Sunday, October 20, 2019





Vullnet Mato

SIAMEZJA FENOMENALE

Kur artistët prindër gdhendën me pasion
skulpturën e gjallë të trupit tënd,
s’menduan, se me një femër, që verbon,
mund t’i linin meshkujt krejt pa mend...

Ky vështrim i syve me rrezatim të shenjtë,
ditën më sjell aroma, nga lulet dhe pyjet,
netëve më josh me eros e më deh krejt,
derisa ndjehem fllad, që flas me yjet.

Buza, gusha, gjoksi, nektari yt i hojës,
kur nisin të ndezin puthjen e shpuzët,
puthja tjetër fryn prushin brenda gojës
dhe hovi i zjarrit, të flakëron te buzët.

Ndoshta nuk është mishi trazimtar,
që më jep etjen e diellit, përmbi dete,
por lumi i thellë, i shpirtit me valë,
që më fundos dhe përsëri kam etje.

Mos ma ndaj prehrin me dallgë ekstaze,
se më thahet zemra, o moj shpirtushe!
Kthehu drejt meje dhe pulsomë taze,
të më vijë gjaku prapë, nëpër barkushe.

Dy siamezët njihen si një rast përjashtim,
fenomen anomalie, i trupave të ngjitur;
Ashtu të paça ty, ngjitur me shpirtin tim,
o siamezja ime, fenomen nga qielli zbritur!







Mimoza Çobo

DO TË TË DUA PËRGJITHMONË

Unë dhe ti kemi mijëra shekuj të dashuruar,
qëkur universi me thëngjij ishte mbuluar,
në mitrën e dashurisë u ngjizëm,të pagëzuar,
Krijuesi mëkoi dashuri te ty e te mua.

Unë do të të dua përgjithmonë,sa të jetë jeta,
se dashurinë e përjetshme, te ty e gjeta,
ti më mësove të pija eliksirin, që kishte zemra,
më mësove si përtërihet shpirti nga ndjenja.

Më dhe eliksir shpirti, të çmendesha nga dehja,
më fshehe mes qiejve,që vetëm ty të prekja,
më çove atje,ku shpirtrat s’tremben nga vdekja,
ku dashuria e përjetshme, ka ngjyra të tjera.

Unë do të të dua përgjithmonë,sa të jetë jeta,
deri sa t'më shuhet fryma,do të të dua shumë,
s’të lë vetëm,në këtë botë, ku ka vdekur shpresa,
nën lëkurë do të mbaj, që t’mos vdesësh kurrë.



Sunday, October 13, 2019


Vullnet Mato


NDOSHTA MIK ME ALIENËT

Agron Shele, ka emigruar,
dimrit të egër, me stalaktite,
në Bruksel, për të mbijetuar,
me krah ditën, me tru pasdite.


Përdor elektronet, si miell,
për bukë moderne interneti.
Vjel fushat qiellore me yje,
për drithin e çdo kontinenti.


Galaktika e njohur “Atunis”
është ara e tij e begatshme,
ku ai mbjell e korr rregullisht,
kallinj letërsie të gjithanshme.


Lëron arën me plugun e artë,
të drerëve fluturues kompjuterik,
mbjell shkronja alfabeti të zjarrtë,
në brazdat e rrjetit atmosferik.


Kultivon varietete nga gjuhët,
ku ushqehet letërsia botërore,
për ngjyrat, që shijojnë bukët,
pjekur në furrë netësh hënore.


Bujk qiellor, si ky përmetar,
mund të ketë bota shumë,
por jo kultivues, si ky shqiptar,
të punojnë falas dhe pa gjumë.


Me përkushtimin e çuditshëm,
furnizon pareshtur që nga fillesa,
pakot e ushqimit të përditshëm,
përcjell në të gjitha adresat.


Ndoshta ka miqësi me alienët,
në galaktikën e vet, kalimtarë,
që i japin kaq energji të tepërt,
të ushqejë gjithë globin letrar!...



Friday, October 4, 2019



Mimoza Çobo

PËR MUA, JE THESAR

Dashuroj te ty, çdo gjest të padukshëm,
kur sipër buzës time,çel bozhur i qeshur.
Kur ti rreze dashurie më hedh gëzueshëm,
sa e dua syrin tënd, bajame zhveshur !

Se sytë e tu të virgjër,di t'i mbaj ngujuar,
këpus bisqet e dimrit,që kanë kërcënuar,
zemrën që s'ta mori dot,asnjë tjetër grua,
zemrën që përvëlohet,kur vuan për mua.

Se unë të pushtoj,me takt, në një çast,
pa qënë nevoja të ngre ndonjë grackë,
mjafton syrin t'ma shkelësh,si dielli i artë
dhe rend ku s'kam rendur kurmit përvëlak.

Dhe nis e gurgulloj zhurmë ujrash,gjer në dej,
mbledh copëza kënaqësie,syrit cep më cep,
më pëlqen pas vetes,pa zhurmë të të tërheq,
kur jashtë qielli loton dhe rrufeja shkrep.

Dridhem si gjethe,kur fëshfërinë mbi ballë,
s'më pyet,kur e ndez lëkurën me zjarr,
kur ,me shpuzë përcëllon pushin vërdallë,
as unë s'të pyes,pse gjinjtë m'i thyen si arrë.

S'të gjykoj pse më do dhe tregon kujdes,
çdo burrë e do gruan afër vetes ta ketë,
ndaj kur loton për mua ,jam gati të vdes,
se dashuria e burrit - thesar i gruas në jetë .

Thursday, October 3, 2019


Vullnet Mato

ZANA E VARGJEVE LIRIKE            

Zanat e hershme kënduan në pyje,
nëpër bjeshkët e larta veriore,
kjo zanë me vargje dashurie,
u shfaq në lëndinat fushore.

Do thur vargje për këtë grua,
që ligjëron me ëmbëlsinë e bilbilit.
Kur lirikat e saj, buron si krua,
Myzeqeja ndjen blerimin e prillit.

Ajo mori emrin si shumë femra,
nga mimozat çelur kur gjëmon,
të çeli lule në të gjitha zemrat,
të veshi fushën me bar të njomë.

Pasi fisit Çobo i dha katër flutura,
në stinë të mbrapshta thatësire,
vendosi të çelë lule të bukura,
ku të fluturojnë krahët e tyre.

Ajo u bë Safo e lirikës shqiptare,
me buqeta dashurie për njeriun.
Kur shpërthen muzën myzeqare,
shkrin dëborën që zbardh Veriun.

Se dhe Safoja, në lirën e Jugut,
ndjente t’i frynin flladet poetike,
nga Apollonia fushore e plugut,
me frymën e gjuhës pellazgjike.

Kjo Safo profesoreshë e thjeshtë,
rrethohet shpesh nga zogj shkolle,
të cilët e ndjekin gjithë sy e veshë,
kur me fjale magjike, çel lule molle.

Kjo ka të kultivuar brenda shpirtit,
një pranverë të tërë me lulëzime,
shpërthen në tërë stinët e vitit,
dhe nxit të lulëzojë pranverën time.

Unë këtë zanë s’e shoh dot kurrë,
por bashkëjetoj me të sajin varg,
ndonëse adhuron të vetin burrë,
bekon dashuri njerëzore deri larg.

Dhe pse janë me moshë të vjetër,
vargjet e mi kanë zjarr përbrenda,
për ketë zanë që frymëzon poetët,
do këndoj tinguj me ritme të rënda!...