Sunday, November 17, 2019




Vullnet Mato

SOT NË DITËN E LINDJES SIME

Babai-trurin, kockat-gjyshi,
nëna më trashëgoi shpirtin.
Këta më ngjizën, ky që jam,
koha familjen që kam:

Një grua - gur xhevahiri,
dy djem e një vajzë floriri,
mbollën gjakun tim në fis,
shpirt fisnikërie në mjedis.

Një shtëpi ku, s’jam pronar,
më strehon, sa të jem gjallë.
Mjete pak, para me kursim,
pikuar, vetëm nga truri im;

Tri diploma, për të punuar,
dy duzina me libra botuar,
brenda fletëve, zbrazur aty,
bëmat jetuar me sytë e mi.

Gdhenda disa mendje drite,
si profesor i letrave shqipe.
Bëra emër, botën pa shkelur,   
mikesha dhe miq të zgjedhur.

Flas me të panjohur largësive,
me elektrone në trurin e tyre,
quajnë një “Yll me shkëlqim”,
rrezatimin, që përhap arti im; 

Në komunitetin rreth e qark,
dhuroj vargje, tufa zambak,
por dhe shigjeta metaforike,
për gjithë mashtrimet politike.

Ngjitem shekullit, se Zoti vetë,
më sheh të nevojshëm, në jetë
dhe ata pak, që më luftuan,
nga ligësia, para kohe shkuan.

Shpirtin ma godet një merak,
nuk bëra gjë, për varfanjakë.
Por s’më dhanë pak pushtet,
t’i lartësoja, ashtu si di vetë.

Se s’mund të ulej humanoid,
mbi fron faraoni, në piramidë,
që varfëria sot, në labirinte,
të mos vuante urinë jetike.

Dhe të gjitha fuqitë i morën,
ata që djallëzitë, përdorën.
Arti s’ua shkul djajve ligësitë,   
se kanë errësirën në shpirt.
Presidenti shpërfill jetën time, 
ndonëse ka dy propozime.  
Por titujt tani, s’kanë rëndësi,
kam fituar titullin e madh“Njeri”

Dua të vdes, në agimin e ri,
duke puthur diellin në sy,
me lotët ngjyer, në vezullim,  
të ujit trëndafilat e varrit tim!...




Mimoza Çobo

MBRET I ZEMRËS SIME

Lermë të puth syrin që më dogji mua,
syrin që më kurorëzoi zanë në rrëfenjë,
lermë të futem vajzë,prej tij të dalë grua,
lotëkripuri epsharak pjalm të rrëkëllej.

Prej andej do bredh trurin duke kënduar,
më lejo të kundroj ç'fsheh në hemisferë,
aty mendjeprishura që më tradhëtoi mua,
ka pushtuar neuronet e fle si mëshqerrë.

Lermë të ndiejë flladin ku frymon djalëria,
flladin që tund gjirit zambakun e korijes,
lermë të bredh syrin që pikturoi kaltërsia,
tek qesh valës djaloshare shafran indie.

Më lër të ulem fronit mbi rrudhën imcake,
të shoh si mbin bima e parajsës pa breng,
vetëm një çast të ndiejë gushën mishtake,
që buzëve përkundet e loz, si të jem breg.

Nëse ti më fton, të derdh afshin ku të mund,
buzëve qetësisht t'u thith kroin smeraldëve,
manushaqe të paçelur duarve më përkund,
zemrën flladitma me flladin e zemrës tënde.



Monday, November 4, 2019



Vullnet Mato

ZEMRA MANARE

Ndoshta habitesh, pse s’më tërheq trupi yt,
siç m’i korrje puthjet me draprin e vetullës,
siç më ndizje dëshirën kur zbuloje gjinjtë,
siç më dehje me erën femërore të sqetullës.

Ndoshta trishtohesh, mos t’u zbeh bukuria,
e lëkura s’të përcjell rrymë në lëkurën time,
mos nuk i tërbon më si dikur epshet e mia,
që nuk gdhijmë netët bashkë, gjer në agime. 

Ndoshta kërkon të gjesh, cili qe gabimi fatal,
me cilin akull ma ftohe gjakun gjer në deje,
me cilin breshër dimri, m’i vrave lulet në maj,
cilën britmë lëshove, si krismë rrufeje!

Dyshon mos ka ndodhur, ajo që korçarët thonë,
me shprehjen alegorike: “U njohëm si shumë!“
Por nuk është asnjëra, nga të tëra sa numëron,
pasi nuk shteron dashuria, siç thahet një lumë.

Se pasionin e ndjenjave e tërheqjen e mishit,
me flakërima drithëruese të pulsimit të zjarrtë,   
me shenjën e fshehtë, si mjekra e dervishit,
që na dehte e na magjepste natë përnatë;

E bënte vetëm zemra, që ka autoritet të magjishëm,
të tjetërsojë gjithë ndjenjat, me vendim kategorik,
t’i japë urdhër absolut, trurit të plotfuqishëm,
të pezullojë veprimet, në çdo milimetër organik.  

Se ti, moj mike, me natyrën tënde lozonjare,
s’përdore ndjesitë femërore, siç bëje më parë,
zemrën time, me durim, ta bëje manare,
të mos shkonte në grigjën e meshkujve beqar!...


Sunday, November 3, 2019




Vullnet Mato

O I BUKURI, VENDI IM...

O i bukuri, vendi im,
ku vjen bota për verim,
pse ta kesh këtë fat të keq,
të dimërosh vetëm me pleq?

O i bukuri, vendi im,
pse të ndodh ky shpopullim,
pse të kesh këtë fat mizor,
të braktisin zogjtë njerëzor?

Pse ky shtegtim nuk ndalet,
dallgë njerëzish lënë malet,
me ajër dhe ujë të kulluar,
të derdhin djersë të mërguar?

O i bukuri, vendi im,
pse mbetesh lis pa gjethim,
kur ke kushtet, të blerosh,
me fole zogjsh të vegjetosh?

O i bukuri, vendi im,
pse të ndodh ky vet-shkretim,
këtë mallkim, kush ta jep,
qoftë mallkuar vet përjetë!

O i bukuri, vend shqiponjash,
vend bilbilash, vend sokolash,
pse lë të ligjërojnë mbi krye,
grabitqarë me kthetra egërsie?

Pse s’e shporr atë kastë korbash,
me zogj laraskash, zogj sorrash?
Të kesh mbi krye bilbila gjyzarë,
të ushtojnë foletë, si më parë!...




Vjollca Tiku

TEK TY GJETA DASHURINË

Unë lulëzoj në degën e krahut tënd si një lule qershie,
të pres, si presin lulet ngrohtësinë për të vegjetuar,
me urinë e zogjve, të çukis në buzët e tua nektar ëmbëlsie,
pres shtratin me dafina qiellore, të më shtrosh përqafuar.

Kur unë isha si një perlë brenda guaskës, së ftohtë në det,
rashë në grepin tënd prej peshkatari, që më kapi në agim
dhe më lëshoi të pluskoj në ujërat ku lahej dashuria e vet,
në orët e valëzimeve të ngrohta, të liqenit të shpirtin tim.

Ndjeva në zemër dridhmën e ndjenjës, si petalja e lulëkuqes,  
ëmbëlsinë e trupave të vdekshëm që lindin për në pavdekësi,
në çastin kur lindin njëmijë ngjyra për sytë e mbyllur të puthjes,
tek ti gjeta dashurinë e ëndrrave, për të formuar një planet të ri.