Wednesday, April 24, 2013

Diamanta Zalta - ZHURMË E NJË ENIGME















Diamanta Zalta

ZHURMË E NJË ENIGME

Je zhurma e nje enigme ,
Zgjidhja e pazgjidhshme .
Zemren ketu - trupin gjetiu ,
Qan loti qeriun që e shkriu . . .

Zenith kromozonesh perrallore .
Ne dritaren time ,
Ke vene te shkruajne zogjte:
Perqafome !
Dashurome !

Arterjeve të prerë,
Dil e mbill shpresë . . .
Kam harruar si eshte te besh nje hap me tej,
Ti e di . . . pa ty ,
Jeta ime pritet ne mes!

Je zhurma e nje enigme,
Qe pret te shpërthejë . . .
Bimetoj shpirtin, me tenden vesë.

Edhe pres ,
Pres te vish një mëngjes ,
Para se të vdes . . .



Ismail Kadare - NJË VAJZË













Ismail Kadare

NJË VAJZË

Duke të puthur, pa të dashur
Në shpirt ai ty të plagosi
Buzëpërgjakur nga të kuqtë e tu,
si vrasës tinëz shkoi

Krenar që ty "të shtiu në dorë"
Gjith' shokëve emrin tënd ua tha
Pranë gotës së birrës për ty folën
në park, të dielave ata

Dhe ti e vetme mbete, bosh
mbenë sytë e ty në net bilbilash
Si sheshi i shkretë, ku posa ndodhi
Një katastrofë automobilash.

Tani kur shkon Rrugës së Dibrës
Ata me sy të ndjekin pas
Pataj me bërryl i bien shokut
"E sheh filanen? E ka pas..."

Dhe ti ul kokën shpejton hapin
T'arrish tek shoqja sa më shpejt
Të përsërisësh fjalët standart:
"Ah, njëlloj janë të tërë djemtë"

Të dyja t'ulura pranë radios
Do ndizni heshtur një cigare
tek supi i saj, nën fjalë lajmesh
një çast dremitja do të t'marrë

Dhe do të të çojë tek një rrugë tjetër
M'e gjerë, m'e bukur dhe më e re
Atje në sfond fabrikash, njerëzit
Nga kembët s'do të të venë re.

Atje ku t'ecësh midis turmash
Në një grup djemsh, ndoshta midis
Dikush me brryl do t'i bjerë shokut:
"E sheh filanen? Ishim miq..."






Qazim Muska - IKJA QË MË RRËNON

















Qazim Muska

IKJA QË MË RRËNON
          (Për shokët e mi)
  
Pse ikët ashtu?!
Si në një lojë symbyllazi
Vrapuat dhe u fshehët s’di se ku
Në caqe të largëta,të huaja
Në shtegëtimin tuaj të pakthim
Dhe më latë këtu mua
Shtërgun e fundit të një arratie të pasosur
Me lëmshin e zjarrtë të mallit në duar
Që fijet e largëta
Ia mbledh cdo ditë.
Unë, strummbullari i vetem
Në një savanë përhumbjeje pa fund.

 Si ikët ashtu?!
Si një karvan i shprishur në shkretëtirë
Pa lënë asnjë gjurmë,
Asnjë shënjë rikthimi diku.

Në udhët e mykëta të riardhjes
Hija e vakët e dritëshpresës
Fanitet përditë.
Dhe përditë në boshllëkun e vetëvetes
Humbas peshën time
Rrethuar akullt
Nga një erozion tinëzisht diskret
Që m’i rrëzon fjalët si gjethet në vjeshtën e vonë
Pa u ndjerë,
M’i mpin buzëqeshjet si murlan,
M’a plogështon vrullin
M’a lodh mendimin si një ka të moçëm.

Si një brejtës i vogël, i pandjerë
Më rrënon përditë nga pak
Ngrehinën e shpirtit
Në të cilën emra fantazmë
Kryqëzohen korridoreve të trishtë
Si lakuriqë nate të çoroditur.

Ikët.
Atje,
 Në oazfoletë tuaja të largëta,
Brishtësisht të qelqëta,
Keni lidhur te pragu në formë fiongo
Fillin e kohës
Si mbi një kolipostë pa adresë
Harruar në vite.

Strukur në to, si guralecë të vegjël, të ngurtë,
 Copëza kujtimesh
Pluhurosur dhe zverdhur si  mall shekullor.
  
Dhe midis;
 Një kanion  i thellë, eterik
Që mban tendosur shpirtarat e përtharë;
 Bishtaja varur në tel të sertë të pezmatimit,
Të atij pezmatimi që na shtyp si një morsë e padukshme
Andej dhe këtej.

Ikët … 
Dhe mbetem
Pulëbardha të mjera
Nën mërmërima përshpirtjesh të zymta
Të një meshe që ende s’ka mbaruar…











Skënder Rusi - Ç'TRISHTIM! ...













Skënder Rusi

Ç'TRISHTIM! ...

Ç’trishtim, të jetosh në një qytet-brengë,
Ku shumë gjëra ecin për mbrapsht!
Vajzat e bukura rrinë fshehur nga djemtë,
Të shëmtuarat shëtisin në bulevard!

Ç’trishim në këtë qytet që më deh,
Me erën e qelbur të vodkës!
Ku vetja herë-herë më duket,
Si Esenini rrugëve të Moskës!

Ç’trishtim, në këtë qytet të çmendur,
Që më ngjan me një spital të madh!
Njerëzve ju mungojnë veç bizhamat me vija,
Dhe numrat në shpinë apo në krah!

Ç’trishtim në këtë qytet që flet përçart,
Që as në gjumë nuk e heq paruken!
Dua t’ia marr nga koka e t’ia flak,
Por edhe ai s’më le, edhe unë nuk mundem!

Ç’trishtim, në këtë qytet të pushtuar nga vdekja,
Që po më vdes edhe mua pak nga pak!
Më vjen të rrëmbej shpirtin e të zhdukem
Sa më larg prej tij, sa më larg!…