Sunday, October 6, 2013

Kaman Myftaraj - PRITJA E GJATË















Kaman Myftaraj

PRITJA E GJATË

Sonte gjithë gëzim, i dashur, ty të prisja,
Të më vije si pëllumb i bardhë e të flisnim gjatë...
Më the do të vij sa të erret, ndaj portën nuk e mbylla,
Gjumin e largova tutje me fëshfërimën e gjethes së thatë.

Sa shumë fjalë zemre kisha për të të thënë,
E ti të zbrazje mbi trupin tim llavë të zjarrtë puthjesh,
Pastaj të dehur nga vera të këndonim një këngë,
Serenatën më të bukur mbi buzën flakë të kuqe.

Të prita, të prita gjatë, derisa u shuan yjet,
Që lotuan gjithë natën mbi zambakët e bardhë,
Pëshpërisnin gjethet prej erës e psherëtinin pyjet,
As ata nuk e duronin dot këtë pritje kaq gjatë.

Dremita një moment dhe ti më erdhe në ëndërr,
Më the mos më prit sonte, se do flas me Zotin
Nesër në mbrëmje pritmë, se me të do të vij si engjëll,
Nuse me vello të më puthësh sytë e të më thash lotin.

Boll më pe e të pashë e përmallur përnatë në ëndërr,
Boll rënkova në shtrat me engjëllin që më vinte pranë,
Tani dua të të kem përjetësisht të më shijosh buzën e ëmbël,
Të qeshim e të lozim lojën “E kam unë, e ke ti” në shtrat.

Fatmir Terziu - SHPIRAGU

















Fatmir Terziu

SHPIRAGU

Shpiragu dremit i skalitur,
në syrin e kështjellës së Goricës,
mediton gjerë e gjatë për dashurinë,
për ikjen e shpejtë të stinës,
zogjtë që kthejnë rutinë,
cicërrimat e shukatura të ditës.

Tomori dhe Osumi e ndjekin me sy
nga koka tek këmbët poshtë,
habiten dhe luten enkas të dy,
na mbeti, Shpiragu ‘qeros’.

Shpiragu i qetë, nurëndritur,
në krenarinë e tij të artë,
rrëfen pak fjalë duke soditur,
ca pika nderi në hartë.

Vërtet miq, ashtu është vërtet
kokëzbuluar mbeta, ju lashë në hall,
por unë çdo gjë për ju kam tret,
nga trupi im të shtrydh naftë.

Pastaj, të gjithë si miq të lashtë,
u ulën bashkë për të biseduar,
gëzimin e naftës ia çuan dynjasë,
erdhën me gotat plot për të uruar,
Pishnaja lindore e Kalasë,
Sheshi i dosave mbi lagjen Goricë.
Qafë-Dardha u turr e para me vrap,
rendën Kapinova dhe Mali i Bardhë
stanet e Ferros këmbëkryq mbi Shpirag.

Vullnet Mato - TË JESH NJERI...














Vullnet Mato

TË JESH NJERI...

Sot mund të ngjitesh në lartësi
deri te qeveria.
Mund të bëhesh deputet,
kryeministër, president.
Mund të vendosësh në bankë
miliarda nga pasuria.
Mund të jesh bos mbi bosët
në çdo shtet e kontinent.

Femra mund të bëhet këngëtare
me shkëlqim zëri ndër yje,
balerinë, fotomodele revistash 
dhe ekranesh në çdo skaj.
Mund të bëhet miss bota
me kurorë vezullimesh mbi krye,
mund të zbulojë një minierë ari
brenda trupit të saj...

Sot mund të jetosh e të shkelësh
nëpër disa kufij shtetesh.
Mund të marrësh çdo titull,
apo emër e mbiemër të ri.
Sot mund të sigurosh disa
diploma universitetesh.
Por është tepër e vështirë
të arrish të bëhesh tamam njeri…

