Vullnet Mato
SHKËMBI KU LINDËN ETËRIT
Lugina e murrme, përtej thellësive,
me qiej të pastër dhe vjeshtën me shi,
gatuante baltën me kakërdhitë e dhive,
t’i ushqente Fterrës, të gurtat shtëpi.
Djepi prej shkëmbi njëmijë e ca metra,
kishte nga zanafilla emrin “Guri i Kuq”.
Vendbanimi kish ngulitur aty kthetrat,
qëkur s’mbahej mend prej askujt...
Mitra prej nëne e barkut shkëmbor,
ngjizte gjallimin jetik, në secilën femër,
me belbëzimin e gurrës derdhur në Ixor,
nga shkrepat e thepisur të zogjve pa emër.
Për engjëjt e sapolindur me buzë trëndafili,
pikonte kulloshtra qelibar e yjeve në maj,
me eroma rigoni, borziloku e dafina pylli,
nga toka zallore, ku mbinin limoj e portokaj.
Gratë ngarkuar me shkarpa te bushi i bregut,
ndiznin vatrat e blozuara nga rrufetë mortore,
me vetëtimat që u flinin në vena ndër shekuj
dhe u faleshin kodeve të vjetra zakonore.
Burrat zienin rrush, koçimare e mana ferre,
ngujoheshin dimrit rreth oxhakëve mikpritës
dhe dilnin me fytyrat çelur, si bisqe pranvere,
për të gdhendur gurët me daltat e
frymës.
Çdo mëngjes, kur bronzi i zileve të dhive,
niste tringëllimin nëpër monopate me ferra,
pleqtë ulur mbi kristalin akullor të shpirtit,
psherëtinin për të ikurit në skaje të tjera.
Të nxitur nga ëndrrat e komunizmit teorik,
ata përshkuan trajektoren e gjatë të marrëzisë,
duke pritur dekadat e bollëkut me durim stoik,
dhe në fund pshurrën mbi bunkerët e kotësisë...
dhe në fund pshurrën mbi bunkerët e kotësisë...
Etërit e mi jetuan nën glasat e egra të pëllumbit,
duke përballur pushtimet, pa krismat e shtetit,
dhe pasi shpëtuan nga shënjestrat e plumbit,
zbritën të më lindnin mua te placenta e detit.
Me pak pluhur shkëmbi në gjak, e pakëz det,
dhe me dhuntitë që etërit trashëgim më dhanë,
përherë i ndjekur nga hija e vdekjes në jetë,
nga asgjëja prej guri e kripe, arrita gjithçkanë.
Ndonëse u enda, si beduini në Saharën klasore,
vadita vreshtat e vargjeve me gjakun e zemrës...
Shkëmbi i etërve më ndiqte me retinat qiellore,
dhe në fasadën e vet më gdhendi emrin e penës...
No comments:
Post a Comment