Thursday, February 14, 2013

Fatbardha M. Xhani - KE FRIKË ?...
















Fatbardha M. Xhani

KE FRIKË ?...

Veshtrome ne sy
Vetem nje çikë
Eshte dielli yt qe djeg aty
Ke frikë...?

Prekme pak ne sup
Vetem nje çike
Eshte dridhja e deshires tende aty
Ke frikë...?

Folem zeulte ne vesh
Vetem nje çike
Eshte melodia e zerit tend aty
Ke frikë...?

Lerme pak vese ne buze
Vetem nje çike
Eshte nektari i jetes aty
Ke frikë...?

Dashurome me zjarr
Shume...jo nje çike
Eshte arsye e ekzistences aty
Mos ki frikë...

Anila Dahriu - SHPIRTI IM VAMPIR

















Anila Dahriu

SHPIRTI IM VAMPIR

I shkruaja shkarravinat e lutjes,
Në të gjitha gjuhët e botës,
Nuk e shujta kureshtjen e zemrës
Për të lëshuar yjet e çmendurisë time.
Në sytë e tu, mbështetur në pritje, jam si shkumës
I shkërmoqur ajrit të tejdukshëm të së vërtetës.
Doja të bëja gjithçka në ishullin tonë,
Flakët e dashurisë të përpinin,
Qenien mërgimtare të fshehur në briskun e hollë,
Ndër shkëmbinj të ngrënë nga epshet e natës.
Erdhe një natë, papritur,
Ku shtrëngatat kishin mbërthyer shpirtin tim,
Mes klithjes të një ndjesie të paarritshme....
Më doje të isha mendja jote,
Ku mes jetës të jepnim një embrion,
Të lindte folenë e virgjër të dashurisë sonë,
E cila u shua mes mjegullës që jep shpirt me të
Akoma pa klithur sqepin.
Të lagur në shtrat shushurimash hijesh
Rraskapitet,
Nëpër pasqyra pa kthim të vetvetes.
Premtuam, një copë çokollatë, buzësh ta copëtonim.
Ulur rreth oxhakut me zjarrin e dritës së vështrimeve,
Të desha, të dua, se më dhè shijen e jetës...
Provova ndërgjegjen e pistë, fshehur nën çatinë e moralit fatkeq,
Gjeta një zemër që e shtrëngoj në thonjtë e shpirtit tim.
Ndjek kambanat e kishës kur mbledh leckat e mëkatarëve,
Ku shihen vjedhurazi ndërmjet tyre,
Fëlliqin fustanin tim të veshur me yje shumëngjyrëshe.
Aty është shkruar emri yt,
Mëkati i një nate të mëparshme,
Dergjur nëpër baltëra kënaqësie....
Bota ime u shemb që kur, njoha tënden...
Tani, çfarë më ka ngelur?!
Shija e hidhur e kujtimit që lëndon ulërimën e mëngjesit,
Me gërvishtjet e gjakut që rrjedh,
Nga shpirti im Vampir, për ndjesinë tënde.

Tuesday, February 12, 2013

Lida Lazaj - PREJ MALLIT TIM















Lida Lazaj

PREJ MALLIT TIM

Është diku një vend,
me gurë, baltë e dhe të zi
ku mugullon një bar i ri,
prej mallit tim.

Është një pemë  atje, 
me degë të ngrira
që ka në majë një çerdhe
ku një trishtil sythjerrëze
cicëron trishtim,
prej mallit tim.

Është atje një trëndafil
që era lehtë e përkund
 mëdyshet  “të çelet a të mos çelet”
ah,i mungon fryma që përkëdhelet,
ka mallin tim.

Është atje një ndenjëse e drunjtë
që se kalb shiu, po e bren një  krimb
kërr-kërr, kërr-kërr e bren ai krimb,
prej mallit im.

Këmbë njeriu  nuk e shkel
at`vend me gurë, baltë e dhe të zi
sepse atje, bari i ri, që mugullon
 një trëndafil e një trishtil,
 një ndenjëse e brejtur që heshturon,

kanë shenjtëruar  mallin tim.



Monday, February 11, 2013

Fatmira S.Leka - ''E RRALLË''

















Fatmira S.Leka

 ''E RRALLË''

Në emër të 1001 vuajtjeve,
më lër pak vetëm, të lutem!
Dua të çlodhem nga kjo
rrugë e gjatë vuajtjesh!
Vetëm pak më lër,
pastaj vazhdojmë prapë,
herë me të qeshur,
herë me inat...
Po kërkoj qetësi shpirti,
qetësi zemre kërkoj,
po ikën, ikën viti
dhe ti s'më kupton!
Më lër, të lutem !
Hë, më dëgjon vallë?
Më lër të ngopem
me gjumin e rrallë!...

Sunday, February 10, 2013

Janaq Pani - ÇERDHJA ME AKREPË

















Janaq Pani



ÇERDHJA ME AKREPË

Me vare të rëndë e qysqi
Vendosa të nxjerr disa gurë
Me dëshirën të ndërtoj një shtëpi
Që s'e pata ëndërruar kurrë.

Kur shkëmbin e parë lëviza nga vendi
Papritur i zhgënjyer kam mbetë,
Për ndën të një çerdhe me akrepë
Zbulova e pamja më trembi.

Akrepa të zinj, akrepa të verdhë
Me thumbin ngritur gati për sulm,
Falanga hordhish janë derdhë
Gjithçka ta helmojnë me ngulm.

Dëshpëruar ëndrrës e parë
Nga dhembja krahët iu prenë
Dhe udhët e botës kam marrë,
Po këmbët dhe nuk më zënë...