Vullnet Mato
MONOLOGU I NJERIUT TË LETRAVE
Me letra sikur të mbuloj edhe detin,
nuk pres të më shtohet dikur pasuria,
por jam pronar i ligjshëm i talentit,
që bujarisht më ka dhuruar perëndia.
Frymëzimi më rrëmben të gjitha ditët,
dhe më mban nga dielli disi të larguar,
por kam një tjetër pak më të ndritshëm,
diellin e pasionit të rrallë për të shkruar.
Nga këndi i heshtur, ku kam tryezën,
vërtit një galaktikë të tërë fantastike,
madje kam dhe dy ufo të largët vëllezër,
që më ndihmojnë me energji kozmike.
Duket sikur po hedh verbërisht hapa
nëpër shtigjet e errët të imagjinatës,
por kësisoj jam duke montuar llamba,
për të ndriçuar dhe sytë e zinj të natës.
Shpesh mbetem i veçuar nga shoqëria,
dhe bëj monolog deklamues me veten,
por te miqtë e shumtë të letrave të mia,
kam edhe polin e akullt të eskimezëve.
Argëtuesit thonë se më mban në burg
biruca e trurit, ku më zbulohen krijimet,
por dollinë e shëndetit ma ngre me fund,
kushdo që pi gotat e artit tek shkrimet.
Logjikës së cekët të ndonjë politikani,
mund t’i dukem kritik paksa i rreptë,
por jam kurdoherë gati të fitoj debatin
me çdo të piketuar të listës për deputet.
Duke marrë nga gjumi disa orë hua,
mbase nxitoj të shkoj në fundin e jetës,
por farëzat që mbjell pena, kur shkruaj
më blerojnë lastarë edhe pas vdekjes.
Vërtetë s’kam sa duhet kohë e kurajë,
për të joshur sytë e lakmuar të bukurisë,
por më shfleton në shtratin e ëmbël të saj,
edhe ajo, që nesër mund të shpallet miss.