Sunday, December 16, 2012

Agim Bacelli - JAM MËKATAR*















Agim Bacelli

JAM MËKATAR*
 
Bëra gabimin e parë
Pastaj dhe një tjetër gabim
E kështu, mijëra me radhë
Çdo ditë, natë, pa mbarim.

Gabimet mu bënë mure
Muret mu bënë fortesë
E unë mbret brenda tyre…
Një mëkatar do të mbesë.

Harroj se qielli ka dritë…
Harroj se qielli do dritare
I puth gabimet për ditë
Me Terrin lidhem për fare…

Befas kuptoj, jam burgosur…
Lutem mos dal më në dritë
Mes mëkateve murosur
Të vdes nga pak për ditë.

Kristaq Turtulli - POETI DHE GRUAJA BRUNE















Kristaq Turtulli
 POETI DHE GRUAJA BRUNE
                                  Poemth
Shpesh të ndesh në shkallë,
Në godinën e vjetër  pa ullukë, në formë zemre.
Ku është gjysmë natë dhe gjysmë ditë.
Gjysmë ftohtë dhe gjysmë vapë.
Gjysmë borë dhe gjysmë erë.

Sa herë mbështetem në parmakë,
Më bëhet sikur ngjitem dhe zbres në shkallina të qerpikëve.
Ku ka shumë lagështirë
Vështrime të harlisura nëpër mure,
Ëndrra të thyera dhe përshtypje.
Dhe shkëndijime që treten shumë shpejt ujërave.

Kopsitem në hutimin e lëvizjeve prej të tuat imazhe.
Lëvrin nepërka e gjoksit në tatuazhe.
Dritë hijet u përvidhen mureve.
Unë nuk mund të përzë,
Grua brune, fytyrë zbehtë,
Me sy të trishtuar, si engjëll në brymë,
Sepse as dielli dhe as hëna nuk të përzë...

Sa herë të shoh në rrugicat e mjegullta,të pista,
Si labirinte të lashta.
Ku dielli hyn me përtesë.
Hëna gdhend me inat inicialet e vjetra.
Ku ka qen pleq me tre këmbë,
mace grifsha dhe shpendë.
Përse vjedhurazi nënqesh
Dhe syrin e vëngër dredh?
Në grushte mundohesh të mbledhësh yje...
Ndoshta e di që unë nuk të përzë.
                                  
Si djallushe shtyn hijet me sup, përdridhesh,
dhe si engjëll më afrosh.
Blerës të përkohshëm kërkon të më bësh.
Hiqu mënjanë grua brune.
Poetët janë ndryshe,
Një botë më vete.
Të çiltër, të pasur në shpirt, harraqë, zhurmëtarë si fëmijë.
Nuk e njohin djallëzinë, hipokrizinë.
Sepse e dimë, që dielli dhe hëna nuk të përzë...
Grua me tatuazh, fytyrë zbehtë.

Ti thua. Ç’thua more.
Unë kam kutinë Pandorës,
ja tek e ke, mere,
I varfër je, deri në dhembje.
Eja më pranë, ngrohmë me firomë.
Sa shpejt harron Poet, që jemi ardhës,
Ku dielli dhe hëna pa mëri, bashkë flenë,
Nuk mundet të na përzënë,
Mbështjellë janë me pelenat e shurdhërisë.

Pastaj ti e kolmja, e mrekullueshmja,
Grua brune, bukuri të zbehë.
Trishtueshëm qesh dhe trupin përdredh.
Pelerinën e muzgut mbi supe hedh.
Më pëshpërit, vite më parë një dikush,
 Rastësisht mbi komodinë la një monedhë
 Dhe nxitimthi shkroi në bulëzën vesës,
(Nuk mund ta gjesh më lotin e brishtë fëmijës.)
Është tjetër kohë...
Ata që mbeten do paguajnë më mirë
dhe do ikin si më parë.
Poetët, të humburit dhe të treturit në se duan
mund të vijnë më pas...
Sepse më mirë e kushdo e dinë
Dielli dhe hëna askënd nuk përzë.

