Monday, December 9, 2013

Luan Xhuli - DIMËR NË DEVOLL















Luan Xhuli

DIMËR NË DEVOLL

Grindet soba me drutë e njoma
dhe fasulet me aromë  pasurojnë dhomën,
pastërmaja që akoma thahet përmbi  qyngje
ka bërë  kontratë  lëngëzimi  me gojën…
Oxhaku  tymon duke sharrë  jugën
dhe Morava e zhveshur  kollitet  e  ftohur,
kam kohë , që lumin se kam  përshëndetur
dhe korentin e Grykës se kam të pa njohur …
Kam ardhur të  lehtësoj shpirtin
rrugica e varrezave e di që me prêt,
bëhesh i vogël në token e lindjes
dhe lotin e mallit  asnjë  çmim se tret..
Mbi  mermerin   brymëzuar   pëllëmbët  e  mia
do më sjellin  nënën dhe frymën e saj,
do  te  shpij  shpirtin, e ngrire nga ikja
dhe lotët e dhimbjes, si fshin dot babaj…
Grindet soba me  drutë e lagur
dhe unë shaj veten që s’erdha  më parë,
Devolli  më pret me ngrohtësinë e prindërit
që s’pyet për kohë dhe që nuk njeh rradhë… !

Fatmir Terziu - STATUJA APO STATURA?















Fatmir Terziu

STATUJA APO STATURA?

Çfarë janë mermeret e Koloseut
këllqe, ikona apo statuja?
Më kthyen nga një vizatim të lodhur
merimangat kishin ikur tutje
mes lakadredhave të kërmijve
mbetur nga vapa të ngordhur
poshtë një trungu kurrizdalë pishe
formohej rituali i ndotur.

Mortalis Immortalis
Mbi krahët e një rryme të tejdukshme
Dhe të nderë, të shkërmoqur deri në zallishte
Këmbët mbi pluhur. Është një përrua
transparent ku notojnë gjysmat e statujave
me veshë e pa veshë
përpos kalldrëmit të shpuar nga trokthet
kuajt janë vetëm legjendë.

Shegët e egra kanë çelur. Gjysëmlule
të hutuara nga vapa që avullon mbi gurë
mbirë nga rrënoja e një forme
bimë gërmallash postmoderne
ardhur me fate të pashkruara
në kahun e një kthese
një vazo guri
si vend i hirëzimit të tyre.

Në hyrje qëndrojnë rrojet me pagesë
që numërojnë turistët me biletë
në një shesh të zbrazur nga betejat.
Përreth duke u ngjitur
syri zhvesh lakuriqësinë e çifteve
që tradhëtojnë kalimin e vet
dhe lë pas vetes veç puthjeve mes gurëve
edhe frikën e largët që ende vret...



Vullnet Mato - VËLLEZËRIT QË KRIJUAN TOKËN














Vullnet Mato

VËLLEZËRIT QË KRIJUAN TOKËN

Zbulohet një mesazh
në pllakat metalik,
shkruar para miliarda
shekujve të dritës,
lënë nga alienët në Hënë,
mes pluhurit kozmik,
shkencëtarët deshifruan
tekstin mahnitës:

Planetin Tokë,
me hidro-oksigjen mbuluar,
e krijuan dy vëllezër
të palindur nga nënë.
Ati Diell i nxori
me shpërthim të valuar,
nga bolet e bërthamës
në magmën e rëndë.

Ata dolën në sipërfaqen
rreth e rrotull,  
dhe pasi qëndruan
sipër flakëve jashtë,
goditë me çekiçë
pertuberance të ftohur,
një shpuz të madh
prej shkëmbi të zjarrtë.

Shkëputën një thëngjill
gjigant në atë vatër,
dhe e hodhën larg
përvëlimeve diellore,
që motra, e quajtur
prej tyre Akota e Kaltër,
të lindte njerëz të mençur
në hapësirën qiellore.

Pastaj ata u krodhën
në lëngun e zjarrtë,
dhe u shkrinë të dy
nga vlimi përvëlimtar,
mos të shihnin motrën
që nisi të nxirrte nën bark,
budallenj të shumtë,
me pasion shkatërrimtar...

Vangjush Ziko - YLBERI I MANDELËS














Vangjush Ziko

YLBERI I MANDELËS

The world learned
how to live together
as a rainbow of colors.
Teresinka Periera

Ai lindi nën qiellin me re
të Afrikës.
Të zeza ishin retë
dhe fati i saj i zi.
Nga luanët mori
krenaren grifë
Nga gazelat,
butësinë që di të bëhet fli.
Retë me dorën e tij me kallo
i mblodhi
(siç mblidhnin skllavet
pambukun e vjelur)
thesin e zi
mbi kurriz e hodhi
dhe ia vuri përpara botës
për ta djegur.

Dhe ndodhi çudia e kontinenteve
tymi i zi u bë ylber,
Ylberi shumëngjyrësh
i racave të njerëzve.