Sunday, October 13, 2019


Vullnet Mato


NDOSHTA MIK ME ALIENËT

Agron Shele, ka emigruar,
dimrit të egër, me stalaktite,
në Bruksel, për të mbijetuar,
me krah ditën, me tru pasdite.


Përdor elektronet, si miell,
për bukë moderne interneti.
Vjel fushat qiellore me yje,
për drithin e çdo kontinenti.


Galaktika e njohur “Atunis”
është ara e tij e begatshme,
ku ai mbjell e korr rregullisht,
kallinj letërsie të gjithanshme.


Lëron arën me plugun e artë,
të drerëve fluturues kompjuterik,
mbjell shkronja alfabeti të zjarrtë,
në brazdat e rrjetit atmosferik.


Kultivon varietete nga gjuhët,
ku ushqehet letërsia botërore,
për ngjyrat, që shijojnë bukët,
pjekur në furrë netësh hënore.


Bujk qiellor, si ky përmetar,
mund të ketë bota shumë,
por jo kultivues, si ky shqiptar,
të punojnë falas dhe pa gjumë.


Me përkushtimin e çuditshëm,
furnizon pareshtur që nga fillesa,
pakot e ushqimit të përditshëm,
përcjell në të gjitha adresat.


Ndoshta ka miqësi me alienët,
në galaktikën e vet, kalimtarë,
që i japin kaq energji të tepërt,
të ushqejë gjithë globin letrar!...



No comments:

Post a Comment