Wednesday, January 27, 2016

Vullnet Mato - SELVIA E TIRANËS














Vullnet Mato

SELVIA E TIRANËS

Në blerimin tënd, përtej shekullor,
o Selvi jetëgjata qiellore e Tiranës,
ke njohur soj e sorollop, banorë,
mbledhur rreth teje nga ana e anës.

Thonë, të mbolli Et’hem Beu, duarartë,
kur ngriti në Tiranë themelet e dyta,
bashkë me xhaminë dhe Sahatin e madh,
zogjtë e tu t’i këndonin pazarit me qypa...

Ke parë xhandarë me dyfeqe mbi supe,
pajtonë dhe mushka që tërhiqnin topa,
lypsarë të uritur për ca kothere buke,
marshime ushtarësh nga gjithë Evropa.

Udhërrëfyese kohërash te rruga e Dibrës,
përcolle mizëri këmbësh makina, udhëtarë,
nga druprerësit, me sëpata pas shpinës,
deri tek të famshmit artistë e shkrimtarë.

Tani ti ke mbetur shtylla e orientimit,
për mërgimtarët kthyer vonë në Tiranë,
kur mes shumëkatësheve të ndërtimit,
nuk gjejnë dot rrugët e para, ku i lanë…

Me emrin tënd janë emërtuar përqark,
bar-kafe, floktore, restorante, birrari.
Djemtë lënë takime te trungu yt i gjatë,
të puthin bukuroshet me shtatin selvi... 

Asfiksuar mes fasadash të larta me mure,
gjithë pluhuri i kësaj kohe përsipër të ra,
thërret erëra shoqesh “Monumente Kulture”

deri larg, te “Pisha Flamur”, në Llogora!...

Sunday, January 17, 2016

Vullnet Mato - SHOFERËT E KAMIONËVE












Vullnet Mato

SHOFERËT E KAMIONËVE

Shoferët e kamionëve, hapësirave shtegtuar,
me shpirtin fluturues, kurdoherë në merak,
me vëmendjen e ngrirë, në këmbë e në duar,
mbi pedale frenash, kthetra lejleku nën bark.

Kamionistët e trailerave, në karvane reshtuar,
udhëve të pafundësisë, kabinave mbi motor,
me fragmente gjumi në sytë e pafjetur fiksuar,
të shpien dengjet e mallit dhe ushqimin njerëzor...

Të shpien lodrat e fëmijëve, barnat e të sëmurëve,
materialet e banesave për strehimin jetësor,
të gjallojnë qytetet poshtë fushave e sipër gurëve,
të mbajnë hapur gjithë dyert e tregut botëror.

Shoferët kamionistë, në timon njëzetekatër orë,
me rrethin e globit, pranë gjoksit shtrënguar,
me fytyra të lëna pasdore, për fluturimin tokësor,
në kujtesat familjare mbetur gjithnjë përmalluar.

Shoferët e kamionëve, me nofullat vigane të rrotave,
përtypin kilometrat e horizonteve, gjerë e gjatë,
me stopat gjithnjë ndezur udhëkryqeve të tërthorta,
çajnë përmes konstelacione yjesh të kuq, nëpër natë...



Monday, January 4, 2016

Vullnet Mato - BUBULLIMAT E ZEMRËS SË NËNËS















Vullnet Mato

BUBULLIMAT E ZEMRËS SË NËNËS

Isha vogëlush, pa arritur moshën e djalit,
nën hijen e një shelgu i zgjuar prej gjumit.
Nëna lau teshat me finjë nga hiri i zjarrit
dhe i vuri të thahen mbi shkurret e lumit.

Në qiell u dukën ca korba me krahë metali,
duke u vërsulur me krrokama vërshëllyese,
mbi ngjyrat e teshave dhe tymin e kazanit,
filluan të lëshojnë glasat e tyre shpërthyese.

Vinin rrotull qiellit, sharronin degët e gurët 
dhe tym e pluhur u bë gjithçka rreth e qark...
Nëna më rrëmbeu si skifteri zogun e pulës,
më mbështolli me trup, më futi prapë në bark...

“E mjera unë, do më vrasin djalin!”, gulçonte,
me frymëmarrje të thellë strukur nën shkurre
dhe zemra me gjëmim hataje i bubullonte,
sikur në daullet e veshit më binte një daulle...

Atë daulle alarmi, që ka heshtur ndër vite,
kujtoj sot, kur gëzojnë fëmijët e asaj moshe.
Zemra e nënës me ato bubullima të dridhshme,

më ngjall të gjitha dhembshuritë e kësaj bote...