Vullnet
Mato
SHTËPIA E SHKRETIMIT TRAGJIK
Pasi njerëzit shkuan familjarisht
në emigrim,
shkretimi tragjik sundon
në dhomat mortore.
Karboni ka vrarë oksigjenin,
deri në asgjësim,
myku shpërndan
aromat e kufomës ajrore...
Tani aty brenda
minjtë kanë bluar gjithçka,
dhe miushet garojnë,
kush të pjellë më shumë.
Marimangat shtrijnë rrjetat
nga trau në tra,
t’i kenë më të rehatshme
shilarëset për gjumë.
Mola bren në heshtje
kolltukët e pluhuruar,
me supet vajtimtar
mbi kalbjen e qilimave.
Dritaret kanë ulur qepallat
e syve të verbuar.
të mos shohin
pushtimin barbar të krimbave.
Mbeten të paprekur,
veç muret me kujtime,
që ruajnë zërat e incizuar
në tulla dhe gurë,
si dhe brava rojtare,
që shtrëngon në fiksime,
dorën me gishta çeliku,
futur thellë në mur.
Pas ardhjeve të penguara
me bunkerët e panikut,
është koha e ikjeve,
me dyert e blinduara të çelikut...