Thursday, October 3, 2019


Vullnet Mato

ZANA E VARGJEVE LIRIKE            

Zanat e hershme kënduan në pyje,
nëpër bjeshkët e larta veriore,
kjo zanë me vargje dashurie,
u shfaq në lëndinat fushore.

Do thur vargje për këtë grua,
që ligjëron me ëmbëlsinë e bilbilit.
Kur lirikat e saj, buron si krua,
Myzeqeja ndjen blerimin e prillit.

Ajo mori emrin si shumë femra,
nga mimozat çelur kur gjëmon,
të çeli lule në të gjitha zemrat,
të veshi fushën me bar të njomë.

Pasi fisit Çobo i dha katër flutura,
në stinë të mbrapshta thatësire,
vendosi të çelë lule të bukura,
ku të fluturojnë krahët e tyre.

Ajo u bë Safo e lirikës shqiptare,
me buqeta dashurie për njeriun.
Kur shpërthen muzën myzeqare,
shkrin dëborën që zbardh Veriun.

Se dhe Safoja, në lirën e Jugut,
ndjente t’i frynin flladet poetike,
nga Apollonia fushore e plugut,
me frymën e gjuhës pellazgjike.

Kjo Safo profesoreshë e thjeshtë,
rrethohet shpesh nga zogj shkolle,
të cilët e ndjekin gjithë sy e veshë,
kur me fjale magjike, çel lule molle.

Kjo ka të kultivuar brenda shpirtit,
një pranverë të tërë me lulëzime,
shpërthen në tërë stinët e vitit,
dhe nxit të lulëzojë pranverën time.

Unë këtë zanë s’e shoh dot kurrë,
por bashkëjetoj me të sajin varg,
ndonëse adhuron të vetin burrë,
bekon dashuri njerëzore deri larg.

Dhe pse janë me moshë të vjetër,
vargjet e mi kanë zjarr përbrenda,
për ketë zanë që frymëzon poetët,
do këndoj tinguj me ritme të rënda!...





No comments:

Post a Comment