Vullnet Mato
NJERËZIT E EGËR
Njerëzit e egër
s’ishin të egër si modernët e
sotëm.
Bukuroshet epshndjellëse
pas shfrimit nuk i vrisnin.
Rivalit egërshan
s’ia hiqnin nga trupi kokën.
Dhe nuk përdhunonin
vogëlushët e egër të fisit.
Nuk u vinin zjarr shpellave
dhe kasolleve të tjetrit.
Grave u linin punët e lehta
përqark lëkurëve.
Nuk i linin pa fruta
dhe pa mish gjahu të vjetrit.
Nënat nuk i hidhnin
fëmijët e gjirit shkurreve.
Femrat e reja linin
ç’kishin
në sytë e
lakuriqësisë,
por nuk i tërbonin
meshkujt
me kureshtje formale,
me dy gisht reçipeta
te sumbullat mbi sisë
dhe me një rrip të hollë
mbi foletë gjenitale.
Njerëzit e egër
nuk shkatërronin
sendet e bashkësisë,
për të pohuar tek i pari
besnikërinë e verbër.
U faleshin kafshëve
vizatuar mbi shkëmbinj,
por s’linin figurën e prijësit
në çdo perimetër.
Kishin në tru botëkuptimin
primitiv të një turme.
Por nuk lakmonin
shumë shpella me dritë.
Nuk laheshin e lyheshin,
me erëra parfumesh.
trupin e linin si kafshët pis,
por binin era njeri në shpirt.