Monday, September 5, 2011

Vullnet Mato - MOS MA VRISNI YLLIN NË SHPIRT



Vullnet Mato

MOS MA VRISNI YLLIN NË SHPIRT

Ju, mësues, që thoni se selektoni nxënës,
për shkollën e klasën e përparuar në mësim,
teksa zgjidhni ryshfetin e babait apo nënës,
dijeni se për mua bëni më të madhin gabim!

Ju, tregtarë, që shtrenjtoni në vjeshtë çantat,
duke ngritur çmimin për të fituar pa vend,
nga fëmijët e gjorë që numërojnë qindarkat,
dijeni se për mua bëni gabimin më të rëndë!

Ju, botues, që tekstet pa dalë i keni zhdukur,
të shiten nën dorë te tregu i pamoralshëm,
duke ua shpërndarë matrapazëve pa skrupull,
dijeni se për mua bëni gabimin e pafalshëm!

Sepse është krim të kërkoni pagesë të shtrenjtë
nga nipi vogëlush që kam te zemra më afër.    
Mos ma vrisni në shpirt, yllin tim fatkeq,  
ta ndjej qysh i vogël se ka lindur i varfër!...

No comments:

Post a Comment