Sunday, November 23, 2014

Vullnet Mato - PSE QANTE E QESHTE GRUAJA PA SHKAK














Vullnet Mato

PSE QANTE E QESHTE GRUAJA PA SHKAK

Ajo qante befas
sikur të ishte fëmijë.
Qante herë pas here
pa shkak të kuptuar.
Kujtohej se me burrin
bënte pak dashuri,
dhe lotët i binin çurg
si rubinet i liruar.

Pastaj kur ai i tha:
 “S’je më tërheqëse,
vitet ta kthyen pamjen
në shëmtim!”
Ajo ia priti:
“Më marrsh të keqen!”
dhe lotoi gjithë natën,
gjer në agim...

Një burrë tjetër i tha:
“Je tmerrësisht e bukur!”
dhe ajo papritmas
hapi krahët si zog.
Në mbrëmje i dha atij
një të puthur,
dhe trupin, kur i shoqi
bridhte me shokë.

Pastaj gjatë javës
ajo qeshte pa shkak,
qeshte dhe fluturonte
me këmbë e me duar.
Pse qan e qesh
gruaja pa shkak,
vështirë e ka burri
për ta kuptuar...





Thursday, November 20, 2014

Vullnet Mato - BUBULLIMAT E GJOKSIT TË NËNËS
















Vullnet Mato

BUBULLIMAT E GJOKSIT TË NËNËS

Isha vogëlush, afër moshës së një djali
dhe koha e krismave të tmerrshme ishte.
Në qiell, disa korba me krahë metali,
lëshonin mbi tokë glasa shpërthyese.

Nëna lau teshat me finjë nga hiri i zjarrit
dhe i vuri të thahen mbi shkurret e lumit.
Mashtruar nga ngjyrat dhe tymi i kazanit,
korbat u shfaqën befas me mitralime sulmi.

Vinin rrotull qiellit, sharronin degët e gurët 
dhe tym e pluhur u bë gjithçka përqark...
Nëna më rrëmbeu, si skifteri zogun e pulës,
më mbështolli me trup, më futi prapë në bark...

 “E mjera unë, do më vrasin djalin!”gulçonte,
me frymëmarrje të thellë strukur nën shkurre
dhe zemra në gjoks me gjëmim i bubullonte,
sikur te daullet e veshit më binte një daulle.

Atë daulle alarmi, të heshtur larg ndër vite,
kujtoj me mall, kur shoh fëmijë të asaj moshe...
Oh, gjoksi i nënës me bubullima të dridhshme,
kish brenda të gjitha dhembshuritë e kësaj bote...