Monday, September 12, 2011

Kaman Myftaraj - HAPE ZEMRËN


Kaman Myftaraj

HAPE ZEMRËN

Hape zemrën dhe ëndrrën e bukur jeto,

se me rrezen e diellit mëngjesor tek ty do vij,
ashtu si rrezja e diellit xhamin depërton,
fshehtas do të hyj në dhomën tënde,
në shtratin e ngrohtë të jem me ty.
Do të ta prish gjumin e ëmbël të mëngjesit,
trëndafilin plot vesë do ta vendos mbi buzë
Do ti kreh me gishta flokët e tu të zinj e plot dredha,
me afsh do ta puth buzën që kuqëlon si trëndafil.
Do t’ua thith lëngun dhe ëmbëlsinë që më japin,
si vesën e mëngjesit kur dielli i zjarrtë e përpin.
Do të ti "vras" gjinjtë e bardhë e të ëmbël si hoje blete,
nektarin nga thithat e kuqe si bleta në lule do ta thith.
Kokën mbi gjoksin tënd do ta mbështes,
Të më përkëdhelësh si nëna fëmijën në gji.
Zemrën do ta “burgos” brenda kraharorit tënd,
bashkë me zemrën tënde përjetë aty të rrijë,
le të bëhet ajo përjetë e saja “robinë”.
Bukuria jote më magjeps, mu si vera e ëmbël tinzare,
që e pi me etje e plot shije, por më pas të deh.
Nuk pendohem, e  di që bëj “mëkat” se nga mëkati lindim.
Madje “mëkatare” je kështu si unë edhe ti,
ndaj erdha të “mëkatojmë” bashkë gjer në vdekje,
të shijojmë ëmbëlsinë e “mëkatares” dashuri.


Monday, September 5, 2011

Vullnet Mato - MOS MA VRISNI YLLIN NË SHPIRT



Vullnet Mato

MOS MA VRISNI YLLIN NË SHPIRT

Ju, mësues, që thoni se selektoni nxënës,
për shkollën e klasën e përparuar në mësim,
teksa zgjidhni ryshfetin e babait apo nënës,
dijeni se për mua bëni më të madhin gabim!

Ju, tregtarë, që shtrenjtoni në vjeshtë çantat,
duke ngritur çmimin për të fituar pa vend,
nga fëmijët e gjorë që numërojnë qindarkat,
dijeni se për mua bëni gabimin më të rëndë!

Ju, botues, që tekstet pa dalë i keni zhdukur,
të shiten nën dorë te tregu i pamoralshëm,
duke ua shpërndarë matrapazëve pa skrupull,
dijeni se për mua bëni gabimin e pafalshëm!

Sepse është krim të kërkoni pagesë të shtrenjtë
nga nipi vogëlush që kam te zemra më afër.    
Mos ma vrisni në shpirt, yllin tim fatkeq,  
ta ndjej qysh i vogël se ka lindur i varfër!...