Tuesday, June 4, 2013

Drita Fejza - NËN PUTHJEN E DJALLIT












Drita Fejza

NËN PUTHJEN E DJALLIT

Pse ngjitesh buzëve të mia?...
me puthjen tënde përvëluese,
o djall i zi me këngë bilbilash?...
Pse pushton qenien time
qëndisur me mëndafsh petalesh,
të shkëputësh aromë trëndafilash
si stuhi që zbret prej malesh?...


Ëndrrat e mia të dëlira i lidha për ty,
si ajo reja e bardhë engjëllore,
që pret rrufenë e zjarrtë ta shkri,
me zjarrin qiellor ku digjet prore. 


Pse vallë nuk ngopet shpirti me pasion,
duke u shkrirë edhe në puthjen e djallit,
në pafajësi ndëshkueshëm për dashuri
duke kërkuar pafund heqjen e mallit...


Dalldisur në puthjet e tua djallëzore,
ku ti ngjesh brumin e mëkatit tim pa frikë
digjem mbi prushin ku shkrihen hojet,
ku dhe shtatë mrekullitë të përkulen vrik.


Por s’kam si ia bëj dot këtij halli,
dhe prapë lypë të gjej më shumë durim,
në magjinë e puthjes tënde prej djalli…

Edmond Shallvari - KOT FSHIHESH













Edmond Shallvari
  
KOT FSHIHESH

Kot fshihesh pas një reje
Pas pak do bjere shi
Dhe ti do vish drejt meje
Dhe do me lagesh, ti.

Kot fshihesh pas një zjarri
Pas pak do mbetet hi
Do vish si dite behari
Dhe do me ngrohesh, ti.

Kot fshihesh pas asgjësë
Asgjëja eshte vetmi
Për ty e shkruar eshte
Te duash ke do ti.

Rreth teje asnjë tjeter
Veç unë perkarshi.

Sunday, June 2, 2013

Vullnet Mato - LULEKAMBANAT E MUZGUT














Vullnet Mato

LULEKAMBANAT  E MUZGUT

Kur perëndimi i ditës
arriti në çastet e rënies,
ranë kambanat e qiellit
me tone të drithëruar.
Atëherë përkulën kryet
në ritualin e mbrëmjes,
dhe lulekambanat e muzgut,
me nderim të trishtuar.

Cili arkitekt projektoi
formën e tyre kambanore?
Cili piktor përzgjodhi
ngjyrën blu - violet? 
Cili metalurg shkriu
bronzin e cipës lulore,
të këndojnë zogjtë
halelujën e muzgut të qetë?...

Ndoshta të tre krijuesit
gjurmët i kishin në qiell,
apo ndoshta njëri
bëri të tria përsosmëritë,
për t’ua vënë përpara
gjithë muzgjeve dhe syve,
këto krijime natyre
mbi të tëra mrekullitë.

Janë çastet më solemne
që përsëriten dimër-verë,
kur horizontet bëjnë
nderimin e ditës që vdes,
lulekambanat e përcjellin
për të fundit herë,
për të pritur sërish
ditën e lindur çdo mëngjes.

Oh, në muzgun tim
nuk dua të jehojnë minaret,
as të bien kambanat 
deri tutje nëpër kisha,
por vetëm këto lulekambana
të çelin dritaret,
të shkoj nga kjo botë i lumturuar,
ashtu siç nuk isha!...  

Kostaq Duka - PRITJE














 Kostaq Duka

PRITJE

Ajo priste puthjen,
puthjen e dëshiruar
nga princi i ëndrrave që padurimin
po i’a kthente në një makth pa fund….
Dhe ja
tek gishtërinjtë i zhyste mes flokëve të saj të zinj
tha dy fjalë si të shprehte një të vërtetë që dinte vetëm ai:
Ti je e bukur, je shumë e bukur!
Kaq dhe ngriu sikur dylli të kish hyrë në rrembat e tij.
Oh po këtë unë e di,e di që jam e bukur!
Tha dhe iku e trembur
se mos dylli i ftohtësisë e kthente dhe atë në statujë të vetmisë.










Saturday, June 1, 2013

Kaman Myftaraj - NESËR…NESËR...















Kaman Myftaraj

NESËR…NESËR...

Gjithmonë më thua: nesër…nesër…nesër…
Por e nesërmja që pres, po vonohet si shumë!....
Mos kalendari yt ka një matës kohe prapa mbetës,
Më të vjetër se dita kur ty të njoha unë?...

Si në paradë kalojnë ditët e netët njëra pas tjetrës,
Herë me shkëlqimin e diellit dhe hënën magjike,
Herë furtunë, re të zeza, shkumëzim dallgët e detit,
Për të ardhur deri tek unë e nesërmja e magjishme.

Unë jam këtu, pikërisht këtu ku kam qenë përherë,
Ulur në stolin tonë të vjetër duke të pritur ty!
Mendimet më fluturojnë si zogj të etur nëpër erë,
Për të ardhur në oazin matanë detit ku jeton ti.

Një urë me arterie fillova të ndërtoj për të kaluar detin,
Duke shtruar mbi to ndjenjat ngrohta të shpirtit tim,
E flaka në dallgët e shkumëzuara atë kalendar të vjetrin
Të nesërmen magjike për të arritur shpejt, aty ku je ti !...