Wednesday, June 19, 2013

Vjollca Tiku Pasku - ZGJOHUNI SHPIRTËRA











 



Vjollca Tiku Pasku

ZGJOHUNI SHPIRTËRA
 
Mbi telat e rrezeve të diellit,
zogjtë harpojnë me krahët e tyre,
cicërimat çukasin ëmbësisht dritaret,
mëngjeset e reja presin pranverën e artë.

zgjohuni shpirtra!

Diamanti i dritës përthyhet,
në paqen e rreme të hijes së varfër,
vendi xixëllon me ëndërr parajse,
diej të rrem vilen në buzë politikanësh.

Tempuj podjumesh buçasin,
nga zërat kredhur në histeri,
ajri përlyhet me tymra lyrash idhnake,
toka ngjyhet nga rrenat laramane.

Fjalë të lustruara të lëkurave të zhyera,
zbrazen si fishekzjarre në zhguajt e breshkave,
e ardhmja me syze të errta paradoksale,
snjë xixë të vërtetës nuk përflak në valle.


 Zgjohuni shpirtëra!

Ajri zbret i virgjër nga fresku i qiellit,
deti i patrazuar me frymë idhujsh është i kthjellët,
cicërima të pastra melodish duhen kompozuar,
nga zgjimi që sjell afrimi i erës pranverore.


Tuesday, June 18, 2013

Fatmir Terziu - KTHINË

 


 
 
 
 
Fatmir Terziu
KTHINË
Gjethja u mbajt fort tek dega. Dega u mishërua tek trungu...
dhe trungu zuri fort vend tek rrënja.
(Autori)


Kohë e butë. Trokitje rrezesh. Freski.
Larushi mahnitëse në gri
Krokama shkurti nën hardhi.

“Damarë të vegjël”- kujdes janë delikatë
Zëri i shartuesit vjen ende nga larg
Kujdes o i ngratë...
... kokrrat do të hahen vitin tjetër!

Vitin tjetër...?!
Dhe unë i besoj premtimit.
Është ikja e mëngjesit në dhomën e ngrohtë
rutinë e zhurmshme vesëmëngjesi.
Në xhamin karshi përthyhet një rreze
Është koha kur ora të ngre me zor
Dhe le pas atë sfilitje trupore.

Dhe unë e pikturoj ditën.
Çadrat hapen si me komandë në rrugicën time
Londra s’paralajmëron asnjëherë
Avujt të mjegulltë
Si topla sheqeri zbukurojnë neonët e rrugës
Shkrihen njësoj dimër e verë.
Dhe unë bëhem pjesë e tyre.

Një kunjë shkrepëse ecën majëkrahu me hijen time
matet me aventurën e shkuar ditë e natë
edhe pse mjerisht ka mbetur e lagur.
Dhe unë vazhdoj ecjen time.

Është vjelur tashmë rrushi atje larg
Stonecastle ka emër tjetër!
Mirësisht me emër lirie...
Dhe unë tashmë jam zgjuar.
Vreshti im ka ditëlindjen time
(Ah, dhe unë...., ai është kapitull tjetër.)
Im atë ma pati thënë mes krismash
“Vreshti do të jetë dëshmitar për kohërat
atëherë kur do tu duhet të kujtojnë lirinë
me verë Rahoveci do trokasin gotat!”

2.

Mesditë. Në zyrën time janë zjarr kompjuterat
nga trokitjet e zhurmta mbi tastiera
zhurmë-mërmërima kompjuterike dhe shushama e letrave në print.
Mbi tryezë një fshirëse, buzëvarur tretet mbi fletë.

Hapësirën gri e lexoj enkas
dhe fjalëzgjoj me heshtjen time...
është diku larg udhëtimi i fjalës.
Gotëkërcitje të lehta në dasëm
Një dhëndër, një nuse, qindra dasmorë
Një kronikan numëron nën zë
Ime më këndon me forcë
Këngën e lënë në mes atë kohë lufte...
Shoh mbi tryezë sërish gomën që fshin vetveten.

3.

Messhkurti. Si Shkurt më. I gritë.
Në dërrasa ngulen gozhdë të mëdha
Astarë të kuq u qepen rreth e qark
Të prodhojnë pak simetri me kohën
Që u iku aq larg e larg shekujve.
Yjet, zgjaten e zgjaten këpusin veten
në një sfond blu. I moçmi Kuqezi përlotet.
Gotat prodhojnë Hymnin. E ndërsa
Bota nis trokitjet
mijëra cifla i heqin me kujdes nga trupi
aq sa vetë lashtësia e të Moçmit.
Diku ende dinakëria vazhdon tërsëllimën
mbi një udhë të mjegulltë
ata luajnë veç me kthinën.

