Tuesday, November 24, 2015

Vullnet Mato - ARRATISJE NGA KOLERA














Vullnet Mato

ARRATISJE NGA KOLERA

Trumbetarët thanë, virusi është zhdukur,
bashkë me varrmihësit e mortjes lindore.
U zgjidhën fashat e filtrave të pambukut
nga fryma e kontrolluar nëpër hundore.

Qeshën fytyrat me lundrimin e diellit në sy,
shpërthyen zërat e ndrydhur prej llahtarisë,
gëluan fustanet shumëngjyrësh në lirshmëri,
brofën peshqit nëpër kofshët e djalërisë.

Kolera u shua në kujtesën e gjithsecilit,
filluan të pluskojnë ëndrrat e ardhmërisë,
erëmuan aromat e këndshme të trëndafilit,
gjelbëruan gjethet në degët e miqësisë...

Por papritur ndodhi zhgënjimi i tmerrshëm,
viruse të shumuar në thelpinj fshehtësie,
u përhapën nga zgjimi i tufanit të djeshëm,
dhe pllakosi paniku me dridhma lemerie...

Vdekja e ringjallur bashkë me veladonin e zisë,
mprehu kosën e ndryshkur për viktima të tjera,
tmerri çau shtigjet e ajrit dhe ujërat e arratisë,
duke braktisur pragjet e infektuar nga kolera...

Por lanë pas, blozën e kohës për fytyra fajtorësh,
që lejuan të rikthehet kjo epidemi nga mesjeta,
kur për vete rrëmbejnë pasuri e mbyllen dora-dorës, 
me mendimin se do shpëtojnë në kupola të qelqta...
 







No comments:

Post a Comment