Saturday, October 1, 2011

Adelina Haskaj - STINËVE TË JETËS


Adelina Haskaj

STINËVE TË JETËS

Çaste magjike,
minutat e orëve të ditës
gumëzhijnë zhurmshëm si gjinkallat….
Muzgu natën përqafon me yje lëshuar,
dhe nata e qeshur
agimin e ditës së re përshëndet pa fjalë.
Minutat e orëve të ditës,
muzgjet, netët e agimeve,
nëpër stinë pranverore
buzëqeshin, bashkë me diellin,
parfum vese hedhin mbi gonxhet
e luleve, që shpërthejnë hareshëm
në çdo kopësht, park e, livadh,
si ylber aromash që të dehin.
Stinën e Verës e ledhatojnë këndshëm,
minutat e orëve të ditës
dhe notojnë bashkë me qiellin
kaltërsive të paskajshme.
Atje në breg ulur,
bashkë me dallgët,
pulëbardhat presin muzgun…
Dielli atje larg në horizont,
tretet si lëmsh i verdhë pa rreze.
Nata është e bukur, e ëmbël ,
e qeshur në këtë stinë,
me agimet e verës
është dashuruar pa fund,
shijojnë javët dhe presin vjeshtën.
Minutat e orëve
fërshëllejnë bashkë me erën,
nga pemët shkëpusin gjethet ,
e shtrojnë qilimin vjeshtor.
Ditët e hirta të vjeshtës
rrëmbyer dhunshëm nga muzgu, nata, agimet,
zogj që fluturojnë nëpër vise të largëta,
fajtor bëjnë ardhjen e dimrit.
Minutat e orëve të ditës e muzgu,
futen në gjirin e natës,
kanë ftohtë të presin agimin,
është acar, kanë ngrirë edhe degët
borën thërrasin t'i mbështjellë si shall.
Dimri kalëron dhe çel pranverën,
lodruar stinëve të jetës.

No comments:

Post a Comment