Friday, July 17, 2015

Vullnet Mato - LULEKAMBANAT E MUZGUT
















Vullnet Mato

LULEKAMBANAT  E MUZGUT

Kur dita diellore arriti çastet purpurake të perëndimit,
ra kambana e kupës qiellore me tone të drithëruar...
Atëherë ulën kryet në ritualin bimor të nderimit,
edhe lulekambanat e muzgut, me petalet trishtuar.

Vallë, cili arkitekt projektoi formën e tyre kambanore?
Cili piktor gjenial zgjodhi ngjyrën muzgore, bluviolet? 
Cili metalurg kambanash derdhi bronzin e cipës lulore,
të këndojnë zogjtë halelujën, përpara gjumit të qetë?...

Ndoshta të tre krijuesit i kishin gjurmët në qiell,
apo vetëm një pasionant, bëri të tri përsosmëritë,
për të nderuar lamtumirën e madhërishme të diellit,
me këto krijime natyrore, mbi të gjitha mrekullitë?...

Në çastet solemne, të përsëritura nga cikli kohor,
kur horizontet bëjnë përnderimin e ditës që vdes,
lulekambanat i luten diellit, teksa fik fenerin qiellor,
për të rindezur dritën jetëdhënëse në tjetrin mëngjes...
 
Oh, në muzgun tim, nuk dua rite lutjesh në minare,
as të ushtojnë kambanat vajtimtare nëpër kisha,
por vetëm lulekambanat të ulin kryet nëpër dritare,

të shkoj nga kjo botë i lumturuar, siç nuk isha!...