Vullnet Mato
KUR NE TË DY NDJEHEMI PERËNDI
(Erotikë rinore)
Kur jam me ty,
s’kam nevojë për dritë,
më ndriçon vetëm
vështrimi yt qiellor.
Kur jam me ty,
s’dua ngrohtësi të dytë,
më jep lëkura jote
rrezatim engjëllor.
Kur jam me ty,
nuk e shuaj etjen me ujë,
pi nga burimi i freskët
i buzëve të tua.
Kur jam me ty,
me deh trupi e ta bëj rrëmujë,
fuçi vere bëhen puthjet
që të marr hua...
Kur jam me ty,
këngë zogu më bëhet zëri,
më zbutet gjaku
e ndjej në vena muzikë.
Kur jam me ty
shkrihem fund e krye i tëri,
bëhem ai qingji i butë,
kur te delja pi sisë...
Kur jam me ty,
ndjehem në pranverën e bleruar,
thith aroma lulesh
në trupin tënd të brishtë.
Kur jam me ty,
bëhem mashkull i tërbuar,
për dashuri të fortë,
ndjehem i gatshëm plotësisht.
Kur ne jemi bashkë,
s’dua të kemi gjethe në trup,
gjethohemi me puthjet tona
nga gjoksi deri në shpinë.
Kur jemi të dy bashkë,
shkrepim elektricitet të butë,
dhe gjithë bota jashtë
flakërohet nga zjarri ynë...
Kur lidhemi përdore,
s’na mposht djalli as xhindi,
të gjitha të këqijave,
ne mund t’u bëjmë ballë!...
Kur ne ngjitemi të dy,
ndjehemi perëndi krijimi,
ngjizim hallkat e zinxhirit jetësor
me njerëz të gjallë...
No comments:
Post a Comment