Saturday, September 21, 2019


Vullnet Mato

DUKE PRITUR TY

Syri u bë zog, turret rreth e qark.
Veshi u bë ketër, përgjon deri larg.
Zëri u bë pus, hesht në thellësi.
Zemra u bë frut, pikon ëmbëlsi.

Truri numëron hapat që ti hedh,
sekonda në gjak një shkëndijëz ndez.
Dhe ja tek po dukesh, porsi yll i largët.
Rrëshqet me shpejtësi, erdhe fare afër;

Natës i dhe muzg, muzgut i dhe dritë,
dhomën mbulove me shkëlqim kozmik.
Tek unë u lëshove, gjithë elektrizim.
Kometa “Halley” shkrive n’prehrin tim...

Ah, sa të kam pritur, oh, sa të kam pritur,
aq sa, të isha i vogël, do bëhesha i rritur!
Tani që të kam, nga muzgu në mëngjes,
nuk lë të bëhesh kometë, deri sate vdes!


Wednesday, September 18, 2019



Vullnet Mato

BUKURIA MAHNITËSE E MARILYN MONROES

Bukuria mahnitëse e Marilyn Monrosë,
më mbeti në retinat e syve, vite më parë,
kur trupin e saj, abuzuesit monstruozë,
e përdhosën derisa iku para kohe në varr.

E risjell në kujtesë varrezash të pluhurosura,
si aktore kinemaje, që meriton homazh.
Cilësuar, ikona femërore e gjithë kohërave,
të rishfaqet, si aureolë bukurie në mirazh.

Me rastin fatkeq tregoi, se bukuria në vajzëri,
kur ajo filloi provat filmike për figurante,
nuk mund të merrte rol, në një film të ri,
pa provuar divanin, për firmosje kontrate.

Mund të thuhet, kush nuk do, kundërshton.
Ajo tha: Po s‘pranova unë, shtrihet një tjetër,
në divanin e turpit, i cili më mundëson,
të eci në talentin, e varur nga burrat e vjetër.

Dhe çau, duke pranuar, çdo divan momenti,
derisa u ngjit tek ylli i kinemasë Hollivudiane,
ku lakmia e seksit e ndoqi, deri te presidenti,
si trupin më magnetik, të femrës mondane.

Por pas çdo ngjitje në famë e burri në timon,
ajo filloi njëherësh, zbritjen drejt çmendinës.
U braktis nga duart, që e shtrydhën si limon,
dhe përfundoi, në varrin e beftë të kokainës.

Bukuria mahnitëse e Marilyn Monrosë,
më mbeti në retinat e syve, vite më parë,
kur trupin e saj, abuzuesit monstruozë,
e përdhosën, derisa iku para kohe në varr...