Monday, November 4, 2019



Vullnet Mato

ZEMRA MANARE

Ndoshta habitesh, pse s’më tërheq trupi yt,
siç m’i korrje puthjet me draprin e vetullës,
siç më ndizje dëshirën kur zbuloje gjinjtë,
siç më dehje me erën femërore të sqetullës.

Ndoshta trishtohesh, mos t’u zbeh bukuria,
e lëkura s’të përcjell rrymë në lëkurën time,
mos nuk i tërbon më si dikur epshet e mia,
që nuk gdhijmë netët bashkë, gjer në agime. 

Ndoshta kërkon të gjesh, cili qe gabimi fatal,
me cilin akull ma ftohe gjakun gjer në deje,
me cilin breshër dimri, m’i vrave lulet në maj,
cilën britmë lëshove, si krismë rrufeje!

Dyshon mos ka ndodhur, ajo që korçarët thonë,
me shprehjen alegorike: “U njohëm si shumë!“
Por nuk është asnjëra, nga të tëra sa numëron,
pasi nuk shteron dashuria, siç thahet një lumë.

Se pasionin e ndjenjave e tërheqjen e mishit,
me flakërima drithëruese të pulsimit të zjarrtë,   
me shenjën e fshehtë, si mjekra e dervishit,
që na dehte e na magjepste natë përnatë;

E bënte vetëm zemra, që ka autoritet të magjishëm,
të tjetërsojë gjithë ndjenjat, me vendim kategorik,
t’i japë urdhër absolut, trurit të plotfuqishëm,
të pezullojë veprimet, në çdo milimetër organik.  

Se ti, moj mike, me natyrën tënde lozonjare,
s’përdore ndjesitë femërore, siç bëje më parë,
zemrën time, me durim, ta bëje manare,
të mos shkonte në grigjën e meshkujve beqar!...


No comments:

Post a Comment