhe sot,
huazoi kalin dhe gomarin prej zotit Servantes.

Për ata që s’e lexojnë vajin e dheut,
as timbrin e rotacionit të stinës në breg,
është shtysë jete, një pufkë e Sanços,
lëvizje, dashuri, urrejtje dhe vdekje,
nën ritmin e lirikave të Safos,
stërkalat që e ndjejnë i paralizon,
e dëgjojnë vajin e detit,
e sall trishtimi qarkullon
nëpër damarët e ngrira të poetit.

Aroma e mendjes sime nderet mbi një fije bari,
skaj trëndafilit të përtharë në Lëkurës,
mbi epitafe të shkulura malli,
përthyhen rreze të çuditshme të Tetorit ngucës,
një mjellmë tek kthehet nga laguna e lagur,
glason mbi fijen e barit.
Aty e kuptova mes vetes tinëz,
edhe mjelma e kuptoi rotacionin e stinës.

Ymer Nurka - ÇUPË E VELI BEUT















Ymer Nurka
 
ÇUPË E VELI BEUT

“Në mes të Përmetit, një zambak i bardhë,
Çup’ e Veli Beut me nishan në ballë...”
Populli


Çupë kaq të bukur, nuk kish parë vendi,
Më rridhje prej soji, ardhur prej mademi.
Ndaj një trim me fletë, levend, bir levendi.
Venitej nga malli, tretej nga veremi.

Bijë e vogël ishe, thesar i babait...
Shtat’ a tetë sylina, çesmat e sarait,
Më freskoje gjinjtë, të ndezur prej Majit,
Të dehur prej moshës, të drojtur prej “fajit”.

Ballin porsi Hëna, si ylli nishanin.
Ti më ishe perla, që lidhje gjerdanin,
Me rrezet e shtatit, më ndrije karvanin,
Era nëpër male, tutje të çoj namin.

Mushkat me revan, kali yt me trokë,
Si s’këputej beli, sa dy çepirokë,
Tisi yt i purpurt, s’ peshohej me okë,
Për gushën guguçe, për të zestë flokë...

Ah, po te bandilli, vajzë kur të shpunë!
Tre dit’ e tre netë, s’fjeti syri gjumë:
Ti më ishe shtrati, ai derdhej lumë.
Ai ishte Dielli, ti ndrije më shumë.