Alexandra Adami - E HUAJ JE TI?...














Alexandra Adami

E HUAJ JE TI?...

Që fëmijë, ndieja shumë vetmi,
me ta nuk lozja dhe pse isha aty,
një fjalë kumbonte, thellë në veshët e mi:
..."E HUAJ JE TI?"...

Mësuesit m'shihnin ndryshe nga të tjerët,
dhe shkolla nuk më sillte kënaqësi,
një fjalë kumbonte thellë në veshët e mi:
..."E HUAJ JE TI?"...

Si zogj shtegtar vitet ikin shpejtë,

bashkë me ta ndryshon dhe çdo njeri,

prapë një fjalë, gjithmonë mbetet aty
:
..."E HUAJ JE TI?"...


Në çdo hap shoh dyer të mbyllura,

ëndrra gri që mbushin jetën tonë,

dhe një fjalë që gjithmonë tingëllon
:
..."E HUAJ JE TI?"...


Sunday, June 16, 2013

Shpëtim Kurti - TI ERDHE... !
















Shpëtim Kurti

TI ERDHE... !
          
Erdhe ,
Kur  yjet  ishin  në  të  ikur .
Kur  dielli ,
Për  mua ,
Mes  resh  ish  i  mërguar .
Në  cilën  moshë ,
Në  cilën  stinë ,
Në  ç'mijëvjeçarë  ishim  takuar ? !

 Erdhe ,
 Kur  dielli  ngrohte  për  të gjithë
 E  unë ,
 Dridhesha  si  nga  te  dimrit  ethe .
 Ne  duart  e  Tua ,
 Zemra
 Dhe  shpirti  im ,
 Dridheshin  e  dridheshin ,  
si  te  ishin  gjethe .

 Erdhe ,
 Kur  drita
 Edhe  ajri ,
 Çuditërisht  për  mua,  kishin  ngrire .
 Erdhe ,
 Ti, dritë ,
 Erdhe  ajër ,
 Sa  mirë...!

Kaman Myftaraj - DASHURI ME NJË SHEJTANKË
















Kaman Myftaraj

DASHURI ME NJË SHEJTANKË

Në piskun e vapës se verës, poshtë një dardhe,
Nën hijen e saj i vetmuar po qetësoja shpirtin.
Ëmbëlsia e një kokrre m’u ngjit në buzën e tharë,
Ndaj shkova të shuaj etjen pranë një burimi.

Në gurgullimën e ujit kristal, buzën mbështeta,
Të shuaj etjen e të freskohem në hijen e të madhit rrap,
Papritmas në lëfytin e kroit m’u shfaq si në legjenda,
Një engjëll femëror që prej buzëve i rridhte mjaltë.

Thashë vallë mos jam në ëndërr i zhuritur nga etja?!
Mos vallë kjo engjëllore është vetëm një imazh?...
Ajo herë më shfaqej si femër e më thoshte, eja,
Herë më zhdukej para syve e më rikthehej prapë.

Mos ki frikë më tha: eja mbështet buzën të shuash etjen,
Nga buzët e mia rrjedh ujë i bekuar, i përzier me mjaltë,
Unë jam femër si të tjerat, që dhuroj kënaqësi e zgjat jetën,
Jam femër shejtane që fut në shishe meshkujt shejtanë...

Në piskun e vapës së verës, poshtë hijes së atij rrapi,
Shova etjen e shijova dashurinë me një shejtankë...


Saturday, June 15, 2013

Fatmira Sulmina - MË ERDHE NË ËNDËRR















Fatmira Sulmina

MË ERDHE NË ËNDËRR

Sikur të kisha pranë, të vështroja në sy,
Qeshja e gëzoja, se më kishe ardhur Ti...

Ta shtrëngoja dorën, kisha frikë mos ikje.
Rri me mua sonte! - të lutesha me shpirt!...

Por Ti vetëm heshtje, duke me vështruar,
Vite pa më pare, pa më përqafuar.

Doja që kjo natë, mbarim të mos kishte,
Të kisha kaq pranë... asnjë nuk na shihte.

Kështu e gëzuar, si asnjëherë tjetër,
Përjetova ëndrrën me mikun e vjetër...

Do të thoni ju, ç'qenke çmendur fare,
Ajo ishte ëndërr, nga një ëndërrimtare...

Po unë kështu jam, dhe do mbetem përhera,
Gëzoj kur shoh ëndrra, si kjo që rrëfeva...