Tuesday, July 29, 2014

Vullnet Mato - ZANA E BJESHKËVE















Vullnet Mato

ZANA E BJESHKËVE

Kisha ëndërruar dikur,
në moshën rinore,
të bëhesha dhëndër
me një zanë bjeshke.
Dhe si ylber harkuar
mbi malet mjegullore,
kërkoja imazhin e saj
në purpurime vjeshte.

Zbrita te mrizi,
me lentën e qiellit në duar,
të dalloja sytë e saj
me valëzim të kaltër.
Lisat e moçëm më thanë,
zana e fundit qe martuar,
para pak kohëve,
me një princ të largët...

Atëherë psherëtiva,
sa më erdhi logu vërdallë:
Ah...fati im qenka shituar
nga zanat e bjeshkëve
dhe zemra ime e përgjëruar
për atë bukuri të rrallë,
s’ka për të provuar
dashuri tjetër gjer në vdekje!...

Po si do mund ta ngrysja
beqar të gjithë jetën,
pa gjetur bukurinë
e një zane të pamartuar?
A ndofta s’do të kishte
më kurrë një femër tjetër,   
aq të magjishme
si ajo zanë e ëndërruar?...

Nga pikëllimi i thellë,
lëshova sytë e përlotur
në rrugën e lagjes së vjetër,
me gurishte asfalti.
Atë çast dora adoleshente
e një fqinje të vogël,
më fshiu lotët me ca gishta,
si fasha mëndafshi...

Kur vështrimi i turbullt
m’u kthjellua krejt te sytë,
ajo buzëqeshi ëmbëlsisht
dhe më puthi në faqe...
Po ku ishe, moj zanë e vogël,
me shpirt kaq të dëlirtë?
Mos vallë zbrite nga bjeshkët,
për mua në këtë lagje?!... 








Raimonda Moisiu - PULËBARDHA














Raimonda Moisiu

PULËBARDHA

Kap kokën me dy duar,
Këtë mëngjes të bardhë,
…Ndërsa përpara syve,
Kalon një pulëbardhë…
Përse dhe unë s’të putha,
Përse?...qoftë dhe një herë?
Pulëbardha po kalon,
Të gjejë tjetër pranverë...
Ish- gjysmë errësirë,
E një tjetër bote, qetësi,
Oh, bluzën si s’e zhvesha?
Veç shpirti im e di...
Në zemër më përvëlonin,
Dy buzët si mëndafsh,
Tek mërmërinin : “Shpirt..",
më puth me tëndin afsh!"
Më shihje si sheh nënën,
Foshnja me përgjërim,
Buzët te qafa derdhnin,
Kaq lule – papushim..
Gjer të vdes s’i harroj,
Oh, vështrimet e tij,
Përulur para meje,
Ai, shenjti im.
Ashtu si Jezu Krishti,
Shihte nënën e tij,
Me ata sytë e zinj,
Ai shihte gjinjtë e mi.
Këmbë njeriu nuk kishte,
Dhe ishte gjysmë terr,
Pse heshtën këto fjalë,
Dashuri humbur në erë...
“Qëndro edhe për pak”,
Është thënë miliarda herë,
Por ngjan apo nuk ngjan,
Pranvera me pranverë?
Tani …iku pulëbardha,
Në qiellin e paanë,
Distanca nga dritarja,
Me dete e oqeanë..
Me krahë pulëbardhash hëna,
E vështroj si e marrë,
Muzgu si fëmijë i humbur,
Ja …iku duke qarë...
Muzgu i atij çasti,
Shkoi e s’kthehet më,
Veç rrahje zemre kish,
Asnjë tjetër zë.
O det …ujra të njelmëta,
Për jete na keni ndare?
O ujra blu pa fund,
Veç hënën keni far'....
“Na pret të dy,
Na pret të dy,
Një gur,
Një kryq,
Mbi varr”



Kostaq Duka - SYTË E DASHURISË












Kostaq Duka


SYTË E DASHURISË

Shiko në sytë e mi
(akoma nuk kanë zënë perde)
irisin e kam në ngjyrën jeshil,
në qiellin e vrenjtur të bebëzës
(kur shpirti breron shi)
shkreptijnë rrufetë,
kur jam i qetë
asgjë nuk zbulon
si në të bardhën fletë
ku mendimi ende mungon,
(s' janë shpallur as gëzimet
as urrejtjet),
mos shiko në syt' e mi kur fle
se më tremb ëndrrën,
prit kapakët e mi t' i ngre
të shohësh aty fytyrën tënde,
të shohësh dy syt' e tu
në dy liqenza mali
veshur me mjegull malli.


Agim Gashi - A MË DËGJON OR BIR…















Agim Gashi

A MË DËGJON OR BIR…
 (Bisedë me Ninel Gashin)

Ndoshta ta prisha gjumin e qetë or bir i babës
Ti njësh me dheun e t’parëve je ba
Ma mirë si t’vrau dora e shkjaut
Se babën tënd dora e vetë shqiptarëve
Janë turrur copa copa
Për së gjalli me më nda….
Shpirtin prej rrashtash përdhunshëm
Duan t’ma shkulin….
Ç’farë urrejtje t’madhe mbi ne paskan pas….
Ti përkundesh n’djepin e dheut n’ëndrrat e përjetshme
E hija e vdekjes pa mëshirë ndeshej me mua
Deshte që pran teje t‘më kthente sa më parë
Telat e sharkisë u ndryshkën
M’ka marr malli të t’puth njëherë o bir
T’shoh si pëllumb i bardh n’hapsirë duke fluturuar.
Luten për ditë që babën tënd ta shohin të vdekur
Shkumëzojnë si hijenat me gjakun tim me u ngi
Por lëkurën time, qenëve duan me ia hedhur,
Se na të dy jetën ja falëm lirisë….
Portreti yt është kompozuar me tingujt sharkisë
N’mes çakejsh si i krisur po hedh valle
Edhe djallit ia merrka hija e tradhëtisë
Fli i qetë or bir
Se edhe gjysmë i vdekur me ta po përballem…


Wednesday, July 9, 2014

Vasil Tabaku - VETEM PUTHJA












Vasil Tabaku

VETEM PUTHJA

…dhe ishim vetëm
Unë dhe pema…
Nga larg
Dëgjoja
Flatrat e zogjve
Te rrëmbenin qiellin…
Bota
Kishte veshur
Dritën e pangjyre te Hënës
Papritur
Erdhi puthja
Me mori për dore
Drejt magjisë se dhimbjes…
Nga dita
E puthjes se pare
Dhe gjer tani
Digjem ngadalë
Mes zjarre buzësh
Dhe fjalësh te pathëna…
Nga te gjitha dhimbjet
Dhe nga gjithçka
Ne jetën time
Ka mbetur vetëm puthja…