Monday, February 10, 2014

Ymer Nurka - FLLAD













Ymer Nurka

FLLAD

Farfurin kjo gusha, fërfërin fustani,
Tek fërgëllon shpirti, më flladitet xhani,
Lloje-lloje perlat, nuk blihet gjerdani,
Ti mban xhevahire, mua më ndjek nami...

Për zjarret që ndeze, mua më del tym,
Zjej e zjej përbrenda, sikur të jem gjym,
Unë të lyp, si vesa, ti tretesh, si brymë,
Më shket nëpër gishta, si të ishe frymë...

S’di ç’të bëj i ziu, thuamë ç’të bëj unë!
Të rrjedh, si burimi, a të shfryj si lumë?!
Të të mbys të tërën, në dallgë e në shkumë,
Të të marr me vete, kam frikë se të humb...

Nëse më del bregut, do të vë në gjumë,
Ndër tinguj ninullash, xhane do të tund,
Në pritje të zgjohesh , do të fryj furtunë,
Gjersa ti të çohesh, do të pres në gjunjë…

Fatmir Terziu - STILIM














Fatmir Terziu

STILIM

Begonjëza dremit
nën kuvertën e zhubrosur të qiellit,
trupi art i veshur nga vjeshta,
fillikatet mes lajkave të erës,
hapat ti ndjeva përlagur,
ndiqnin një ketrush që u shfaq tinës,
ishte gjumi im, apo stilimi i stinës?
Begonja vazhdon të shtrojë sofrabezin,
qindra sythka frymëzojnë piktorin,
yjet drita mbi Tamiz ndezin,
dhe nata nis e shuan mbi Londër motorin,
në fund të rrugicës shfaqen dhelprat ngadalë,
dhe qentë nisin korrin.
Mbi xhama frymëmarrja merr valë,
qorron flashtës feneri i rrugës,
begonjëza vishet e zhvishet ngadalë,
konkurrente në këtë modë të stinës,
bukuria e saj e radhë.
Mes meje dhe begonjëzës,
zvarritet si gjithnjë kali i heshtjes,
thinjat gjuajnë hutuar mes dritës,
gjahun inatçor të mendjes,
dhe nata na përfle si mëditës,
me melhemin e puthjes.

Laun Xhuli - PËR JU DHE PËR VETEN















Laun Xhuli

PËR JU DHE PËR VETEN

Dua ta kreh bukurinë
me foljen time
dhe kryefjalën ta vendos
në mesin e vetes...
S’kam ç’kërkoj më shumë
në këtë pasdite jete që ka mbetur:
Orët po më vjedhin kohën pa përtypur
dhe këpucët pa lidhëse,
se arrijnë dot shtrëngimin e vrapit !
Më gërryen kjo mole poetike,
paçka se e ushqej me letra prej ëndrre,
Lapsin me gomë të ngrënë nga këputja
se detyroj të fshijë mëkate për tjetrin...!
Dua ta jetoj me krehrin e vetes ,
Le te jem për pak çaste
berber i paqenë...!

Thursday, February 6, 2014

Vullnet Mato - MOTËR, S’TË HARROJMË DOT!...














Vullnet Mato

MOTËR, S’TË HARROJMË DOT!...
                                    -Elegji -

Gjashtë vëllezër, ti e vetme dhe prapë
nuk të ndalëm dot,
tufani i vdekjes së tmerrshme, fryu atë vit 
si asnjë mot.
Ike të mos kthehesh kurrë, te shtëpia jote e ngrohtë,
mes vëllezërve le shkretimin, me re të zeza në horizont...
Motër s’të harrojmë dot!...

Mbi njëzet nipër e mbesa, t’u lutën me duart në kokë:
“Mos na ler, hallë e dashur, tani që na ke shoqe e shokë!...”
Ti i doje si bij të tu dhe të donin si zogjtë nënën klloçkë,
kur të mbushej shtëpia plot, të këndonte zemra në gjoks.
Motër s’të harrojmë dot!...

Ngrite velat pa na lajmëruar, sikur 
të thirri i madhi zot,
zgjodhe lundrën e arkivolit dhe u nise 
në një det me lot,
ngarkove buzagazin tënd dhe ne 
na le trishtimin në port,
Ike mes tufanit të hidhur me dallgë dhimbjesh mbushur plot.
Motër s’të harrojmë dot!...

Ti ishe foleja e vëllazërisë, që na mblidhje kokë më kokë,
na sheshoje hallet familjare, pasi 
na mbushje nga një gotë,
se kishe amanetin e nënës, që iku 
nga pakujdesia e kotë, 
të na mbaje me njeri- tjetrin, 
të lidhur e shtrënguar fort...
Motër s’të harrojmë dot!...

Na le veç fotografinë, si Shënmëria 
ikonën e saj në botë,
le krishtin tënd, birin e vetëm,  
që nga zoti e doje më fort,
mbërthyer në kryqin e vetmisë, 
të gozhduar këmbë e kokë,
le vëllezërit kokëulur, si apostuj 
të çoroditur për jetë e mot...
Motër s’të harrojmë dot!...