Vullnet Mato
BUBULLIMAT E ZEMRËS SË NËNËS
Isha vogëlush, pa arritur moshën
e djalit,
nën hijen e një shelgu i zgjuar
prej gjumit.
Nëna lau teshat me finjë nga hiri
i zjarrit
dhe i vuri të thahen mbi shkurret
e lumit.
Në qiell u dukën ca korba me krahë
metali,
duke u vërsulur me krrokama
vërshëllyese,
mbi ngjyrat e teshave dhe tymin e
kazanit,
filluan të lëshojnë glasat e tyre
shpërthyese.
Vinin rrotull qiellit, sharronin
degët e gurët
dhe tym e pluhur u bë gjithçka rreth
e qark...
Nëna më rrëmbeu si skifteri zogun
e pulës,
më mbështolli me trup, më futi
prapë në bark...
“E mjera unë, do më vrasin
djalin!”, gulçonte,
me frymëmarrje të thellë strukur
nën shkurre
dhe zemra me gjëmim hataje i
bubullonte,
sikur në daullet e veshit më
binte një daulle...
Atë daulle alarmi, që ka heshtur
ndër vite,
kujtoj sot, kur gëzojnë fëmijët e
asaj moshe.
Zemra e nënës me ato bubullima të
dridhshme,
më ngjall të gjitha dhembshuritë
e kësaj bote...
No comments:
Post a Comment