Vjollca Tiku Pasku - NËNËS TIME












 Vjollca Tiku Pasku  

NËNËS TIME

Nëna ime, qiell dashurie,
që ende kapilarë të kaltër në qenien time.
Kordon i dashurisë, që na lidhi në embrion.
Mbështes kokën në prehrin tënd,
të pranverës së përjetshme.
Agu i përkëdheljes së dorës tënde,
më zgjon vesën e kujtimeve të shkuara.
Një topolake e vogël që hedh hapin e pare,
në sytë e tu vëzhgonjës ngjyer me horizontin e kujdesit.
Fjala e parë që pëshpërita,
si kundërmimi i fitilit të sapo ndezur.
Ninulla jote mbrëmjeve aromë e parfumit të gjumit,
që mbyllej në qerpikët e mi lozonjarë.
Drita e hënës së durimit të bënte shoqëri,
në netët e pagjumësisë,
kur sëmundjet më vërshëllenin si uturim stuhie…
Nënë, shami rrezesh palosur në xhepin e zemrës.
Nënë oksigjeni i klorofilës,
në barin e ditëve të jetës fëmijnore..
Buzëqeshja jote kurora ylberike
në vellon e nusërisë time,
ndrinte ditën e madhe të dasmës, si bekim Perëndie.
Sytë e tu rrodhën si hëna e lagësht,
kur morëm udhën e gjatë të kurbetit.
Malli yt qiell e tokë, e loti yt formulë e një oqeani.
Zemra ime ishte gjithmonë në breg lundrimi,
të thaj valën e lotit tënd me rrezen e kthimit.

Dy njomëzakët e mi binjak përflaknin ditët e tua,
kur kthehesha në hojet e trëndafilta të shtëpisë atërore.
Llambat e gëzimit ndrisnin orë dhe çast,
e pëparësja jote fshihte yjet me gaz…

Nënë fjala jote është gjithmonë orientim,si tabela me shenjën e bardhë në udhëkryq.
Nënë je pishtar ndriçues nga dielli i përvojës,
ku ndriçon me këshilla, labirintet e errëta tëjetës.
Je oksigjen i frymëmarrjes së thellë,
në tymin e maktheve të ëndrrave.
Ëmbëlsia jote që rrjedh prej dashurisë tënde ,
është ëmbëlsia e mjaltit të milionave bletëve në tokë.
Nënë je dhuratë lumturie e Urtësisë së Krijimit mbi dhe.

Sonila Ramadani - KOHË..















Sonila Ramadani

KOHË..

Jepi kohe vetes te sherohen plaget...
jepi kohe detit ti qetesoj dallget...
jepi kohe endrres te realizohet...
jepi kohë shpirtit te dashurohet .

Jepi kohe nates te behet dite ..
Jepi kohe syrit lotin me zbrit.
jepi kohe fares qe ti ke mbjelle
Jepi kohe rrenjes te ngulet thell

Jepi kohe dimrit boren ta largoj
jepi kohe vetes kur ti dashuron
jepi kohe pranveres lule me çel
jepi kohe zemres pyte nje her

Jepi kohe mikut mos e nxito
jepi kohe fjales mos e pengo
jepi kohe bese te tregoj burrerinë
jepi kohë vetes te shprehesh dashurinë,

Jepi kohe nates yjet te ndriçojnë
jepi kohe shpirtit kur diçka kerkon
jepu kohe dallandysheve te vine n'fole
jepi kohe dhe vetes se njeri je!

Agim Bajrami - MALL IKJEJE
















Agim Bajrami

MALL IKJEJE
(Kushtuar vajzës sime, Rominës)

Ti ke ikur
Dhe mua ajri s′më mjafton
Në gjoksin tim gjysmë të fikur
Pa gjumë shpirti rri gjer vonë.

Vërtitem shtratit ballëdjersitur
Pafund më ngjajnë këto netë idiote
Mua gjith′ ikjet më janë dhimbsur
Por jo kaq shumë sa ikja jote.

Dhe pse na thua se jam mirë
Dhe flet e qesh në telefon
Unë diejt prapë i shoh të ngrirë
Gjersa ti bijëz na mungon.

Çdo ditë më shumë diçka më dhemb
Sikur më shpon me kthetra djalli
Në trupin tim pa ndjerë zë vend
Një republikë me emër “malli”.

Me male ankthi në çdo metër
Dhe re që mbjellin shpesh furtunë
Në të s′do shihni njeri tjetër
Banor i saj jam vetëm unë.

Ti ke ikur,
Çdo vajzë prej ikjesh është krijuar
Qirinjtë e qiellit ngjajnë të fikur
Dhe unë veç natë shtrëngoj në duar.