Saturday, July 6, 2013

Edmond Shallvari - SHTËPIA E POEZISË














Edmond Shallvari

SHTËPIA E POEZISË

Dhe një shpellë është banesë
E ndërtuar pa projekte
Një kasolle nënë peme
Me ca degë e ca gjethe.

Dhe një shtroje pa çati
Një çati pa asnjë shtroje
Për dikë dhe një kuti
Si shtëpi e bërë prej gjoje.

Aah, ç’po ndodh me poezinë
Të gjithë bëhen arkitektë
E ndërtojnë si shtëpinë
Qoftë vilë apo shpellë.

Dhe kujtojnë, s’po e them
Po e them çfarë nuk kuptojnë
Mund të bësh skica përjet’
Por për shpirtin nuk mjaftojnë.

Poezia s’njeh projekte
As për shpella, as për vila
Ajo është shtëpi më vete
Ku banon vetë Perëndia.

Ka një portë pa trokitje
Mjafton pak t’i japësh frymë
Kur është frymë Perëndie
Eshtë një zë që të thot’, “ Hyrë!”









Friday, July 5, 2013

Makfire Cenolli - GËZUAR AMERIKË !

















Makfire Cenolli

GËZUAR AMERIKË !

Shumë urime për ty,
atdheu im i dytë!
Gëzuar ditëlindjen,
e dashur Amerikë!

Je delli e hëna 
që gjithmonë shëndrit,
për shqiptaret ishe e je
me i shtrenjti mik!

Kur armiqët tanë donin 
t'na zhduknin nga kjo botë,
ti i hape krahët e na more 
në gjirin tënd të ngrohtë.

I hape dyert e t'ua
me shumë mirësi,
shqiptaret i pranove 
sikur t'i kishe fëmi!

Ishe e vetmja shpresë jona
për shpëtim nga genocidi,
ishe engjëlli ynë mbrojtës
që e kërkonte shpirti!

Të jemi mirënjohës
që na e solle lirinë,
për ty e jap jetën
si për atdheun tim!

Urime ditëlindjen,
ti tokë e bekuar!
Shqiptarët njëzëri
të thonë:
Amerikë, Gëzuar!

Thursday, July 4, 2013

Vjollca Tiku Pasku - MOTIVE











Vjollca Tiku Pasku

MOTIVE

Një lule mban mjaltin në barkun e bletës.
Një gjethe mban diellin në damarët e jetës.
Ngjyrat e trëndafilave mbajnë fjalët sekrete të rëna në tokë.
Një violinë mban rapsodinë e zogjve që qeshin e qajnë.
Një vals syqeshur mban fragmente të shpirtrave që e vallëzuan.
Zambakët e agimit mbajnë zgjimet njerëzore.
Dallëndyshet mbajnë zërin e pranverës.
Lulet mbajnë frymën e engjëjve.
Deti mban ngjyrën e syve të qiellit.
Koralet mbajnë kujtimet  minerare të  shpirtit.
Ylberi mban pajtimin e qiellit e tokës pas stuhisë.
Yjet mbajnë flakën e të dashuruarve.
Një vështrim  mban një central drite në sytë e dashuruar.
Lumturia mban një çast parfumin universal të dëshirës së shpirtit.
Ndjenja e dashurisë mban rininë e përjetshme të njomështisë  së shpirtit.











Fatmir Terziu - KUSURI





 
 
 
 
Fatmir  Terziu

KUSURI
 
Edhe arsyeja i ka kusuret e veta. Mareshtë
që ngul gjilpërat majë më majë,
shprehjet e rëndomta filiza të shtrembër,
matullë prej kopshtit të përtharë,
e rëndomta kjo gjuhë e vdekur,
jeton vetëm për të përçarë.

Dëshirat në shtizën materike,
u vërtiten fëmijërisht hamendësive,
mendja zbrazet si gotë alkooli,
një gdhënjkë e vetme jashtë mundësive,
shkatërron menjëherë dhe atë që solli,
forca e lavdishme e perëndive.

Marxhë e ngatë i qepet bariut,
si markama resh në qiellin e pastër,
kështu ndodh me fatin e njeriut,
kur nuk i hap vetë sytë katër,
joarsyeja është dhimbja, vraga,
që të mban në ‘jetë’ me hatër.

Nganjëherë arsyeja frikëson,
e kundërta dhemb dhe mbyt,
nuk dilet lehtë pa gjuhën e përbashkët,
nga bataku ku vetveten e fut,
një turrë e thatë digjet me një ashkël,
kujdes arsyen, mos u ngut!

