Saturday, February 2, 2013

Vullnet Mato - RRUGICA ME PORTA PULLAZI



















Eh, si m’u shkund sot zemra në gjoks,
kur kalova te rrugica me porta pullazi,
ku para shumë vitesh, të kohës paradoks,
prisja të dilte zogëza natën nga kafazi!...

Lagjia e heshtur bënte gjumin e lashtë,
teksa djalëria ime përgjonte me sytë xixa,
mos ndonjë qen, a pijanec i mbetur jashtë,
trembte zogëzën të dilte tinëz te rrugica... 
       
Kur çelte derën lehtas ajo pendëshkruar,
Hëna dhe yjet në qiell shuheshin tufa-tufa.
Filloja të ndizja me gishtërinj të përvëluar,
gjoksin e saj me dy kërpudha eshke të buta.

Pastaj të përpirë nga zjarri i flakëruar,
dyndeshim në këmbë me nxitim e ngutje...
O perëndi, ç’ishte ai kafshërim i tërbuar, 
sikur muri i portës duhej shtyrë më tutje?!...

Eh, sa fort ma shkundi zemrën në gjoks,
kujtimi i asaj zogëze me kërpudha marazi!...
Kur kalova padashur, krejt rastësisht sot,
te ajo rrugicë e ngushtë me porta pullazi...

Murat Gashi - KULLON GJAK KUJTIMI

















Murat Gashi

KULLON GJAK KUJTIMI

Brenda gjoksit kam një zjarr sa të djeg nj
ë pyll.
Kujtim i hidhët më erdhi nga kohë e vjetër
Ajo që doja unë dikur jeton me dikë tjetër
S’dua ta besoj, por tash nuk shndrit më ai yll.

Brenda shpirtit të saj kish një botë me jetë
Me vesë mëngjesesh i lante sytë e saj të zes
Mbrëmjeve të ulte hënën nga qielli e kish ves
As një puthje pa e parë në dritë mos me tretë.

Biografia krejt papritur si zjarr në mal u ndez
Njëmijë palë sy të kuq më shikuan shtrembër
Si të më kish lindur zoti me vrimë në thembër
Boten me helmua, se helmin mbaja në brez.

Diellin, qiellin e tokën më re të zeza ma nxinë
Ah, për një vjet krejt e bardhë mu bë koka
Të hy në varr i gjalli ,brenda s’më linte toka
Mbeta gjallë si një zambak në dimra i ngrirë.

Ahu ku ne putheshim është rrëzuar për dhe
E në trup i kanë mbirë ca kërpurdhore si zemër
Gjunjëzohet kujtimi, kullon gjak për atë femër
Deti i shpirtit është çmend, dallgë ngre pa fre...

Raimonda Moisiu - "MOS PINI MË !…”
















Raimonda Moisiu

 "MOS PINI MË !….”  

Një fytyrë e tmerrshme seç u shfaq në derë,
Kur e dërmuar për vdekje, pija një gotë verë,
Në një lokal të ndotur, ndërsa errej pas pak,
Pija verë të kuqe, sikur pija gjak.

Fytyra e tmerrshme sytë m’i kishte ngulur mua,
Sikur në jetë kurr’ nuk kishte parë grua,
Sytë e tij të egër, të kaltër si teh thike,
Po zbuteshin si të fëmijës kur rrin “sus” në karrige.

Dhe buzët e forta tani, s’rrinin shtrënguar,
Po skuqnin si petale nga trëndafili lëshuar…
Humbjen e dashurisë vuaja, e lënë mënjanë, e mjerë,
Me atë furrnaltë që bota e quan verë,

Kur …tretur në mjerim…befas më erdhi një zë:
“Të lutem….të lutem shumë….mos pini verë më!”
Fytyra e tmerrshme …ohoooo, nga ish mërguar,
Qe kthyer në fytyrë fëmije e turpëruar,

Nuk qenë më sytë si shpatë, që vështronin nga unë,
Por dy syve të kaltër, po iu dhimbsesha shumë…
….Se si u ndodha unë, mbase nxitur nga vera,
Që nga karrigia ime u ngrita menjëherë,

Kur buzët i afrova te të dy sytë e tij,
Ndjeva t’i dilnin lotë, sikur rigonte shi.
“ Unë jam një i paudhë…ju lule në pranverë,
Për hatër tim…mos më…sonte…mos pini  verë!”