Sa herë të shoh në dyert e ngushta,
Mbërthyer patkonjtë e ndryshkura të kuajve.
 Mbi to retë rrjedhin rrëke të gjata.
Largohu grua brune, fytyrë zbehtë,
Atje po thyhen qelqe,
Drita është e pakët, më dhembin sytë.
Ti më pëshpërit, janë shkëndijime të arta.
Si prekjet, puthjet e mia dhe fjalët e athëta.
Kutinë e Pandorës ta solla...

Po trotuaret mbështjellë janë në një fletë.
Grua brune, fytyrë zbehtë,
Të shkruar si sot e mijëra vjet më parë.
Harruar në kamaren e kalbur të pangopësisë.
Dredhon epshi, në ajkën e shtegut të ngushtë.
Ti shkrihesh dhe pëshpërit,
Çka më shumë se unë një princeshë,
Gjykatëse, deputete, baroneshë.
Dielli dhe hëna asnjë nuk përzë,
Përderisa jemi gjallë.
Harrove? Politika dhe kurvëria në një kazan ziejnë.
Supë ka për të gjithë.
Dhe tre shtrigat e përziejnë, e të ardhmen parathonë.

Të lutem mjaft, prit një minutë.
Grua brune, fytyrë zbehtë,
Harron që çapi të është i lidhur në shkopinj të drunjtë.
Prej lules bien çdo ditë fletë.
Shikimet e lagështa treten në mugëtirë.
Mëngjesi i shkalafitur ka një fytyrë.
Prej stomakut më vjen gromësirë.
Kalamendesh në monopat të pistë.
Xhelozitë dhe orgjitë mbetën pas,
 janë bërë çarçafë të ngrirë.
Monedha të flakura mbi lavapjatë.
Përsëri ti thua, përse u harrua të shkruhej
në dridhjen e zbehtë të hënës
dhe skërmitjen e mekur të dritës.
Të tjerët s’mund të mbeten pas,
Edhe sikur të harrojnë
Nuk kanë ku shkojnë do vijnë një ditë...

Grua brune, fytyrë zbehtë,
Sa herë të gjej mbështetur në cep ëndrrës
Me tualet të rëndë,
Këmbë mbi këmbë.
Të linjtat qëndisur me gjilpërën e kometës,
Dhe perin e ngatërruar të merimangës,
Sytë mbyllur i ke
e di, ti nuk fle,
është e vjetër lojë ndjellëse.
Është faqja e parë e librit të Pandorës.
Dhe si tendë mbi krye
Mban kapotën vjetër të vjeshtës.

Ti pëshpërite, the,
Sigurisht që do të ikje.
Pa tjetër nuk do më prisje.
Ti ishe krejt ndryshe.

Grua brune, fytyrë zbehtë.
Poetët nuk dinë të tradhtojnë.

Përse kërkon të ikësh prej meje
shaluar mbi kuajt e bardhë.
Pikërisht kur më ranë potkonjtë!
Mos harroni ta shkruani me lapsin e vetëtimës,
Kur dielli dhe hëna nuk më përzë.
Paçka, askush nuk të përzë...

Përsëri sa herë të ndesh në shkallë,
Në godinën e vjetër  pa ullukë, në formë zemre.
Ku është gjysmë natë dhe gjysmë ditë.
Gjysmë ftohtë dhe gjysmë vapë.
Gjysmë borë dhe gjysmë erë.

Sa herë mbështetem në parmakë,
Më bëhet sikur ngjitem dhe zbres në shkallina të qerpikëve.
Ku ka shumë lagështirë
Vështrime të harlisura nëpër mure,
Ëndrra të thyera dhe përshtypje.
Dhe shkëndijime që treten shumë shpejt ujërave.
Paçka, askush nuk na përzë...


