Wednesday, January 21, 2015

Vullnet Mato - MOS MË LER VETËM, O GRUA!














Vullnet Mato

MOS MË LER VETËM, O GRUA!

Të kam njëzetekatër orë
në dhoma e në shtrat shtrirë.
Profili dhe imazhi yt
më fle e më zgjohet brenda trurit.
Hera-herës më ngjan vetja
si bërthama e një fruti të arrirë,
teksa ti më ke mbështjellë
me ëmbëlsinë e tulit...

Herë të tjera më duket
sikur më ke burgosur lirinë
për të shijuar fruta të tjera
të ëmbla të kësaj bote.
Por shpejt ndjej se shpirti
më humbet krejt qetësinë,
kur zgjatet koha trishtuese
që sjell mungesa jote...

Ti ike te njerëzit e fisit
në largësi tre-katër male.
Dhe kur erdhi nata monotone
me shurdhimin e vetmisë,
shtëpia u mbush gjithandej
me një mungesë të madhe, 
sikur shirat përmbytën dhomat
me ujërat e fshehtësisë.

Pyeta veten si mund të vinte dita
pa zërin tënd këngëtar?
si mund të kalonte nata ime e gjatë
duke qenë fare vetëm?
A do të vinte prapë marsi
me lulet dhe zogjtë shtegtarë?
A do të binte sërish nëpër dhoma
ylberi yt që ngjyros jetën ?

Kjo zemra ime
ka filluar të ruaj në kujtesën ritmike,
faktin se pa ritmin e frymëmarrjes tënde
në distancë të afërt,
mund të mbetet pa gjak,
dhe me venat krejt anemike.
Ndaj të lutem shumë,
mos më lër vetëm as ditën, as natën!...