Të menduarit vërtet lodh,
është identitet dhe frymëmarje,
njeriu shekujve vërtet u rrop,
por jetës i dha bukur fort qasje,
se kusuri ishte, është edhe sot,
gur në qafë dhe jo varse.

Sqarim fjalësh shqip:
Mareshtë: vend ku rriten luleshtrydhet, 
apo edhe një vend me dendësi shkuresh.
Matullë: një tufë me zarzavate.
Materike: gurë i përzgjedhur.
Marxhë: një dele e dobët tufe.
Markama: peshqir i madh
(Për më shumë shih fjalorin shqip-anglisht të Oxfordit)





Vullnet Mato - FATKEQËSIA E VESHËVE PA KAPAK













Vullnet Mato

FATKEQËSIA E VESHËVE PA KAPAK

Veshët ndjehen organi
më fatkeq i trupit të njeriut
dhe shpesh mallkojnë
qenien e tyre thuajse pa fat,
që s’janë njësoj si goja,
si sytë e mbrojtur vetiu,
krijuar nga zanafilla
për t’u mbyllur me kapak.

Megjithëse, veshët
kanë shansin e parë organik,
të kapin fjalët më të ëmbla
kushtuar dashurisë,
t’ia çojnë sinjalet trurit,
që urdhëron receptorët erotik,
të magjepsen ndjenjat  
me emocionet e lumturisë. 

Kur ai, ose ajo thotë:
O shpirti im, sa fort të dua!
veshët bëhen si fije peri,
në përgjim të pëshpërimës
ta shpien te zemra
me gjëmim të shumëfishuar,
siç bëjnë veshët e maleve
me jehonën e oshtimës.

Sidomos kur dashuria
rënkon me ofshama kënaqësie,
veshët dehen në ekstazën
e frymëmarrjes së rëndë, 
njësoj sikur thithin me ëndje
notat e një melodie,
me valë drithëruese
nga më e këndshmja këngë...

Pastaj, teksa buçasin
dy zanoret e para të foshnjës,
kur pas nëntë muajve natë,
agon nga barku i nënës,
veshët tendosen si dy krahët
e zgjatur të shqiponjës,
që presin një top drite
rënë nga vezullimi i hënës.

Por fatkeqësinë e vërtetë
të qenies së tyre pa kapak,
veshët e ndjejnë, kur
gojëfëlliquri lëshon breshëri,
fjalorin e tij vulgar
me banalitet shëmtarak,
dhe ata nuk mbyllen dot
automatikisht kurrsesi.

Ashtu siç janë të detyruar
të lejojnë dialogun e sherrit,
të depërtojë përmes tyre,
nga fillimi, në çastin e fundit,
kur njëri ikën i dëshpëruar,
tjetri stepet prej tmerrit,
apo nga krisma përmbyllëse
e gjakderdhjes së plumbit...

Në këto raste, sytë ulin qepenat
të mbyllet pamja përqark.
Goja kyç dyert të mos dalin   
fjalët e rrezikshme kuturu.
Ah, sikur të kishin
dhe veshët të tillë kapakë,
të shmangte njeriu i gjorë
hyrjen e provokimit fatal në tru!...

Monday, July 1, 2013

Shpëtim Kurti - PA LAMTUMIRE...

















Shpëtim Kurti



       PA LAMTUMIRE...

            

      Ty , 

             Mbase te  duket  e  çuditshme ,

             Qe  akoma,  përsëri ,

             Vargje  shkruaj  e  shkruaj  për  Ty ,

             Por  unë  e  di ,

             Qe  ndoshta  i  pari  ,  isha  unë  ,

             Qe  ta njohu   atë  rrëzëllim  drite  në  sy... 



             Ty ,

             Mbase  në  turbullirë  mendimi ,

             Dashuria  ime ,

             Ndoshta  t ' u  duk  pak...

             Por  unë  e  di

             Qe  ishe  e  mbetesh  plagë  e  hapur

             Qe në zemër, pikon e do pikoje ngahera , gjak...



             Ty ,

             Mbase  të  duket ,

             Se  tani, s ' jam  me  ai  si  dikur  më  parë...

             Por  unë  e  di ,

             Se  lot ,

             Do  m ' pikojnë  në  heshtje ,

             Sa  here ,  larg  Teje ,  malli  të  më  marrë...



             Ty ,

             Mbase  te  duket ,

             Se  shpërtheve  e  shpëtove nga  " vargonjtë "

             Por  unë   s ' te  them  kurrë : Lamtumirë...

             Veç  ta  dish  për  Ty ,

             Ngaherë  do  jem  fole ,

             Sa  here  kur  si  zog ,  dimrash  të   kesh  ngrirë ... !