Kostaq Duka - RIKTHIM NË PUNËN E NATËS














Kostaq Duka

 

RIKTHIM NË PUNËN E NATËS



Pas një ndarjeje të gjatë,

me natën u përqafova

si me një të dashur të vjetër.



Gjithçka më mori,

trup e shpirt.

Duke më nxjerrë

në dritën e mëngjesit

si një gladiator

te lodhur nga

një dyluftim cfilitës.




Thursday, December 13, 2012

Pandi Skorovoti - DASHURIA















Pandi Skorovoti

DASHURIA

Le të ngrijnë gjithë liqenet,
le të bjerë bora përtokë,
zogjtë këngën le ta ndalin,
breshëri të kërcasë mbi tokë.

Le të fryjë erë sa të dojë,
le të bjerë shiu mbi mua,
dashuria me mban ngrohtë,
se përqafoj atë që dua !...

Alma Zenellari - ZËRI YT















Alma Zenellari

ZËRI YT

Më ke mbetur vetëm ti,
''zëri yt'' që vjen nga larg,
ti qe vjen shpërthen stuhi,
brenda detit thërrmon dallgë.

...Më ke mbetur vetëm ti,
ndaj të pres e bëj durim,
brenda shpirtit s'gjej qetësi,
kërkoj krahë për fluturim.

Zëri yt që vjen nga larg,
shpirtit vjen bëhet jehon',
thërrmon dhimbje, kuron plagë,
shpresa shpirtin peshë ma çon...

Tuesday, December 11, 2012

Vjollca Tiku - VËLLAI IM



















Vjollca Tiku



VËLLAI IM


Je ngjyra më ndritur e ylberit të lartë,
që u jep shkëlqim edhe motrave të tjera,
je si pema më e fortë që mbron me gardh ,
fidanët më të vegjël nga të ftohtit dhe era.

Kur rrjeta e trishtimit më lëngëzon syve lotore ,
nga ajri i rënduar me pluhura shqetësimesh,
hap perden e agimit të hyjnë rrezet vëllazërore,
dhe ti më përzë ajrin e mërzisë me fllade agimesh.

Në horizontin e ditëve të lodhura me andralla
në këtë botë me shkretëtira përvëluese,
ti më krijon oazin e freskët me këshilla të rralla,
ku shpirti im gjen paqen e vet qetësuese.

Je si drita qiellore që bie mbi detin e kaltër ,
ku mblidhen përrenj e lumenj gjithë zhurmë,
je flakëza e vëllazërimit të ngrohtë në vatër,
nëna dhe babai nga lartë, të japin bekime shumë.

Je një zemër ylli që shpërndan kudo rrezatime,
je buzëqeshja që thërrmon dëshpërimin e hidhur,
je dora gjigante e ndihmës në çdo dhimbje,
je gjaku rektitës që mban mirësinë familjare lidhur .

Jam e lumtur që je bërë vëllai im, në jetën time.



Fatbardha M. Xhani - THJESHTËSIA ËSHTË



















Fatbardha M. Xhani

THJESHTËSIA ËSHTË
 
Thjeshtësia është të shihni shpirtin tim
të zhveshur nga kufinjtë që i vuri nëna ime
me fjalën “turp”...


Thjeshtësia është të shihni mendimet e mia
pa gardhet që i vuri babai im
me fjalën “gabim”...

Thjeshtësia është te shihni energjinë time
të zhveshur nga kufizimet që i vuri vëllai im
me fjalën “kujdes”...

Thjeshtësia është të shihni aftësitë e mia
pa pengesat që i vuri bashkëshorti im me fjalët
“mos beso kollaj”...

Thjeshtësia është të shihni zjarrin tim
pa frikë e motrave të mia
që pyesin “vërtetë?”...

Thjeshtësia është të lexoni poezitë e mia
pa shkopinjtë nën rrota të bijave të mia
me fjalën “a vlen”...

Unë thjeshtë nuk kam turp
të shoh shpirtin tim nudo...