Thursday, August 15, 2013

Lida Lazaj - KONFIDENCIALE














Lida Lazaj

KONFIDENCIALE
(Vetëm ty, askujt tjetër)

Mos i beso,
Kur natën  të braktis në shtrat
E del e mediton nën yje,
Mos i beso s’mendon për  ty
Një nimfë po gjurmon në pyje.

Mos u gëzo
kur t’thotë:  “ me hirin tënd
monumentale u bë vepra”
Mos u gëzo. Ti vetëm emrin ke në kopertinë
E gjithë brendia ësht` ajo tjetra.

Mos u trishto,
O mikja ime, mos u trishto,
Kështu e paska kjo botë e vjetër
Ujërat freskojnë të gjithë njëlloj,
Vetëm burimi është  tjetër.




Kostaq Duka - TRI POEZI

















Kostaq Duka 

TRI POEZI

HARRESË

Flasim e flasim
për familjen e madhe botërore
kur atë të voglën
dygjymtyrëshe prind- fëmijë
në lëvizjen marramëndëse e lemë pas dore.

QESHJA

Kalimthi e preka, e ndjeva një qeshje gati engjëllore
në një fytyrë tmerrësisht të ngrysur, mizore.
A thua butësia e barit nën ferrë
rilind përgjakur dimër, verë?!
Njeri!
Qofsh vajzë, burrë grua,
plak në udhëtim drejt pafundësisë
qeshjen ndere mbi fytyrë
zoti ta fali për t’ua dhënë të tjerëve çdo çast, çdo ditë.

MANIERË

I urrej qimet
në kokë,
në kodrat, shpellat, lëndinën e barkut!
Tha artistja e nisi të madhen betejë
të zhdukjes së qimes në trupin njerëzor.
Harroi e marra
se kjo betejë do përsëritej paprerë.
Qimet si veset e njeriut rrënjët i kanë thellë.






Sergio Hizma - SHKRONJEN “O” SI ZEMËR BËJE TI












Sergio Hizma

SHKRONJEN “O” SI ZEMËR BËJE TI

Emrin tim me guriçka shkruaje në rërë
Po valët e detit ta prishnin përsëri.
Ti nxitoje ta shkruaje emrin të tërë,
Kurse shkronje “o” si zemër e bëje ti.

Unë me ëmbëlsi vija të ngacmoja:
Kaq pak më do sa emrin tim ta fshin një valë...
Nëse unë gjoksin tim fare do ta shkallmoja
Përsëri emri yt jashtë s’ka për të dalë.

-Në rërë emrin ta shkruaj, po me trup e mbroj,
Të mos e lëvizi as më e madhja stuhi,
Sepse unë pa ty nuk dua të jetoj... -
Si për tu mbrojtur, e pafajshme përgjigjeshe ti.

-Unë të kam skalitur në çdo qelizë të trupit,
Gjaku im s’lëviz pa qenë ti aty...
Me dorën për qafe i shtrëngova supin
Dhe kur në sy u pamë, shpërthyen shkëndi.

Të kapur prej supesh ecëm ngadalë,
Në rërën që ndan tokën nga deti...
Këmbët të freskuara nga deti me valë,
Nga dy zemrat një krater dashurie aty mbeti.

Në të njëjtin vend, për çdo vit ne shkojmë,
Ku me ndjenja të zjarrta lidhëm dashurinë,
Kur shkojmë atje, fjalët janë të pakta,
Sepse na pëlqen që, mes kujtimesh pak të rrimë.

Tek heshtja e heshtur, që kurrë s’gjeti fjalë,
Tek zjarri i dashurisë, që kurrë s’mbaroi,
Tek valët që bregun përkëdhelin ngadalë,
Në të largëtat kujtime mendja më fluturoi...

Në atë breg rëre janë hedhur themelet,
Ku pallatin e tyre ndërtuan dy jetë...
Që përjetë i paharruar për ne të ngelet
Po aq i rëndësishëm, sa dashuria vetë...


Edmond Shallvari - ASAJ FEMRE












Edmond Shallvari

ASAJ FEMRE

Ishin shkallë a ishin flokë?
Di që ngjitesha e ngjitesha
Shpirtit ndjeja një aromë
Sa çuditesha, mahnitesha.

Ish’ kometë a trup femre?
Di që digjte, vetëm digjte
Shpirtin tim jo nuk e trembte
Veç më dridhte, sa më dridhte!

Ishte ferri a parajsa?
Di që doja, vetëm doja
Shpirtin tim rrëmbeu vasha
Unë rënkoja, veç rënkoja.

Ishte mbëritja, apo nisja?
Di që isha në mes tyre
Shpirtin ngjita dhe s’e zbrita
Asaj femre në mes yjesh.